TIRANË - Krerët e Tatimeve i kanë raportuar ministrit të Financave mbi gjendjen e të ardhurave dhe situatën fiskale të sistemit. Kreu i ri i Financave Shkëlqim Cani ka zhvilluar një takim me drejtuesit kryesore të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gjatë të cilit drejtori i dorëhequr Gazmend Spahia ka bërë një përmbledhje të punës dhe realizimit të të ardhurave sipas zërave.

Ministri është njohur mbi nivelin e të ardhurave buxhetore si tetëmujor, problematikën e rimbursimit të TVSH-së për biznesin, borxhet që biznesi ka ndaj kësaj administrate. Pika e nxehtë e diskutimit kanë qënë shifrat e mosrealizimit të të ardhurave fiskale nga ky institucion, gjë e cila ka thellluar defiçitin buxhetor.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, sipas të dhënave paraprake, gjatë muajit gusht, arkës së shtetit i mungojnë rreth 3.8 miliardë lekë. Ishin parashikuar të mblidheshin rreth 29.8 miliardë lekë, ndërkohë që janë arkëtuar vetëm 26 miliardë lekë. Sipas statistikave fiskale të 8-mujorit, të ardhurat kishin një mosrealizim prej 15 miliardë lekësh nga planifikimi i fillimvitit.

Shkrimi u publikua sot (24.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)