Shoqata Aksion Plus, themeluar në 1993, tashmë funksionon si një qendër shumë-funksionale për edukimin e të rinjve për parandalimin e HIV/AIDS, droga, shëndeti riprodhues, dhe probleme të tjera që lidhen me të rinjtë dhe specifikat e tyre. Projekti “Psikologu dhe punonjësi social në shkollat e mesme” është iniciuar nga Aksion Plus që nga viti 2000, dhe tani po zbatohet nga Ministria juaj si një model i suksesshëm për të rinjtë.

Ndërhyrje të tjera me ministritë e linjës, kanë rezultuar po aq të dobishme dhe pozitive. Duke pasur parasysh që të rinjtë, përveç se të marrin mësimet standarde dhe njohuri akademike, kanë shumë nevojë për t’u edukuar për aftësitë për jetën, se si të përballojnë stresin/problemet e tyre, si të ulin dhe të shmangin rreziqet ndaj të cilave ekspozohen, si dhe kur duhet të bëjnë zgjedhjen e duhur, si të shohin drejt të ardhmes me këmbët në të tashmen, si të ndërveprojnë me njëri-tjetrin në mënyrë konstruktive, si të jenë në paqe me veten dhe të tjerët, por dhe ne funksion të shëndetit të tyre holistik, qendra jonë gjithashtu ofron ekspertizë dhe mbështetje edhe për tematika si:
 
1-      Mendimi pozitiv dhe edukimi  tërësor nëpërmjet Jogës dhe meditimit
2-      Muzika Rock, poezia dhe fryma e lirisë që përcjell tek të rinjtë.
 
Besojmë se tre tematikat bazike që përmendëm kanë një ndikim madhor në jetën e të rinjve, duke u ofruar në përqasjen e duhur. Por jo vetëm në këtë rrafsh – dhe Rilindja apo transformimi i vërtetë i një kombi fillon te njerëzit/individët që do t’i ndërmarrin dhe zbatojnë këto transformime.
 
Ne besojmë se transformimi i vërtetë fillon nga brenda, nga mendja, shpirti dhe pastaj del dhe vepron jashtë nesh. Ashtu si poeti W. Blake, apo Walt Whitman shikonin një “botë apo univers në një kokrrizë rëre apo fije bari”, dhe ne besojmë se botët e brendshme dhe të pasura të të rinjve mund të ‘shpërthehen’ për të zbuluar territore të reja, të pakufishme, shpresë-dhënëse për të ardhmen. Pa ide, qëllime dhe objektiva afat-gjata, çdo reformë apo ndryshim nuk përparon.

Për temën e parë Aksion Plus ka persona të trajnuar dhe certifikuar, si dhe janë prezantuar në teknikat e meditimit më shumë se 600 persona,  ndërsa për temën e dytë, ajo që mund të themi është se në kurrikulën e shkollave të mesme, libri i Gjuhë-Letërsisë, 12, Botimet shkollore “Albas”, janë përfshirë katër faqe për Poezinë dhe muzikën Rock, që ne e shohim si një hap pozitiv. Edukimi muzikor është shumë i ndërlidhur dhe me temat e tjera të përmendura, sidomos kur bëhet fjalë për promovimin e paqes dhe dashurisë, në vend të një mënyre sjelljeje të jetës me drogë dhe seks në aspektin destruktiv.

Shpresojmë që mësuesit t’i japin rëndësinë e duhur, si një mjet për të edukuar të rinjtë, por dhe duke vënë theksin në aspektin zbavitës të mësim-dhënies dhe të nxënies. Jo vetëm nxënësit dhe studentët kanë nevojë të prezantohen me tema të tilla, por dhe mësuesit kanë nevojë ta zgjerojnë horizontin e tyre, të njohin mirë drogat dhe efektet e tyre, të gjejnë mënyrën e duhur se si ta adresojnë problemin në bashkëpunim me te gjithë aktorët e interesuar, dhe ta shohin realitetin e të rinjve nga një këndvështrim tjetër, të shëndetshëm, më dinamik dhe modern.

Aksion Plus ftohet shpesh për të lektruar në shkollat e mesme, si dhe nga Fakultetet apo Universitetet e ndryshme, për temat e drogës AIDS, të drejtat e njeriut, ligjeve dhe politikave për të rinjtë, së fundmi dhe për Jogën apo meditimin, por besojmë se një bashkëpunim më i qëndrueshëm dhe institucional do të ishte shumë më i vlefshëm.
Gjithashtu besojmë se vizioni dhe aspirata për një të ardhme më të mirë për ne dhe fëmijët tanë, është i mundur dhe ne jemi të gatshëm që të japim kontributin tonë, sicc kemi bërë deri tani, me pak ose aspak mbështetje.
 
Siguria, mbi të gjitha.
Metoda që bazohet në realitet, dhe që Aksion Plus zbaton me të rinjtë e shkollave të mesme për parandalimin e përdorimit të drogës, dhe edukimin seksual në lidhje me seksin më të sigurtë.
Studimet tregojnë se pavarësisht këshillave dhe paralajmërimeve tona për të mos e provuar drogën, një numër i madh adoleshentësh  do të eksperimentojnë rastësisht me substanca të dëmshme, apo do të përdorin rregullisht droga të tjera, përfshirë dhe alkoolin. Kjo nuk do të thotë që ata janë fëmijë të këqinj. Realiteti tregon se droga është pjesë e kulturës së adoleshentëve sot. Mbajtja e të rinjve sa më të sigurt do të jetë prioriteti ynë kryesor. Për t’i mbrojtur ata, do të na hyjë në punë një mënyrë me bazë realitetin, që do t’i aftësojë të rinjtë për të marrë vendime më të përgjegjshme lidhur me:
·         sigurimin e informacioneve të ndershme dhe me bazë shkencore,
·         përdorimin me maturi, nëse eksperimentimi i të rinjve bëhet i vazhdueshëm
·         kuptimin ligjor dhe social për pasojat.

*Drejtor Ekzekutiv i shoqatës Aksion Plus