TIRANË, 26 nëntor/ATSH/. - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, mori pjesë sot në Asamblenë e Përgjithshme të Shoqatës së Shefave të Policisë të Europës Juglindore (Southeast Europe Police Chiefs Association - SEPCA), të zhvilluar në Beograd, pasi Serbia është edhe vendi që mbante presidencën e radhës të kësaj Shoqate.
Ky takim ishte i një rëndësie të veçantë, pasi përkonte edhe me marrjen e presidencës së radhës të kësaj Shoqate nga ana e vendit tonë, për 12 muajt e ardhshëm. President i Shoqatës u zgjodh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare të Shtetit, Artan Didi. Ky moment u shoqërua edhe me një ceremoni solemne gjatë së cilës u bë kalimi i flamurit zyrtar të SEPCA's nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Serbe për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Shqiptare.
Gjatë ceremonisë solemne të rastit, Didi në fjalën e tij vuri në dukje përpjekjet intensive që po bëjnë qeveritë dhe organizatat policore të rajonit, për forcimin dhe konsolidimin e sistemit demokratik në vendet respektive, duke u përballur me sfidat e rritjes, sfida këto që lidhen ngushtë me luftën ndaj sëmundjeve të ngjashme, që kanë kapur shoqëritë tona si korrupsioni, krimi i organizuar, trafiku i qenieve njerëzore, fenomenet e migracionit të paligjshëm etj. Po ashtu, ai evidentoi zhvillimet e jashtme dhe të vazhdueshme në hartën e BE-së, raportet e reja, që janë krijuar nga shtetet e rajonit tonë me BE-së, si dhe zhvillimet në arenën ndërkombëtare, të cilave u është shtuar edhe konflikti Sirian dhe dalja në skenë e ISIS në këtë rajon, që është shumë pranë nesh.
SEPCA tashmë ka mbushur 12 vjet nga krijimi i saj, periudhë kjo e mëse e mjaftueshme për të vlerësuar domosdoshmërinë e kësaj shoqate, për të krijuar dhe siguruar një bashkëpunim permanent ndërmjet policive të vendeve të rajonit tonë, të Europës Juglindore, si dhe për të gjykuar mbi perspektivën e saj të zhvillimit për të qenë e aftë të identifikoje dhe tu paraprijë problemeve që ndeshin organizatat policore që ne përfaqësojmë në përballjen e përditshme me sfidat e brendshme dhe ato rajonale në fushën e sigurisë, të cilat janë një shqetësim i përbashkët i popujve tanë dhe që lidhen me kushtet gjeografike dhe socio-ekonomike të këtij rajoni, theksoi ai.
Në mbyllje të fjalës së tij, Didi theksoi rëndësinë që organizatat policore mund të kenë si pararojë e këtyre zhvillimeve lokale dhe rajonale, duke mbështetur me kapacitetet dhe ecurinë e tyre, konsolidimin e reformave në fushën e sigurisë si një faktor i rëndësishëm në ecurinë e reformave demokratike, reforma që do hapnin dyert e Europës për popujt tanë. /a.ke/








