Taktikat e luftës hibride u përdorën në shkallë të gjerë nga Rusia me nisjen e pushtimit të Ukrainës në vitin 2022 dhe më pas u adoptuan edhe nga Shtetet e Bashkuara, Irani dhe Izraeli. Ato krijojnë kërcënime më të paqarta dhe nuk kërkojnë domosdoshmërisht një përgjigje të menjëhershme.
Lufta hibride është një koncept shumë i gjerë, që zgjerohet sipas rrethanave dhe nuk njeh kufij të përcaktuar. Rusët nisën ta përdorin atë në shkallë të gjerë paralelisht me pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022, megjithëse episode të kësaj natyre janë regjistruar edhe shumë kohë përpara atij vendimi dramatik. U krijua kështu një hapësirë në të cilën u përfshinë edhe ukrainasit, ndërsa më pas kemi parë taktika të ngjashme edhe në përplasjen mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Sulmi hibrid zhvillohet në disa nivele.
Një prej tyre është inkursioni me dronë, të cilët jo gjithmonë mund të identifikohen me siguri. Me këto goditje mund të shkaktosh dëme, të krijosh alarm dhe, mbi të gjitha, të ngresh pikëpyetje mbi autorin e sulmit. Ai që kontrollon dronin mund të vendosë nëse do të shkaktojë një shpërthim apo thjesht të demonstrojë se është në gjendje të arrijë deri te objektivi. Në raste të caktuara synimi është pikërisht provokimi, veçanërisht kur incidente të tilla përsëriten në seri dhe në vende të ndryshme.
Më pas është opsioni i sabotimit, i cili u besohet specialistëve, por gjithnjë e më shpesh edhe mercenarëve që nuk kërkojnë pagesa veçanërisht të larta nga porositësit e tyre. Janë njerëz që drejtohen nga distanca dhe paguhen me kriptovaluta.
Tashmë janë të shumta rastet e shkatërrimeve apo incidenteve në fabrika dhe depo municionesh në Perëndim, struktura që mbështesin përpjekjet luftarake të Kievit. Rasti më i fundit është regjistruar vetëm pak ditë më parë në Poloni, ndërsa episode të ngjashme kanë ndodhur në Evropën Lindore shumë vite më parë.
Në këtë skenar hyjnë drejtpërdrejt edhe spiunët. Ata menaxhojnë rrjete personash të rekrutuar dhe angazhojnë të ashtuquajturit agjentë të “ndikimit”. Këtyre të fundit u besohen misione në terren, fushata dezinformimi apo veprime të projektuara për të shkaktuar polemika dhe tensione të brendshme në vendet që konsiderohen armiqësore.
Në këtë kuadër futen raste të tilla si vendosja e kokave të derrave përpara xhamive në Francë, përdhosja e monumenteve kushtuar viktimave të Holokaustit, por edhe përhapja e informacioneve të rreme, të cilat mund të përdoren për të tronditur shoqëritë.
Nga kjo pikëpamje, është e lehtë të shfrytëzohen tema të ndjeshme si emigracioni, rreziku i terrorizmit apo frika nga kriminaliteti. Gjithçka mund të përdoret dhe gjithçka kontribuon në shtimin e konfuzionit.
Nëse konsiderohet e nevojshme, mund të përdoret edhe vrasja, për të eliminuar një kundërshtar, një person në mërgim apo një zë kritik. Po aq efektive mund të jetë ndërhyrja e hakerëve, të aftë të depërtojnë në sisteme dhe të kryejnë sulme kibernetike që mund të kenë pasoja të rënda.
Beteja zhvillohet në tokë, por përfshin gjithashtu sektorin detar, me kabllo të këputura dhe anije me aktivitete të dyshimta, si dhe rrjetin e gjerë të infrastrukturës nënujore, nga gazsjellësit deri te linjat e komunikimit.
Lufta hibride mund të krijojë gjithashtu probleme serioze për transportin ajror dhe ka nxjerrë në pah dobësitë e transportit të mallrave. Në të paktën tre incidente të këtij lloji, përgjegjësia i është atribuar Moskës.
Por, siç u tha më sipër, shumë aktorë veprojnë në këtë “zonë gri”.
Izraelitët kanë ushtruar presion ndaj iranianëve duke përdorur prej vitesh secilën prej këtyre metodave. Teherani ka vepruar në mënyrë të ngjashme, duke ndjekur objektiva deri në Evropë.
Ukrainasit, nga ana tjetër, kanë vënë në shënjestër cisternat e të ashtuquajturës “flotë hije” nga Afrika deri në Mesdhe, ndërsa shërbimet e tyre – ose të paktën një pjesë e tyre – konsiderohen përgjegjëse për shpërthimet në gazsjellësin Nord Stream. Po kështu, operacionet ukrainase kanë eliminuar edhe figura ruse të nivelit të lartë.
Është një realitet që shpesh mbetet i paqartë. Një sulm mund të denoncohet hapur, duke identifikuar autorin dhe duke e akuzuar drejtpërdrejt. Por ekziston edhe mundësia për të marrë kohë, si për të zhvilluar hetimet, ashtu edhe për të vlerësuar reagimin më të përshtatshëm.
Vendosja e një mekanizmi që imponon një përgjigje të menjëhershme ndaj çdo sulmi hibrid mbart një rrezik të madh: mund ta shndërrojë një përplasje në “zonën gri” në një luftë të vërtetë./CorrieredellaSera











Komente
Komento