TIRANE- Shtatë të dënuarit e arratisur nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, nuk janë të vetmit të burgosur që disponojnë armë dhe sende të jashtëligjshme brenda qelive. Një kontroll blic i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ka nxjerrë në pah se të burgosurit kanë celularë, ndërsa ka nisur një hetim për të zbuluar rolin e gardianëve të burgjeve dhe se cili prej tyre mund të ketë toleruar futjen e sendeve të paligjshme brenda ambjenteve të burgut.

Kontrollet janë zhvilluar më datat 25 dhe 26 nëntor në burgjet e Lezhës, Fushë-Krujës, Durrësit, Peqinit dhe Lushnjës, ku janë gjetur dhe sekuestruar 10 telefona celularë dhe 15 karta SIM. Për të burgosurit të cilëve u janë gjetur këto sende është marrë masa e dënimit në birucë.

Ndërkaq, shumë shpejt pritet një valë shkarkimesh për gardianët e këtyre burgjeve ku janë evidentuar paligjshmëri dhe tolerim ndaj të burgosurve duke i ofruar atyre privilegje të tilla, me celularë e internet në qeli.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)