Dritëro Agolli, një meritë
e poetit në fund të viteve 1950

Dritëro Agolli, një meritë<br />e poetit në fund të viteve 1950
Titulli  i këtyre shënimeve  është perifrazim i sentencës së njohur latine “ Primus inter parem”, që do të thotë “I parë midis të barabartësh”.

Me fjalë të tjera, Dritëro Agolli është shkrimtar i njohur, por, po aq sa ai janë të paktën edhe disa të tjerë, sidomos në fushën e poezisë,  të cilët, mjerisht  kritika komuniste dhe paskomuniste nuk i ka nxjerrë sa duhet në pah.

Ma përforcoi këtë bindje  opinioni i përgjithshëm që u shpreh thuajse në mediat tona, të shtypura dhe elektronike, fill pas shuarjes së kësaj figure të rëndësishme,  që ka lënë gjurmë të dukshme  në  letërsinë shqiptare.

“Kolos”, “patriark, ”i pazëvendësueshëm”,  ”gjeni i letërsisë sonë”, “lapidar, ballë letërsisë”, qenë vetëm disa nga epitetet që përdorën me këtë rast  autorë në shkrimet   të botuara në gazeta. Kurse studiuesi i njohur Shaban Sinani, zërin kushtuar Agollit në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, (vëllimi 1, faqe 16, 2008) e fillon me fjalët: “AGOLLI Dritëro,(1931-), shkrimtar, publicist,veprimtar shoqëror, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”.

Dhe më tutje: ” D.A. është një nga figurat qendrore të poezisë shqipe dhe një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të brezit të vitevë 1960”. Pra, siç thotë populli, përcaktime dhe vlerësime me “me këmbë në tokë”, ( po aty).

Madje, edhe në këtë përcaktim ka një fakt të pasaktë, sepse Agolli është shquar mbi të gjithë poetët shqiptarë të periudhës komuniste edhe para viteve 60-të të shekullit të kaluar, më përpiktë që më 1958, kur botoi vëllimin e parë me poezi,” Në rrugë dola”, i cii  solli risi të reja në fushën e krijmtarisë poetike, deri atëherë  “prodhonte” kryesisht poezi pllakateske, dhe  nuk qe në gjendje të vazhdonte traditat më të mira të poezisë shqipe të Paraçlirimit.

Këtë e vë në dukje, veç të tjerëve, edhe studiuesi kanadezo-gjerman, Robert Elsi, në veprën e tij  “Histori e letërsisë shqiptare”, ku thekson: ”Pjesa më e madhe e shkrimeve me shumicë ne vitet pesëdhjetë e në fillim të viteve gjashtëdhjetë, dëshmuan shterpësi dhe mjaft konformizëm në çdo kuptim. (Vepër e cituar,faqe 383, botim në shqip, Pejë 1997).

Dhe më tutje: “Tematika e krijimeve të kësaj periudhe,  përsëritej rreth një qarku të caktuar, kurse lexuesi ushqehej vazhdimisht me tekste të thjeshtëzuara e pa ndonjë kujdes të veçantë për elementet themelore të stilit…Edukimi politik i masave dhe ushqimi i tyre me ndjenjën kombëtare quheshin më të rëdësishme se vlerat estetike. Ky qëndrim synonte të thellonte frymën revolucionare dhe të forconte bindjet socialiste të “njeriut të ri”, (po aty).

Duke u mbështetur  në studimin “Enver Hoxha “gju  më gju” me poetët”, që kam botuar në korrik të vitit të kaluar, në katër numra të gazetës “ Panorama”, kushtuar takimit të diktatorit tonë me përfaqësues të  inteligjencies  së  Tiranës,  në korrik të vitit 1961, edhe për probleme të tjera në lëmën e poezisë së asaj periudhe, po e thelloj  dhe më shumë këtë argument.

Për këtë qëllim, do mbështetem gjithashtu edhe në   veprën “Alternativa letrare shqiptare”, (Shkup,1995),  të studiuesit dhe poetit të njohur kosovar, Agim Vinca, kurse  në numrin tjerër të kësaj gazete  do të përpiqem të analizoj  domethënien e titullit të këtyre shënimeve, kushtuar Agollit.

 Midis të tjerash, Vinca  ndalet te  poema “ Miku” e Llazar Siliqit, (1951) dhe permend vargjet e saj: “Me makina punë t’randa,/ata bajnë, si vllazën rrojnë,/ bashkëgazojnë,/si asht ma mirë jëtën e çojnë”.

Këtyre vargjeve Vinca  u kundërvë një fragment nga “Poema e maleve”, (1958), ku autori I ri, Dritëro Agolli, shkruan:” Unë e di, fisi im, ti ende jeton vështirë,/ fëmijët e tu brekushe me arna mbajnë/ dhe çokollata një herë në muaj hanë as’hanë”.

Dhe ja pas Agollit, pikërisht në fillim të viteve 60-të të shekullit të kaluar, u shfaq me aq siguri dhe talent një brez  i ri  ti poetësh, të  paraprirë nga I.Kadareja, F. Arapi, Dh.Qiriazi, V. Skënderi .. të cilët thelluan më tej  shtigjet e reja poetike të hapura për hërë të parë nga Agolli  dhe jo vetëm kaq, por me një stil figurativ edhe më të përkryer, krijuan një traditë të re në poezinë shqitare të Pasçlirimit.

Kështu, për shembull,  Kadareja në poemën  “Endërr industriale” qytetin e ri që po ndërtohet e përshkruan kështu:“ Ky qytet do të veshë kombinezonin proletar,/s’ do të gogësijë duke pirë çaj,/i futur në pizhame”.

Duke shkruar për dashurinë, Kadareja shprehet në këtë mënyrë:”Do të kujtoj, mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,/ dënesën e mbytur,/ rrëzuar mbi supin tim, si dëborë e pashkundshme…”.
Kurse po në këtë peridhë Arapi shkruan: “Miliona dashuri u nisën në takime,/ Po ecin përmbi taka të holla, të shpejta./ Dëgjoni trokëllimën e rrëmbyer të tyre,/ Nën trokëllimën ritmike të këmbëve të lehta,/ Me gëzim të kthjellët, drejt dashurisë rend jeta…”

Pikërisht kjo mënyrë e re, ky stil poetik që befasoi lexuesit, sidomos lexuesit e rinj në fillim të viteve 60-të , nuk u pëlqeu poetëve të brezit të vjetër, të cilët shihnin në këto dukuri, shkarje të dukshme nga traditat e poezisë shqiptare të deriathershme.Ndaj u hodhën në sulm, madje edhe në takimin e mësipërm të korrikut të vitit 1961, pra, në prani të vetë Enver Hoxhës, që kishte ardhur enkas për të dëgjuar  debatet midis “poetëve të vjetër” dhe “poetëve të rinj”, aspekte të të cilit  i ka përshkruar me vërtetësi  poeti F.Arapi në librin e tij “Kur kujtohem që jam’’, (1996).

Kështu, poeti Luan Qafëzezi në diskutimin e tij të ashpër, ndër të tjera, sulej në këtë mënyrë  mbi poeteët e rinj që përdornin” stil të ri figurativ dhe “varg të lirë që thyente normat tradicionale të metrikës nën preteksin e një farë  novatorizmi”:

“ Ne prapa këtij “modernizimi”, shikojmë një një goditje që i bëhet esencës kombëtare të poezisë sonë. Thjesht, në këtë lloj poezie gjen mjegullime, paqartësira, përçartje dhe figura ekstravagante.Tema e saj kryesore është tema  ndërkombëtare, shekulli i 20-të, kozmosi e të tjera, duke u  larguar kështu nga jeta shqiptare e përdidtshme, nga problemet që preokupojnë Partinë në mënyrë direkte”.(Fatos Arapi, “Kur kujtohem që jam”,(“Kur kujtohem që jam”, faqe 73-74-75, 1998).

 Po në atë mbledhje Luan Qafëzezit dhe poetëve të tjerë që u bashkuan në kor kundër poetëve të rinj, me argumente shumë bindëse iu përgjigjën poetët e rinj Kadare dhe Arapi.  Agolli mungonte. Ndërkohë, poeti  M. Gurakuqi, në artikullin “Traditë dhe novatorizëm”, ( ”Drita”,13 dhe 20 gusht 1961),  duke vazhduar sulmtet e poetëve të vjetër, këtë radhë në shtyp, midis të tjerash, shkruante se një pjesë e e poezisë  së autorëve të rinj, ishte e diskutueshme për disa arsye, siç ishte  ajo e reduktimit të figurës si mjet më vete dhe në disa raste e shmangies së saj  nga tradita e poezisë sonë. Atëherë  Dritëroi, aso kohe gazetar në”Zërin e Popullit”,  i përgjigjej M.Gurakuqit me artikullin “Traditëm natyrisht , por jo shtampë”.(“Drita”, 27 gusht 1961).

Në këtë artikull ai nënvizonte se poezia e deriatëhershnme e poetëve të vjetër vuante nga skematizmi, nga varfëria e mjeteve shprehëse, përsëritja, trajtimi i zbehtë i dukurive  jetësore, imitimi i verbër i traditës që përmblidhej në atë që ai e përcaktonte si shtampa poetike, të cilat qarkullonin “si monedha nga një poet tek tjetri e jo rrallë përsëriteshin edhe tek e njejta vepër”. Ai shtonte gjithashtu se shumë nga poetët e vjetër “kishin një konceptim jo realist të jetës, ndërtuar me personazhe të stolisur, me epitete stereotipe  si “kreshnikë, syshqiponjë, trima me fletë, zemërshkëmb, etj., kurse sjelljet dhe reagimet e tyre ideo-emocionale të kujtojnin  heronjtë e baladave të shekullit XV”.

Dhe ky diskutim, krahas disktutimeve të mësiperme të Kadaresë dhe Arapit, që u botuan më pas në revistën “Nëntori “, ishte një ndihmesë e vyer, për të kapërcyer pengesat të cilat i sillnin poetët e vjetër në lëvrimin e një poezie krejtësisht të re, që sillte vetë Agolli krahas poetëve të mësipërm. Sigurisht kjo ndodhi edhe pasi Enver Hoxha në diskutimin e tij i mbështeti ata..

“Të rinjtë me dinamizmin e tyre bëjnë mirë që na shkundin ne të vjetërve,- tha ai.-Prandaj unë nuk besoj kurrë që shkrimtartët dhe artisët e vjetër duan të pengojnë krijimtarinë e të rinjve. Veçse ata, duke pasë kaluar më parë nëpër këto shtigje , kanë frikë se mos nga hovi i madh, ju shkisni  nga rruga…Por unë jam i bindur se ju,  shokë të rinj …nuk do të ecni kurrë në rrugë të gabuar…..(Revista ”Nëntori” nr. 11 , 1961).

Pra, Enver Hoxha në këtë takim përkrahu poetët e rinj, duke përfshirë edhe Agollin,  kryesisht se ai e shihte se ata ishin shumë më të talentuar se poetët e vjetër. Ai kishte nevojë për veprat e tyre, paçka se të shkruara në mënyrë moderniste. Të rinjtë  do t’i duheshin atij që të thurnin vargje  për Partinë,  që do të mbeteshin në letërsine e asaj periudhe , pikërisht falë  talentit të tyre.

Dhe në fakt kështu ndodhi. Poetët tanë të rinj, krahas poezive lirike, intime dhe erotike, do të detyroheshin të shkruanin edhe vepra ku t’i këndohej rrugës heroike të Partisë sonë të lavdishme për ndërtimin e socializmit, “luftës së saj madhështore dhe të guximshme  kundër revizionizmit modern, për ruajtjen e fitoreve të popullit tonë të arritura  nën drejtimin e saj dhe, mbi të gjitha, të atij vetë, si krijues i kësaj partie, i këtyre fitoreve”.

Diktatori nuk gabonte: pas pak vitesh ishin pas poemat “Përse mendohen këto male, ”Shqiponjat fluturonjnë lart”, të Kadaresë, “Devoll,Devoll!”, “Baballarët”, të Dritëro Agollit, “I përkasim komunizmit”, të Fatos Arapit, dhe  më pas të poetëve të tjerë të rinj që iu kushtuan Partisë dhe atij vetë, të cilat edhe sot mbeten në historinë e letërsisë shqipe si ndër më të mirat, pavarësisht nga fryma e ideologjisë komuniste  së cilës poetët e mësipërm nuk mund t’i shmangeshin kurrsesi.

 Këta poetë, pra, në një mënyrë, a në një tjetër, ishin të detyruar  të paguanin këtë haraç.

Ndaj Agim Vinca thekson: “Këtë përkrahje ndaj shkrimtarëve të rinj, Kadareja e shpjegon si një manovër për t’i përvetësuar ata, (poetët e rinj, shënimi im- S.K.) , si një karrem që u hidhej atyre në mënyrë që prej talentit të tyre të përfitonte pastaj regjimi dhe vetë diktatori. Pavarësisht nga paraqitja, sipas Kadaresë, djallëzore që kishte, këtë qëndrim  të shefit të Partisë dhe të shtetit sikurse edhe me klimën liberale që u krijua në fund të viteve 50-të dhe në fillim të viteve 60-të,…shkrimtarët shqiptarë e shfrytëzuan për t’ia ndërruar dukshëm fizionominë, deri atëherë tejet uniforme të  letërsisë shqipe dhe veçanërisht krijimtarisë poetike” . (“Alternativa letrare”, faqe 71).
Ndaj, nuk më duket e arsyeshme që Agolli, Kadareja, Arapi dhe poetë të tjerë të talentuar që u shfaqën pas viteve 70-të shekullit të kaluar, si Xh. Spahiu, B.Londo, N. Gjetja. N. Papleka. F.Reshpja, F.Haliti, N. Lako, M.Ahmeti, Zh. Jorganxhi, I. Zhupa, H.Meçe, K. Traboini e shumë e shumë të tjerë, të sulmohen, meqë  në krijimtarinë e tyre, kush më shumë dhe kush më pak, i thurën lavde partisë dhe shokut Enver. 

Cfarë duhej të bënin? Të mos shkruanin, të heshtnin, siç kishte vepruar Poradeci, që vetëm shumë vjet pas vendosjes së diktaturës komuniste, më 1974, botoi  tri poezi, nga të cilat njërën për heroin Reshit Collaku, edhe ato modeste,  dhe  u mor vetëm me përkthime? Por edhe këtë Poradeci mund të mos e bënte, sepse ai i kishte ngritur vetes një përmendore me vëllimet poetike “Vallja e yjeve dhe “Ylli i zemrës”, të  botuara në vitet 30-të të shekullit të kaluar,  kur Agolli, Kadareja, Arap,i  asokohe   ishin kërthinj dhe poetët që do të vinin, do të lindin në periudhën komuniste.

Eshtë e kuptueshme që ata do t’u nënshtroheshin kërkesave që përmenda  më sipër dhe si pasojë, së pari të shkruanin pra, poezi që i kushtoheshin realitetit “të madhërueshëm socialist” dhe pastaj tek-tuk poezi lirike dhe më pak poezi erotike që do të rendis në pjesën e dytë të këtyre shënimeve , për disa nga të cilat, siç do të shohim më poshtë, autorë, duke filluar nga vetë Agolli, (kryesisht në prozë), Kadareja, Arapi, Haliti …  madje edhe do të kritikohehin, do të ndaloheshin  dhe të tjerë do të dënoheshin edhe me burgime, deri në pushkatim ose varje për gabime tërënda ideo-artistike, shtrëmbërim ose nxirje të realitetit socialist. 

Ndaj, dhe poetit Bilal Xhaferi, kur më 1967 paraqiti në SH.B. ”Naim Frashëri” vëllimin me poezi “Lirishtja e kuqe” ,  redaktori i vari ‘”vath në vesh” porosinë që pa tjetër ta hapte vëllimin me të paktën një poezi për partinë. Dhe Xhaferi  shkroi një poezi që fillonte me vargjet: “Parti,/ emrin tënd të gdhendur e kam ,/ në pëllëmbët e duarve të mia”, të cilat  nënkuptonin  dhe anën tjetër të medaljes. Megjthatë, ky vëllim nuk doli kurrë në qarkullim.

 Bëra kështu  këtë hyrje  të gjatë, kushtuar ndihmesës së Agollit dhe pastaj poetëve të tjerë për  çlirimin e poezisë sonë nga dogmatizmi dhe pasurimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të saj me nivel shumë më të lartë artistik, vazhdim i traditave më të mira të saj,  duke filluar nga Noli, Poradeci dhe sidomos Migjeni,  sidoqë gjithnjë brenda kërkesave të realizmit socialist. Në vazhdim të këtyre shënimeve, në  numrin e ardhshëm të gazetës   të  përpiqem të analizoj domethënien e titullit të tyre, “Agolli- shkrimtar i shquar, por midis të shquarish”.

dritero agolli

dritero agolli

dritero agolli
 
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit