DURRËS- 300 kontenierë frigoriferikë me ushqime vijnë çdo ditë nga porti i Durrësit, si një tregues që pavarësisht "luftës" në të cilën ndodhet vendi, nuk ka një krizë ushqimesh. Një lajm i tillë është bëri i ditur nga drejtori i Portit, Pirro Vengu gjatë një inspektimi të bërë nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

"60% e ushqimeve  vijnë nga Durrësi. 300 kontejnerë  frigoriferik në ditë", tha Vengu, teksa Balluku e ka përkufizuar si një injeksion pozitiviteti fluksin e punës në këtë port, në një kohë kur rrugët, sheshet janë boshatisur.

"Injeksion pozitiviteti në këto ditë të errëta. E gjithë kjo lëvizje, nën masa të rrepta. Porti ka qenë një nga pikat më të rëndësishme, sidomos për mallra. Për shkak edhe të problematikeve për shkak të mbylljes së kufijve, porti i Durrësit ka mbajtur peshën më të madhe ushqimore, medikale dhe shumë mallra të tjera. Do të jemi shumë rigoroz me masat e ekuipazheve që do të vijnë. Operimet në port janë shtuar, por duhet të theksojmë që të gjitha ekuipazhet e marinarëve kanë një rregullore për të zbatuar dhe ne kemi qenë shumë rigorozë në zbatimin e tyre, duke qenë se mund të bëhen mbartës të virusit", tha ministrja. 

Vengu njoftoi ministren se përveç importeve, as eksportet nuk janë ndalur. E ndërsa lajmi i mirë është se asnjë nga punonjësit nuk është prekur nga COVID-19.

"Asnjë rast i punonjësit të portit, as ekuipazhet nuk është prekur nga COVID-19", tha Vengu. Nga ana tjetër, Balluku theksoi se ky është një fakt shumë i rëndësishëm sepse puna duhet të vazhdojë. "Fakti që asnjë nuk është infektuar është shumë i rëndësishëm sepse këtu puna duhet të vazhdojë pavarësisht pengesa që kemi pasur" përfundoi Balluku.