Drejtshkrimi, promemorie Akademisë
jo ndryshimeve arbitrare në gjuhë

Drejtshkrimi, promemorie Akademisë<br />jo ndryshimeve arbitrare në gjuhë
TIRANE - Ndryshime gjuhësore arbitrare, rrugë e gabuar për normat që do të ndryshojnë “me mënyra joluajale për krijimin e një shumice të atyre që deri dje e kanë sulmuar gjuhën standarde”, është thelbi i një promemorieje të hartuar nga gjuhëtari i njohur Rami Memushaj, anëtar i Këshilli për gjuhën në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Pas shumë hezitimesh diskutimet për ndryshimet nisin të mërkurën e ardhshme, ku do të  miratohen propozimet e dy grupeve të Drejtshkrimit, të Tiranës dhe të Prishtinës. Bëhet fjalë për pjesën e dytë të projektit për ndryshimet e Drejtshkrimit, ato më të diskutuarat si rënia e ë-së së patheksuar dhe afrimi i shqiptimit me shkrimin, dy tezat kryesore të përkrahura tashmë nga akademik Kolec Topalli dhe drejtori i Qendrës Albanologjike Ardian Marashi.

Ka mjaft gjuhëtarë të njohur kundër këtij projekti ndryshimesh, por megjithatë Këshilli Akademik për Gjuhën ka vendosur të mblidhet në datat 14 -16 prill duke iu dhënë prioritet autorëve që paraqesin tezat e mësipërme. Në muajin qershor të vitit të kaluar kur mediat u mbushën me debatet pro dhe kundër ndryshimeve ishte gjuhëtari dhe njëkohësisht kryetar i grupit prof.

Emil Lafja që bëri të ditur publikisht dorëheqjen nga pjesëmarrjet në mbledhjet e Këshillit Ndërakademik. Shkaqet i bëri të njohura me dy promemorie drejtuar Këshillit Ndërakademik.  Këtë herë një tjetër gjuhëtar jep dorëheqjen nga diskutimet për ndryshime dhe i dërgon Akademisw një tjetër promemorie.

“Kjo mbledhje vjen pasi pjesa e dytë e projektit është diskutuar nga grupi i drejtshkrimit i Tiranës pranë këtij Këshilli (këtë punë ka bërë edhe grupi i drejtshkrimit i Prishtinës). Në këtë mbledhje unë nuk qëndrova, sepse nuk u pajtova me mënyrën e zgjidhjes jo me mirëkuptim të problemeve”, thotë për “Shqiptaraja.com”, gjuhëtari Rami Memushaj, autori i Promeriores, të cilën ia ka dërguar Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Kosovës. Gjuhëtari e ka shqipëruar tashmë edhe fjalën Promemorie (Përkujtesë) dhe kështu ia nis të dyja akademive në Shqipëri e Kosovë si shenjë sensibilizimi kundër ndryshimeve:

PËRKUJTESË

“Të nderuar anëtarë të Kryesisë së ASHSH dhe të ASHAK,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe


Pas leximit të “Përfundimeve nga mbledhja e datës 27.6.2012 e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe”, që na është vënë në dispozicion nga akademiku Kolec Topalli, anëtar i këtij Këshilli, ndihem tepër i shqetësuar për rrugën e gabuar të ndjekur nga ai Këshill për jetësimin dhe miratimin e këtij projekti.

Si njohës i problemeve të normës drejtshkrimore dhe i problemeve të planifikimit gjuhësor, jam shumë i bindur për pasojat negative që mund të sjellë përpjekja për ta zbatuar këtë projekt duke ndjekur praktika të gabuara. Për këtë arsye e shoh të nevojshme të ngre para jush shqetësimet e mia”.

Për ccfarë është fjala për për përmirësime apo për ndryshime të thella të drejtshkrimit që prekin bazën e gjuhës standarde. Prfesor Memsuhaj sqaron: 
Së pari, gjuha shqipe nuk është një gjuhë që po standardizohet, as një gjuhë artificiale, një lloj esperantoje që krijohet në laborator në bazë rregullash tepër strikte.

Në drejtshkrimin e saj, shumica e zgjidhjeve shpjegohen me rregulla, po, krahas tyre, ka edhe përjashtime e raste idiosinkretike, çka është normale për gjuhët njerëzore, në të cilat e reja dhe e vjetra bashkëjetojnë. Pikërisht, prania e përjashtimeve buron nga kujdesi i kodifikuesve për të mos i prerë lidhjet me traditën shkrimore gati 500-vjeçare të shqipes.

Ndërsa në projektin e miratuar ndryshimet që propozohen burojnë nga ajo që ky Këshill (apo shumica që ka votuar) e sheh shqipen pikërisht si një gjuhë që është duke u standardizuar, gjë që shpie në braktisjen e një praktike shpeshherë qindravjeçare shkrimi.

Së dyti, planifikuesit gjuhësorë në ndërhyrjet e tyre në gjuhë duhet të kenë parasysh atë që në teorinë e planifikimit gjuhësor quhet “language acquisition planning”, dmth. planifikim i pranimit të normës nga përdoruesit e saj.

A do të pranohen nga folësit e shqipes këto ndryshime të normës drejtshkrimore; a do t’i pranojnë  shtetet tona këto ndryshime; a do t’i pranojnë shtëpitë botuese, redaksitë e revistave dhe të gazetave; a do t’i pranojnë universitetet publike që nuk janë pyetur; a do t’i pranojnë shkrimtarët, publicistët, përkthyesit dhe studiuesit e shqipes? Marrja parasysh e qëndrimit të këtyre faktorëve është me rëndësi të madhe, në mënyrë që kjo reformë të mos prodhojë një çoroditje e pështjellim në praktikën e shkrimit të shqipes.

Së treti, duhet pasur parasysh edhe një faktor i rendit praktik: duhet korrektuar e ribotuar e gjithë literatura e botuar gjer më sot, legjislacioni, tekstet mësimore etj., gjë që është me kosto të papërballueshme, si nga pikëpamja e burimeve njerëzore (kërkon forca shumë të mëdha njerëzore), edhe nga pikëpamja e mjeteve e mundësive financiare.

Pastaj kush do t’ua mësojë mësuesve, korrektorëve, redaktorëve, nëpunësve të administratës rregullat e reja të drejtshkrimit? Ç’do të ndodhë me shqipen pas dyqind vjetësh, nëse çdo 40 vjet do t’u bëhen ndryshime normave të drejtshkrimit të saj? A e ruajmë kështu lidhjen kulturore midis brezave? Dhe, më në fund, ç’përfitim kemi nga këto ndryshime kaq të mëdha?

PROMEMORJA

Rami Memushaj: Po bëhet ndarje kulturore e vështirë për t’u ndrequr

“Ndryshimet duhet të jenë në atë masë sa të “treten” nga ata që e përdorin shqipen si gjuhë të shkruar. Nëse kapërcehet masa, ndryshimet mbeten në letër dhe më shumë prishin punë se ndreqin. Nuk ka ndodhur në asnjë gjuhë që t’i bëhen normës drejtshkrimore ndryshime kaq të thella.

Gjermanët në mesin e viteve ‘80 të shek. XX ndërmorën një reformë të drejtshkrimit jo kaq radikale sa kjo, e cila u kundërshtua ashpër derisa u krijua një këshill prej 38 gjuhëtarësh nga të pesë vendet ku flitet gjermanishtja.

Por, edhe pse ky këshill hoqi dorë nga ndryshimet e debatueshme, edhe pse ndryshimet e modifikuara u pranuan nga shumica më 2007, kjo reformë ende nuk është pranuar prej të gjithëve dhe sot gjermanishtja rezulton me tre drejtshkrime.

Çekët kanë edhe ata kanë 20 vjet që nuk po merren vesh për zbatimin e një projekti të drejtshkrimit, me të cilin projekti i Këshillit Ndërakademik, nga mënyra si është hartuar e miratuar, ngjan si dy pika uji.

Prandaj thirrja ime drejtuar Këshillit është të mos e bëjë këtë gabim që mund të çojë në një ndarje kulturore të vështirë për t’u ndrequr.

I. Lidhur me natyrën e Këshillit, përbërjen dhe parimet e tij të punës

Në ngritjen e Këshillit Ndërakademik dhe në përcaktimin e parimeve bazë të funksionimit të grupeve të punës të ngritura pranë tij janë bërë gabime, të cilat mendojmë se duhen korrigjuar, në mënyrë që ai Këshill të japë një produkt të pranueshëm nga mbarë shqipfolësit.

Gabimi i parë është bërë duke e ndërruar Këshillin nga mbarëkombëtar në akademik. Ky ndërrim ka sjellë me vete shpërpjesëtim në përfaqësim. Në të janë përfaqësuar me më shumë anëtarë nga sa duhet të dy Akademitë, duke lënë jashtë tij gjashtë universitete publike që kanë departamente të gjuhës shqipe, tri të anës së Maqedonisë dhe tri të Jugut të Shqipërisë, si dhe Institutin e Gjuhësisë në Tiranë.

Përveç kësaj, ndër anëtarët e Këshillit ka syresh pa kurrfarë ndihmese në fushën e normave të gjuhës standarde. Gabimi i dytë është në praktikën jonormale të marrjes së vendimeve nga vetë Këshilli dhe nga grupet e punës.... Përpjekja për t’i zgjidhur problemet e diskutueshme me mënyra të tilla përbën një largim flagrant nga tradita jonë 100-vjeçare.

Fjalët profetike të Gjergj Fishtës në Kongresin e Manastirit: “Nuk kam ardhë të mbroj një alfabet, po të bëjmë një alfabet” duhet të na udhëheqin gjithmonë në vendime të tilla në lidhje me gjuhën.

Për këta atdhetarë të mëdhenj nuk kishte rëndësi përmbushja e qëllimeve vetjake apo të grupit, po arritja në një produkt të pranueshëm nga të gjithë shqiptarët. Kjo praktikë u ndoq edhe në Konsultën e Prishtinës dhe në Kongresin e Drejtshkrimit. Pra, që reforma e drejtshkrimit të ketë sukses, duhet ecur në vijën e traditës dhe jo duke ndjekur modelet e politikës.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset