Dritëroi thoshte se dekomunistizimi është huazuar nga intelektualët e Etiopisë…

Dritëroi thoshte se dekomunistizimi është huazuar nga intelektualët e Etiopisë…

Dritëro Agolli

Duke dëgjuar në TV një nga të shumtat marrëzi të radhës (nuk do të kenë askurrëherë fund mesa duket thagmat e çdo epoke e sistemi në Shqipëri), m’u kujtua “Etiopianët shqiptarë “, përkufizim aq i goditur i Dritëroit për këtë racë intelektualësh, mendjendriturish radikalë shqiptarë, që kanë 25 vjet që përsërisin të njëjtin avaz( ndoshta fare pak të modifikuar, pasi tanimë nuk kërkojnë anatenim absolut, por njëfarë vulosje, damkosje të veprave letrare të krijuara gjatë sistemit komunist me shënime të formuluara nga kritikë e ekspertë te gjithëditur të epokës së tashme demokratike). Ja çfarë thotë Dritëroi për etiopianët shqiptarë:  “Letërsia dhe në përgjithësi kultura e krijuar dhe e formuar në këtë gjysmë shekulli -(shkrimi është i vitit 1995- )tani mallkohet dhe hidhet poshtë përmes artikujve të shumë gazetave dhe përmes diskutimeve nihiliste të mjaft njerëzve që kanë marrë pamjen e intelektualëve të qëruar. Madje shkohet dhe më larg . Sipas tyre edhe gjuha e njësuar qenkësh pjellë e regjimit dhe u dashka zëvendësuar .

Ky është një mendim i huazuar nga intelektualët e Etiopisë. Në Etiopi në kohën e diktaturës së Halije Salasjesë, deri më 1974, përdorej gjuha ahmarike. Pas rënies së dinastisë, disa intelektualë, gazetarë e shkrimtarë abisinezë filluan të shajnë nëpër gazeta gjuhën ahmarike, pasi me këtë paska folur diktatori dhe duhej zëvendësuar me dialekt tjetër. Edhe letërsia duhej zëvendësuar, pasi ishte krijuar në kohën e dinastisë diktatoriale. Abisinezët shquhen për disa intelektualë mendjendritur, modernë, si shquhemi edhe ne! Këta intelektualë u përpoqën shumë, shanë sa mundën nëpër gazeta, por nuk ia dolën mbanë. Gjuha ahmarike në Etiopi nuk u zëvendësua. Etiopianët edhe sot me këtë gjuhë flasin dhe e çmojnë letërsinë e krijuar edhe më parë . 
Etiopianët tanë po i vazhdojnë kërkimet e lëna përgjysmë nga vëllezërit e tyre abisinezë, duke ngulur këmbë në zëvendësimin e gjuhës së njësuar dhe letërsisë së krijuar në këtë pesëdhjetëvjeçar.”

Dhe vijon:- Por a po seleksionohet ky gjysmë shekulli letrar? Doemos ai po seleksionohet me shpejtësi. Ai ishte për t’u seleksionuar. Koha me shoshën e madhe në dorë, do ta seleksiononte edhe sikur mos kishin ardhur kaq shpejt proceset demokratike. Ne që disa vjet më parë, që në kohën e monizmit kishim filluar t’i harronim shumicën e veprave skematike. Me lindjen e demokracisë shosha shpejtoi me rrëmbim shoshitjen, pasi shkriu nga akujt mendimin. Vetë shkrimtarët me vetëdije të lartë krijuese e dinë dhe e kuptojnë se ç’vepra u mbeten, si vëllime dhe si radhë linotipi. Shosha e kohës vazhdon të shoshitë. Asnjë individ nuk mund ta shpejtojë ose ta ndalojë këtë shoshitje. Letërsisë, një, dy, dhjetë apo njëqind individë nuk kanë ç’t’i bëjnë, nuk e hedhin dot poshtë.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD: Qeveria i jep 20 mln euro AlbControl për ta mbajtur në këmbë, Becchetti u zbrazi llogaritë

PD: Qeveria i jep 20 mln euro AlbControl për ta mbajtur në këmbë, Becchetti u zbrazi llogaritë