Me kërcim e këngë, traditën e modernen të kapur dorazi, Java Evropiane nisi rrugëtimin në zemër të Tiranës. 42 vite pasi u vendos aty, Mozaiku "Shqipëria" u shpalos këtë të martë i restauruar në Muzeun Kombëtar, nën 'yjet' e flamurit të Bashkimit Evropian...

Restaurimi kërkoi dy vjet kohë, thuajse sa u desh për realizimin e tij fillstar nga 5 autorët Josif Droboniku, Vilson Kilica, Anastas Kostandini, Agim Nebiu dhe Aleksandër Filipi. Tre të fundit ishin të pranishëm në inaugurim. Punimet u financuan me një fond prej 1 milionë euro nga Bashkimi Evropian, me  123 tone ngjyrash, ku u përdorën gurët e gjetur në po të njëjtën fabrikë në Venecia ku u prodhuan origjinalët.

Simbolikat e diktaturës, në yllin e kuq e librin e partisë, Mozaikut ia hoqi demokracia, e madje vetë autorët, por polemikat sërish nuk munguan, kërkohej asgjësimi i tij nga Muzeu. Ripunimi I Mozaikut i hap rrugën restaurimit të plotë të Muzeut Historik.

Nën moton "Aftësitë tuaja, e ardhmja juaj" Java Evropiane bëri bashkë disa nga zërat më të dashur për publikun... Përgjatë këtyre dhjetë diteve që pasurohen me një sërë aktivitetesh e panairesh, do të prek 7 qytete të Shqipërisë... ku do të evidentohen edhe të rinj të talentuar.