Dritan Hila: Fitorja e Trump si halli atyre që u kërcasin zorrët

Dritan Hila: Fitorja e Trump si halli atyre që u kërcasin zorrët

Donald Trump

E gjithë përpjekja për të gjetur arsyen e humbjes së Kamala Harris, mund të përmblidhen vetëm në një: Gërryerja e zorrëve të barkut të miletit dhe shurdhëria e veshëve të shtetit për ta dëgjuar atë.

Gjithë arsyet e tjera janë sekondare: Emigrantët, LGBTQ-të, proceset e Trump-it, të gjitha do të ishin falur nëse do të ecte mirë ekonomia. Njerëzit janë pragmatistë dhe nëse ekonomia do të ecte mbroth, askujt nuk do t’i prishej gjumi pse Trump-i shkonte në burg, çfarë bën dikush me bythën e vet apo sa meksikanë kanë kapërcyer gardhin në El Paso.

Dhe pastaj kur kërcasin zorrët dhe veshët e qeverisë janë shurdh, plas revolta dhe nuk do t’ia dish se kush vjen pas. Madje arroganca e qeverisësve ka shpërthyer revolucionet më të njohura në histori: Ai amerikan për shkak se britanikët vendosën një takse për çajin dhe u treguar intransigjentë me kërkesën për rishikimin e saj, duke e çuar Bostonin në revoltë megjithëse në ato kohë ishte qyteti më i pasur i perandorisë e me bibliotekën më të madhe.

Kur plasi revolucioni francez, Parisi ishte qyteti më i ndritur i botës, por arroganca e Mari Antuanetës çoi tek armët. San Peterburgu ishte qyteti më i pasur i Rusisë dhe rusët kurrë nuk kishin qenë më mirë dhe me më shumë liri se në vitin 1917, por mospërfillja e carit dhe careshës, vaniteti i tyre, thashethemet për një prift që drejtonte nga krevatet e konteshave vendin, çoi në revolucionin e tetorit.

Demokratët amerikanë jo vetëm që ishin të çorientuar, por tashmë janë një kastë hermetike. Kamala mund edhe mos kishte humbur nëse Biden nuk do kishte ligësinë ta tirrte deri në limite dorëheqjen, nëse do kishte një garë në primare, nëse do kishin caktuar objektiva dhe qenë më veshhapur me elektoratin, nëse…nëse….nëse do ishin më empatikë me njerëzit. Nuk ia del dot zhurma e propagandës të mbulojë kërcitjen e zorrëve.

Problemi i madh i masës dërmuese të njerëzve sot nuk janë të drejtat e LGPTQ-ve, por pensionet; pagat; polarizimi i shoqërisë ku të pasurit po bëhen gjithmonë e më të pasur dhe përdorin shtetin si taksambledhës për bizneset e tyre; shërbimi shëndetësor i cili që pas kovidit nuk po mundet të marrë veten; emigracioni që në vend se të jetë krah pune është barrë për kujdesin social dhe element për kriminalitetin. Një pjesë e tyre janë të prekshme edhe në Shqipëri.

Fitorja e Trump-it do të jetë një kthesë me jehonë të gjatë në politikën amerikane. Nuk është e thënë të reflektohet në Evropë. Ama nëse nuk do nxirren mësime, nuk do jetë çudi që Evropa ta përjetojë akoma më keq dhe me elementë të papërgjegjshëm ndryshimin.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion