TIRANE- Beqir Visha, babait të Nazime Vishës që është dënuar me 15 vite burg për vrasjen e Fiqiri Muçës, do ti duhet të paguajë një gjobë prej 300 mijë lekë të vjetra, pasi është shpallur fajtor nga gjykata e Tiranës për akuzën e “Prerjes së paligjshme të pyjeve”. Pikërisht drejtoria e pyejeve ka nxjerë urdhërin e ekzekutimit dhe se tashmë, pritet që kjo sasi lekësh të tërhieqt nga përmbarimi. Gjatë procesit gjyqësor Beqir Visha ka ngritur një alibi të fortë para gjykatës për të vërtetuar se nuk kishte dëmtuar pyjet për të cilat akuzohej.

“Kam marrë në zonën e Burrelit 3 metër kub mbeturina, në kufi me Ketën e Burrelit dhe në Xibër të Burrelit, në kufi me zonën e Tiranës. Nuk është e vërtetë që të kem prerë dru siç pretendon pala paditëse. Unë jam proceduar në zonën e Burrelit për 3 metër kub dru zjarri, në zonën e Tiranës nuk kam prerë asnjë fije pishe”, - është shprehur Beqir Visha para gjykatës. I pyetur përse kishte firmosur një procesverbal, ku i ishte njoftuar një gjobë për dëmtim pyjesh, Beqir Visha ka pretenduar se: “Nuk di shkrim dhe këndim, por di të them që kam marrë vetëm 3 metër kub në zonën e Burrelit dhe jo 10 metër ster në Tiranë.

Kam firmosur, është e vërtetë, por për materialin në ruajtje të mikut tim, pjesa tjetër nuk qëndron”,- ka theksuar ai. Pikërisht gjatë kohës që ishte vetëpunësuar në aktivitetin e prerjes dhe transportit të drurëve nga pyjet e Burrelit në zonat urbane përreth, Beqir Visha është njohur dhe me Fiqiri Muçën, i cili kryente të njëjtin aktivitet. Beqir Visha punonte si druvar dhe lëndën drusore që priste, ia grumbullonte kundrejt pagesës Fiqiri Muça, i cili bënte më pas dhe shitjen.

Për shkak se ishte shumë larg shtëpisë së tij, Fiqiri Muça shpesh ishte ftuar nga Beqir Visha të kalonte natën në shtëpinë e këtij të fundit. Në këtë mënyrë u bë dhe njohja e Fiqiriut me Nazime Vishën, vajzën e vogël të familjes. Mes dy familjeve u lidhën dhe miqësi, pasi vëllai i Fiqiri Muçës u martua me vajzën e madhe të Beqir Vishës. Në 2012-ën, pas më shumë se katër vitesh njohje, Nazime Visha e ekzekutoi me 29 plumba babain e pesë fëmijëve, duke pretenduar se e kishte abuzuar seksualisht për disa vite me radhë.

Shkrimi u publikua sot (10.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)