Drejtshkrimi, Memushaj: Marashi
nuk duhet të përzihet me gjuhën

Drejtshkrimi, Memushaj: Marashi<br />nuk duhet të përzihet me gjuhën
TIRANE - Në harkun e më pak se 9 muajve drejtori i QSA-së Ardian Marashi i ka dhënë shtypit dy intervista të mbushura me të pavërteta, fyerje e shpifje ndaj akademikësh e profesorësh shqiptarë.

Në të parën, dhënë gazetës “Panorama” në korrik 2012, ai e siguron intervistuesin se «nuk bëhet fjalë për “rishikimin e standardit” apo për “ndryshimin e standardit”, por bëhet fjalë për “rishikime në standard” ose për “ndryshime në standard”»; në intervistën e dytë, dhënë para disa ditësh gazetës “Shqiptarja.com”, marrim vesh se pjesë e projektit të Qendrës së Studimeve Albanologjike për gjuhën shqipe është edhe çështja e drejtshkrimit, “mjaft e rëndësishme në vetvete”, me të cilën “lidhen shumë paragjykime, shumë nostalgji e shumë pasione…”

Pa u marrë gjuhën e ashpër e fyese dhe me vlerësimet e zhvlerësimet që u bën në këto dy intervista akademikëve dhe profesorëve, ndër të cilët përmendet shumë herë edhe shkruesi i këtyre radhëve, po përpiqemi të tregojmë arsyet se pse z. Marashi nuk i takon të përzihet në punët e drejtshkrimit.

Së pari, z. Marashi nuk mund të ulet në sofrën e gjuhëtarëve dhe të lëvruesve të shqipes, sepse ai nuk është as gjuhëtar, as lëvrues i saj. Nuk ia ka lejuar të bëhet i tillë formimi universitar e pasuniversitar që ka marrë; ai është mësues i frëngjishtes që jep gjuhë shqipe në INALCO, por të qenët mësues nuk të bën studiues të gjuhës, të letërsisë apo lëvrues të shqipes. Për këtë arsye, ne do t’i drejtoheshim me shprehjen latine “Sutor, ne ultra crepidam!” (Kundraxhi, merru me kundrat!).

Vetëm gjuhëtarët që kanë njohjen e nevojshme të normave të gjuhës, të dëshmuar me vepra, mund të diskutojnë e të propozojnë zgjidhje. Diskutimet e tyre mund të jenë me tone herë të ulëta e herë të larta, por secila palë me argumentet e veta, që burojnë nga njohja që ka secili për problemet e gjuhës. Edhe kur tonet e polemikës janë të nxehta, ata nuk shpifin e nuk fyejnë. Të paktën këtë etikë duhet ta mësojë z. Marashi, meqenëse rasti fatlum për të e solli të jetë në krye të albanologjisë.

Së dyti, z. Marashi nuk i takon të flasë për drejtshkrimin, sepse nuk është anëtar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Sikundër dihet, çështja e drejtshkrimit ka qenë një nga objektivat e Këshillit Gjuhësor Kombëtar të krijuar më 2004, shumë kohë para se ky zotëri të vihej në krye të QSA-së.

Anëtarë të atij Këshilli ishin edhe shumë punonjës të Institutit të Gjuhësisë. Por në Këshillin Ndërakademik të riorganizuar më 2010-ën, Instituti i Gjuhësisë nuk përfaqësohet më me asnjë punonjës, as në grupin e drejtshkrimit. Nëse duhet të fliste, z. Marashi, duhet ta bënte për të mbrojtur këtë Institut, për të kërkuar përfaqësimin e tij në Këshill dhe në grupet e punës.

Pra, nuk mund të mëtojë se QSA-ja është pjesë e këtij projekti për drejtshkrimin kur në hartimin dhe miratimin e tij nuk ka marrë e nuk merr pjesë asnjë nga punonjësit e Institutit të Gjuhësisë që ka në varësi.

Më në fund, ka edhe një arsye të rendit etik pse duhet të mos përfshihet në këtë debat: kur vjen puna për gjuhën e nënës, ata që nuk e kanë shqipen të tillë, duhet të kenë urtësinë të na lënë të merremi me të neve që e kemi gjuhë amtare. Natyrisht, po të kishte ndër ta specialistë të gjuhës, mendimet dhe këshillat e tyre do të ishin të mirëpritura. Po gjuhëtarë dhe jo profanë e tifozë dialektesh. Prandaj do të kishte qenë një sjellje e mençur e z. Marashi të mos përzihej në këtë çështje.

Po gjithë veprimet e tij që nga çasti që u vu në krye të QSA-së, tregojnë se kjo mençuri i ka munguar. Prova e parë e përzierjes në punët e shqipes është konferenca e dhjetorit 2010, e iniciuar jo prej Institutit të Gjuhësisë, gjë që do të kishte qenë normale, por nga lart, prej vetë atij, duke ftuar në të kundërshtarët e standardit dhe duke mënjanuar shumë nga mbrojtësit e tij.

Gjatë gjithë kësaj kohe, ky zotëri është ekspozuar si partizan i flaktë i gegërishtes (shih intervistën e fundit) dhe si përkrahës i synimeve për të prekur bazën e gjuhës standarde, kur si drejtues institucioni duhej të mbante një qëndrim të ekuilibruar dhe t’ua linte gjuhëtarëve barrën e diskutimit dhe të zgjidhjes së këtyre çështjeve.

Ai është përfshirë në këtë aferë jo si drejtues institucioni, po si individ dhe për hesap të të tjerëve, të atyre që e kanë sjellë në krye të këtij institucioni pikërisht për të udhëhequr “rishikimin në gjuhë”.

Nga titulli i intervistës del edhe më mirë se të dhënat për kundërshtarët e ndryshimeve të propozuara i merr nga tutorët e tij, që janë anëtarë të Këshillit Ndërakademik. Edhe argumentet që sjell në të mirë të ndryshimeve të thella janë ato të këtyre të fundit.

Për të, “problemi është bërë tepër kërcitës me ë-në e pazëshme, po edhe me grupin -i/-j, ndërsa po vazhdon duke u trashur me grupet -r/-rr, -dh/-ll, -ç/-q, -gj/-xh”. Na del që u dashka përmbysur drejtshkrimi, sepse në thjeshtligjërim ë-ja e patheksuar në pozicion fundor të morfemës rrënjë rrëgjohet apo se në ca katunde folësit ngatërrojnë ll me dh, r me rr, ç me q apo gj me xh!

Po drejtshkrimi, edhe nëse duhet të ndjekë shqiptimin, sikurse mëtojnë përkrahësit e ndryshimeve të thella, ndjek jo shqiptimet e ngushta krahinore, po shqiptimin letrar, atë të aktorëve të teatrit, të folësve të radios e televizionit, të ligjëratave universitare e të konferencave shkencore, politike etj.

Për sa i përket rrugës së zgjedhur për jetësimin e ndryshimeve të propozuara, Z. Marashi, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares lidhur me ata që i kundërshtojnë këto ndryshime, thotë: “Gjuhësia nuk është politikë, që të punohet me konsensus… gjuhëtarët debatojnë rreth çështjeve konkrete dhe fiton mendimi më i argumentuar, ai mendim që e njeh dhe e pranon ligjësinë e brendshme të zhvillimit shkencor…

Përndryshe, do të ndodhte si në epokën e Kongresit të Drejtshkrimit, kur të gjithë duhej të ishin njëlloj dakord dhe të vendosnin njëlloj me 100% të pjesëmarrësve.”  Vërtet, edhe në mbledhjen 27 qershorit 2012 të Këshillit Ndërakademik për miratimin e ndryshimeve u ndoq jo rruga e konsensusit, po votimi, ndonëse në materialin me përfundimet e kësaj mbledhjeje së thuhet se “pas diskutimeve, me miratim të përgjithshëm (nënvizimi imi – R. M.), u mbështetën këto ndryshime në raport me rregullat ekzistuese.”

Pikërisht, këtu gabon Këshilli Ndërakademik dhe, bashkë me të, edhe z. Marashi. Përvoja e gjermanëve, e çekëve etj. tregon se një reformë e kontestuar  nuk ka shans të pranohet nga gjuhëtarët, lëvruesit e shqipes (shkrimtarë, përkthyes, publicistë, gazetarë etj.) dhe nga konsumatorët e gjuhës (universitetet, shkollat, shtëpitë botuese, redaksitë e gazetave, të radiove dhe të televizioneve).

Sepse, për dijeni edhe të gazetares, nuk është vetëm Rami Memushaj që i kundërshton këto ndryshime kaq të thella, po janë edhe 10 anëtarë të Këshillit Ndërakademik (nga 17 gjithsej), 6 nga të cilët votuan kundër dhe 4 të tjerë nuk morën pjesë në votim; me fare pak përjashtime këtu e në Prishtinë, kundër kësaj reforme janë gjithë pjesa tjetër e gjuhëtarëve që merren me shqipen.

Pra, një reformë që nuk merr miratimin e përgjithshëm, është e paracaktuar të dështojë. Që reforma e drejtshkrimit të ketë sukses, duhet ecur në vijën e traditës dhe jo duke ndjekur modelet e politikës.

Fjalët profetike të Gjergj Fishtës në Kongresin e Manastirit: “Nuk kam ardhë të mbroj një alfabet, po të bëjmë një alfabet” duhet të na udhëheqin gjithmonë në vendime të tilla në lidhje me gjuhën. Kjo traditë u ndoq edhe në Kongresin e Drejtshkrimit, përndryshe kush do t’i detyronte përfaqësuesit e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë dhe të arbëreshëve të pranonin rezolutën e tij?

Dhe, më në fund, si Marashit edhe intervistueses së tij (e cila na çudit kur thotë se “Kongresi i Drejtshkrimit i 1972 është cilësuar me të drejtë si politik e i dhunshëm”), nëse duan të kthjellohen për të vërtetën, do t’u këshilloja të lexonin dy artikujt e gjuhëtares amerikane Xh. Bajron për planifikimin gjuhësor ndër shqiptarët e ish-Jugosllavisë dhe në Shqipërinë politike, në librin “Përzgjedhje midis alternativash në standardizimin e gjuhës”, botuar nga “Dituria”.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë