Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi tregon për hapjen e ekspozitës, “Unë jam shqiptar” në Kosovë. Ekspozita përmban në vetvete një trajektore historike të shqiptarëve të diasporës në shekuj, për të spikatur kolonitë kryesore të shqiptarëve në botë. Por, cila ka qenë ecuria e Muzeut Historik Kombëtar përgjatë këtij viti, që në vazhdim synon që të restaurohet në mënyrë që të konkurrojë edhe me qendrat e tjera muzeale në Ballkan. Dorian Koçi flet për projekt-idenë. Përsa i përket Pavijonit Etnografik edhe pse ka përfunduar rikonstruksioni i tij ende qëndron i mbyllur. Por edhe për këtë pavijon mesa duket të ketë një përshtatje të re në restaurimin që do të pësojë godina e muzeut, pra do të hapet. Dorian Koçi rrëfen edhe kërkesën, që i ka bërë bashkia e Preshevës për ndërtimin e një muzeu për shqiptarët në këtë qytet.
Kjo ekspozitë është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor edhe përmban në vetvete trajektoren historike të shqiptarëve të diasporës në shekuj. Është konceptuar për të spikatur mërgatën e shqiptarëve në botë, për të vazhduar me kolonitë shqiptare në SHBA e në vende të tjera, ku pati një lëvizje të rëndësishme të idesë sonë kombëtare. Për të vazhduar me kontributin e diasporës së re shqiptare.
Dorian Koçi, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar
Përsa i përket restaurimeve që mendohen që të bëhen në Muze, Dorian Koçi tregon se çfarë do të bëhet konkretisht edhe se cili është qëllimi i kësaj ndërhyrje, në të cilën do të përfshihet edhe mozaiku “Shqipëria” bashkë me Pavijonin Etnografik, që ndonëse ka përfunduar puna për të, ai do të rikonceptohet sërish nga e para.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar flet edhe për ndihmën, që i ka kërkuar kryetari i Bashkisë së Preshevës për ndërtimin e një muzeu të ri për shqiptarët, për të cilin institucionet tona i janë përgjigjur pozitivisht.