Me vendimin e datës 6 dhjetor, gjykata vendosi që dy të pandehurit e tjerë të këtij procesi, shtetasi Erges Xhoxhi, kunati i Dajtit dhe shtetasi Maringlen Muçaj, ish-efektiv policie, të gjykohen nga një gjykatë e thjeshtë, më konkretisht ajo e Durrësit, e cila ka dhe juridiksionin mbi vendin ku ndodhi masakra.
Ky vendim i gjykatës së Krimeve të Rënda duket i çuditshëm dhe kontradiktor, pasi prej afro tre vite rresht prokuroria dhe gjykata refuzuan kërkesën e avokatëve mbrojtës të të pandehurve për të bërë ndarjen e çështjes, madje gjatë procesit e refuzuan me forcë. Por për çudi, kërkesa për ndarjen e çështjes erdhi nga vetë prokurorët dhe më pas gjykata e aprovoi, por rrethanat në të cilat është marrë ky vendim duken edhe më të pazakonta sesa vetë vendimi.
NJOFTIMET
Vendimi i gjykatës është marrë në mungesë të avokatëve të të pandehurve madje edhe në padijeni të të pandehurve ndërsa gjykata ka zgjedhur disa avokatë "kryesisht" gjatë seancës. Ndonëse avokatët kanë vite që kërkojnë ndarjen e çështjes ata nuk janë thirrur në këtë seancë, ndërsa për muaj me radhë gjykata është ankuar se shumë seanca ishin shtyrë sepse avokatët nuk vinin pasi kërkonin ndarjen e çështjes.
Dritan Dajti, një nga njerëzit më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, akuzohet për vrasjen e katër oficerëve të policisë në atë që njihet si masakra e 7 gushtit në plazhin e Durrësit. Po ashtu, ndaj Dajtit rëndon edhe akuza e vrasjes së mikut të tij, Ledion Mara, ndërsa pjesë e procesit gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë edhe dy persona, që sipas prokurorisë kanë ndihmuar të kërkuarin.
Së bashku me Dajtin gjykohen edhe kunati i tij, Erges Xhoxhi, i cili akuzohet si përkrahës i të kërkuarit, si dhe për falsifikimin e dokumenteve të automjetit luksoz që përdorej nga i akuzuari për pesë vrasje. Pjesë e procesit gjyqësor si i pandehur është dhe ish-oficeri i policisë, Mariglen Muça, i cili sipas prokurorisë i ka siguruar Dajtit uniformën e policisë dhe modelin e dokumentit të ri që përdorin punonjësit e Policisë së Shtetit, me të cilin i shumëkërkuari ka arritur t'u shmanget disa herë postblloqeve të policisë.
GJYKATA REFUZOI KATËR HERË NDARJEN E ÇËSHTJES
Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar njëra pas tjetrës katër kërkesa që avokatët mbrojtës kanë bërë gjatë seancave në ngarkim të Dritan Dajtit. Dy kërkesat e para u bënë nga avokatët mbrojtës të ish-oficerit të policisë Mariglen Muça dhe kunatit të Dajtit, të cilët kërkuan veçimin e çështjes për klientët e tyre. Sipas kërkesave respektive, mbi dy të pandehurit e këtij procesi rëndojnë akuza që nuk janë kompetencë e Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe për këtë arsye, të pandehurit nuk mund të gjykohen. Po ashtu, avokati i Dritan Dajtit i kërkoi dy herë gjykatës për të bërë ndarjen e çështjes. Të katërta kërkesat u rrëzuan nga trupi gjykues, i cili argumentoi se çështja nuk mund të ndahet.
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)