Dronët shkatërrimtarë ‘konkurrojnë’ për të mbizotëruar qiejt e Ukrainës

Dronët shkatërrimtarë ‘konkurrojnë’ për të mbizotëruar qiejt e Ukrainës

Pjesë nga një dron Shahed i rrëzuar (13 shtator 2022)

Ata janë tejet të saktë në goditjen e objektivit, kanë përmasa të vogla dhe mund të godasin në grupe të mëdha. Mbi të gjitha, nuk kanë kosto të lartë. Në sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, dronët kanë konsoliduar reputacionin e një arme të fuqishme, të vështirë për t’u ndalur dhe me kosto të leverdishme. Ata mund të diktojnë dhe shkatërrojnë objektivat, duke përhapur njëkohësisht panik në radhët e ushtarëve dhe civilëve.

Dronët po zëvendësojnë me shpejtësi raketat, si armët më të preferuara, pasi mund të dislokohen në fushëbetejë në numra më të shumtë dhe me më pak kosto. Fushata e Rusisë me dërgimin e valëve të njëpasnjëshme në Ukrainë të dronëve të prodhimit iranian Shahed ka disa synime – të eliminojnë objektivat kryesore, të godasin moralin dhe rrjedhimisht të varfërojnë arsenalin ushtarak të Ukrainës dhe në veçanti armatimin mbrojtës, ndërsa konflikti shndërrohet në një luftë të zgjatur.

SI FUNKSIONOJNË DRONËT?

Dronët Shahed, të cilëve Rusia u ka vënë emrin Geran-2, janë të ngarkuar me eksploziv dhe të programuar të qëndrojnë në ajër derisa të përplasen mbi objektiv – të ngjashëm me pilotët kamikazë të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, që përplasnin avionët e tyre të ngarkuar me eksploziv mbi anijet dhe aeroplanmbajtëset amerikane gjatë luftës në Paqësor.

Sipas faqes ukrainase në internet Defense Express, e cila citon të dhënat e iranianëve, droni Shahed me krahët në formë trekëndore është 3.5 metra i gjatë, mbi 2.5 metra i gjerë dhe peshon rreth 200 kilogramë. Motori i dronit prej 50 kuajsh fuqi arrin një shpejtësi maksimale prej 185 kilometrash në orë, dhe ka një rreze deri në 2500 kilometra. Avantazhi i kësaj teknologjie të re është i dukshëm – nuk ka nevojë që të sakrifikohet personeli i mirëpërgatitur dhe as nuk duhen shpenzuar fonde të mëdha për të prodhuar avionë të sofistikuar që mund të arrijnë tek objektivi.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se në sulmin e së hënës ndaj kryeqytetit, 28 dronë goditën me valë të njëpasnjëshme. Aftësia për të dislokuar njohësisht mjete të tillë fluturues në numra të mëdhenj mund të mbingarkojë sistemet mbrojtëse, në veçanti në zonat e civilëve.

Por, sipas Mykola Bielieskov, studiues në Institutin Kombëtar të Ukrainës për Studime Strategjike, droni Shahed mbart vetëm 40 kilogramë eksploziv, që është shumë pak krahasuar me ngarkesën prej 480 kg eksploziv që mund të mbartë një raketë konvencionale.

“Është e vështirë të godasësh objektiva të rëndësishme me dronë të tillë”, thotë zoti Bielieskov.

GODITJE E VOGËL, POR EDHE ME KOSTO TË VOGËL

Me një kosto prej 20 mijë dollarësh, droni Shahed kushton sa një pjesëz e vogël e kostos së një rakete konvencionale. Për shembull, raketat ruse Kalibr, që u përdorën gjerësisht gjatë tetë muajve të luftës, i kushtojnë ushtrisë ruse rreth 1 milion dollarë për secilën.

Me një kosto kaq të ulët, droni Shahed mund të dislokohet në numra të shumtë për të mbizotëruar ndaj objektivit, qoftë ky një depo karburanti, infrastrukturë, apo rrjete furnizimi me energji dhe ujë.

Me gjithë përmasat e vogla, ngarkesa me eksploziv e dronëve Shahed duket se mjafton për të shkaktuar dëm. Gjatë sulmeve të së hënës, një dron goditi një qendër operacionale, një tjetër u përplas ndaj një godine pesëkatëshe banimi, duke hapur një të çarë të madhe dhe duke shembur tre apartamente njëri mbi tjetrin, dhe duke shkaktuar kështu tre viktima.

Zoti Bielieskov thotë se ushtria ruse ka zgjedhur të përdorë dronët Shahed ndaj objektivave civile dhe jo në fushëbetejë, ku forcat ukrainase “kanë mësuar si t’i luftojnë me efektshmëri”, dhe kanë arritur të rrëzojnë mbi gjysmat e tyre.

Ndërsa nuk po duket një fund i afërm për luftën, barra financiare e konfliktit do të rëndojë gjithnjë e më shumë ndaj Moskës, e cila nuk po ndihmohet me dërgesa armatimesh prej miliarda dollarësh, siç po ndihmon Perëndimi Ukrainën. Ndërsa konflikti po shndërrohet në një konflikt të zgjatur – ku fituese del pala që mund të përballojë më gjatë kostot njerëzore, materiale dhe financiare – gjetja e armëve më të lira por ende të fuqishme, do të jetë thelbësore. Për Moskën, dronët Shahed duket se janë një alternativë e tillë.

“Shahed-136 është versioni i lirë i një rakete të vetëdrejtuar, që Rusia mundet ta prodhojë me shpejtësi”, thotë zoti Beilieskov.

Zyrtarët rusë nuk kanë publikuar të dhëna për numrin e raketave të lëshuara gjatë konfliktit, por ministri ukrainas i mbrojtjes tha rishtazi se Rusia ka përdorur pjesën më të madhe të arsenalit të saj të raketave me perpikmeri të lartë – që ishin 1844 në fillimet e sulmit dhe që deri në mesin e tetorit arriti në 609.

NJË LUFTË NERVASH

Gumëzhima bezdisëse e motorëve të dronëve Shahed, që ukrainasit i kanë quajtur “triçikla”, ka efekt paniku tek personat që gjenden në trajektoren e tyre. Kjo zhurmë vetëm sa e shton ankthin dhe dëmton moralin e të gjithë njerëzve në trajektoren e tij, që nuk dinë se kur dhe ku do të godasë saktësisht kjo armë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përmendi elementin terrorizues të dronëve duke shkruajtur në mediat sociale: “Gjatë gjithë natës dhe gjatë gjithë mëngjesit, armiku terrorizon popullsinë civile. Dronët kamikazë dhe raketat po sulmojnë në mbarë Ukrainën”.

Zoti Bielieskov pranon se dronët Shahed kanë shkaktuar frikën në radhët e popullsisë se sistemet mbrojtës të Ukrainës nuk janë të mjaftueshme kundër këtij rreziku. Por, ai thotë se përdorimi i tyre, qoftë edhe në numra të shumtë, nuk mjafton për të zhbërë arritjet e Ukrainës në fushëbetejë.

Armët terrorizuese në qiell nuk janë një gjë e re. Gjermania naziste i përdori këto lloj armësh në formën e bombës fluturues V-1, të mbiquajtura “bombat gumëzhitëse”, që ishin edhe prototipi më i hershëm i raketave në formën e një mjeti fluturues që godiste qytetet britanike.

Tetë dekada më vonë, droni shumë më i vogël Shahed mund të drejtohet për tek objektivi me një kosto shumë më të ulët, duke u dhënë kështu mundësinë forcave ruse që të përdorin shumë më tepër dronë se 9500 “bombat gumëzhitëse” që Gjermania naziste lëshoi ndaj Britanisë./ VOA

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu