Dua një puthje për Shën Valentin

Dua një puthje për Shën Valentin
Nuk ka rëndësi nëse janë pleq, fëmijë, gra të martuara a të divorcuara, janë meshkuj të papunë a gardistë militantë, vajza virgjëresha a të shpartalluara, romë a mirditorë, tropojanë a vlonjatë, milionerë a studentë blloku, lypësa apo aktore teatri… dua që gjithkush të më puthë e ta puth.
Jam duke dalë rrugëve të Tiranës. Kam ardhur enkas nga Përmeti im me një tufë trëndafilash të kuq. Janë gonxhe të paçelura dimri, por aromën e kanë porsi në maj. Kam ardhur të shëtis rrugëve të Tiranës e të takohem me njerëzit këtu, këtu ku kryqëzohen damarët dhe venat e vendit, këtu ku pas çdo përplasje titanësh a xhuxhash çlirohet më shumë nxehtësi e energji. Kam ardhur këtu të takohem e përshëndetem me njerëzit në ditën e dashurisë, këtu në qytetin ku mpleksen harbutshëm dashuria me urrejtjen dhe çlirohet aq shumë energji negative sa turbinat e Komanit dhe Fierzës do të shpartalloheshin fare.
Rrugëve po dal. Po eci më këmbë të përshëndetem e prekem me njerëzit, t’i dhuroj gjithkujt një trëndafil. T’i uroj për festën e si shkëmbim dua të më falin një puthje.

***

Nuk ka rëndësi nëse janë pleq, fëmijë, gra të martuara a të divorcuara, janë meshkuj të papunë a gardistë militantë, vajza virgjëresha a të shpartalluara, romë a mirditorë, tropojanë a vlonjatë, milionerë a studentë blloku, lypësa apo aktore teatri… dua që gjithkush të më puthë e ta puth. Le të më puthin në faqe, buzë, ballë, gushë, veshë kudo le të më puthin mjafton që të përshkëndihet pakëz dashuri e pastër. Dua ta përjetoj ndryshe këtë Shën Valentin në kryeqytetin e vendit me rritjen më të madhe të kurbës ekonomike, por me uljen më të madhe të kurbës së dashurisë mes veti.
Jam rrugëve dhe po eci mes qendrës së kryeqytetit, dua t’i shkoj afër legjendarit Skënderbe, i derdhur në bronz e t’i përulem në shenjë respekti e dashurie për çka bëri për këtë vend. Dua t’i vendos një nga trëndafilat e mi poshtë statujës hijerëndë, por nuk mundem t’i afrohem. Rrethimi model lines që kryebashkiaku i ri i ka bërë heroit tim nuk më lejon aspak t’i afrohem. Na kanë larguar si me porosi për t’iu mos afruar korifeut dhe shenjtorit të lirisë sepse rezonancat e dashurisë dhe respektit që furfurojnë mes Kastriotit dhe shqiptarëve ndoshta përflakin kopukizmin e këtij regjimi të regjur që na e rogji tjetërsimin.
Eci me trëndafilat e mi drejt bulevardit të madh e ndaloj për një çast. Jam në udhëkryq mes institucioneve të kësaj republike e nuk di nga ta filloj. Ku të shkoj si fillim të çoj trëndafilat e mi të kuq e të më puthin fort, fort?
Në bashki ku sundon terrori dhe dyert hapen vetën për militantë?
Në bashkinë e vjedhur ku po transformohen e vidhen edhe bojërat e mureve dhe sifonët e haleve?
Në bashki të shkoj unë, t’i fal trëndafilin e kuq Lul Bashës e ky të më japë mua puthje?
Po çfarë është puthja leje ndërtimi, tender unaze, licencë transporti, kazan plehrash?
Nuk e dua nga njeriu që nuk ua fal puthjet familjarëve të tij, por puth e jargavoset me kryedylberin e qeverisë.
Nuk dua puthje nga vrasësi sepse më mbetet si matrikull turpi mbi lëkurën time.
Tentoj të futem në Ministrinë e Ekonmisë por më ndalojnë. Më kontrollojnë gonxhet sepse mes tyre mos ndoshta kam fshehur kamera, m’i prishën gonxhet ua shkoqën petalet. Po iki, harbutëria e njerëzve aty më ndjell pështirosje ndaj nuk e meritojnë dashurinë time. As te komshiu përballë i Nasip Naços, te komshiu i tij ky bujku Genc Ruli nuk po iki. Nuk dua të shkoj ta takoj e puthemi sepse edhe trëndafilave do u mbetet qejfi. I shikoj tek rënkojnë e ulin kokën, nuk meritojnë trëndafilat e bukur t’i ofrohen një shëmtie të plakur.
Ndanë bulevardit në krah të majtë, komshiu i gjeneralit Arben Imami, nishani i antikrimit dhe i policisë e meriton një trëndafil dhe një puthje. E meriton sepse rraskapitet trefish për tu treguar korrekt me shëndetin e tij, sigurinë e qytetarëve dhe servilizmin e sforcuar ndaj eprorit të tij. E meriton pak dashuri Bujari këto kohë të trazuara vrasjesh e moti të ftohtë të ngrohet pakëz, t’i ngrohet fyti dhe mendja sa për të mos këputur broçkullat e radhës për Shqipërinë vendi më i sigurt në rajon.
Te ministria e Mbrojtes nuk po iki se aty kutërbon ende era e barutit dhe predhave të Gërdecit. Kam frikë se më thahen trëndafilat.
Eci mes makinave, njerëzve, trafikut të rënduar të “Dëshmorëve të Kombit”. Vetja më duket si Bruce Springsteen rrugëve të Filadelfias e ndërkohë këmbët më ndalojnë vetë.
Çfarë të bëj?
Majtas kam zyrën e të djathtit Berishë e djathtas kam zyrën e theçeristes shkodrane Topalli Çoba. Ku të shkoj, ku të mbyten, ku ta bëj si fillim qokën e Shën Valentinit?
Të shkoj te Doktori rrezik do bëhem për doktor. Nuk mundem të ngjitem atje lart në zyrën e tij e të shikoj korridoreve fytyrat e trembura të urryera të besnikëve gardistë. Jam në dilemë nëse e meritojnë pak dashuri dhe këta të gjorë? Lulet i trembin këta horra sepse nuk janë mësuar me të bukurën, puthjet po ua kursej se duken që vijnë prej vatrash aspak të ngrohta, më duken bosh pa dashuri brenda. Sytë dhe shpirti u janë tharë se kanë kohë që nuk koen me dashuri e respekt, mësohen harbutshëm si të dhunojnë e vrasin kundërshtarin sepse kanë frikë nga fikja e pushtetit të tyre. U fiket pushteti, u fiket fuqia, e fiken si pacientë të një doktori pacient.
Shko te Jozi më thoni ju, se është femër dhe meriton pak dashuri?
Dua të shkoj se e kam dashur pa masë. E doja sepse më dukej si gonxhe e brishtë, e bukur. Shndriste plot vesë si në bahçet e Dugajve po shpejt çeli e u tha. U vyshk se ndenji gjatë në saksinë e doktorit dhe u përzje me lule të tjera artificiale pa vesë, me xixa kineze spërkatur. Të shkoj? Jam në dilemë dhe frigohem, e kush më garanton se në vend të puthjes më ngul një të kafshuar? E kam parë çdo të enjte kur vërsulet dhe kafshon egërsisht opozitën në parlament, nuk shkoj ta uroj. Jam djalë beqar e më dhimbset vetja.
Vazhdoj të eci majtas në një nga rrugët që dua më shumë në Tiranë. Po ngjitem andej nga Liceu Artistik po si mace e zezë rrugën ma pret Petriti. Petriti drejtori i TVSH-së, Petrit Beci për televizionin e të cilit paguajmë çdo muaj 1000 lekë e na transmeton monstruozitete që vetëm përçajnë këtë vend e këtë njerëzi.
-Merre, i bërtas. Merre Petrit Beci një trëndafil të kuq Përmeti dhe gëzuar Valentinin o ditëzi. Gëzuar dhe pak, vetëm pak dashuri mbill nga ekrani yt, nga ekrani i të gjithëve.
Ndërroj mendje dhe marr rrugën majtas e më pas kthehem djathtas. Po hyj në rrugicën “Mustafa Matohiti” qoshka ku prodhohet më pak dashuri në këtë kryeqytet. Si për koincidencë ndodhen përballë njëra-tjetrës selia shqiptare e Ahmadinexhadit pers dhe shtëpia e Ahmedinaxhadit dardan. Kaloj duke bërtitur si tregtar venedikas që të tërheq vëmendjen:
-Hajde trëndafila të kuq, hajde dashuri. U fal një trëndafil,më dhuroni një puthje… Hajde dashuri!
Reagimet janë të papara. Rojet e ambasadës iraniane struken të fshehur. Ndërsa njerzit dalin nga kafenetë aty poshtë e shohin të habitur e qeshin. Më afrohen, më puthin, marrin lulet, shkëmbejmë numrat e celularëve, shkelim ndonjë sy.
-Hajde dashuri dhe trëndafila, vetëm puthje duam, jo lekë!
Ndërkohë nga një prej ballkoneve të katit të katërt shfaqet Lili e fëmijëve autistë. Më admiron që larg e më fton:
-Eja edhe tek ne këtu brenda. Jepna dhe ne një trëndafil Përmeti. Burri im i ka debolesë!
-Jooooooooooo! -vjen si uragan përgjigja e kalimtarëve
Joooooooooooo! mos u ngjit atje sipër. Nuk meriton dashuri dhe trëndafila ajo familje. Mos e ndy fytyrën me puthjet e tyre. I kemi dashur, puthur, votuar, respektuar qysh nga 1992 katër herë dhe nuk na e kanë kthyer mbrapsht respektin dhe dashurinë. Na grisën edhe astarët e xhepave, na grisën edhe cipën si racë.
Largohem mes revoltës së njerëzve e marr në të djathtë. Ngjitem rrugës së Elbasanit të shpërndaj trëndafilat e fundit. Te ambasada amerikane e kam të vështirë. Mur i lartë, roje, burokraci, kërkesa aplikimi për takime,kontrolle gjithandej. Nuk pres dot, e vërvis përtej mureve një trëndafil të kuq lidhur me një fashetë të bardhë ku kam shkruar “We, the albanians double love America because of FBI!”
Le ta mbyll shëtitjen time të dashurisë në qytezën ku rilindi dashuria dhe shpresa. Dua të takoj e puthem me studentë e studente sepse atje patjetër do të gjej energji. Atje ka aventura, libra, alkool, fukarallëk, menca, facebook, seks, debate, ëndrra për të ardhmen… Dua të futem në çdo godinë e dhomë pa paguar nëndorë rojet e kujdestarët me dy mijë lekësha.
Mos, u zhgënjeva edhe këtu. Nuk paska rënë dëborë shkurti, por thjesht ky campus studentor qenka mbuluar nga tisi i makiatove, cigareve të hapura, llotove dhe dembelizmit.
Nuk ia vlen. Më kot pretendova se do zbuloja të nesërmen e kthjellët të vendit tim.

2./Pa shpenzime
Ku ta mbyll aventurën time?
Tirana më zhgënjeu. Po eci drejt lindjes, po dal jashtë qytetit.
Jo, jo të gjitha rrugët të çojnë te TEG-u i Samirit, unë kthehem djathtas. Më mirë nga liqeni dhe relaksohem vetëm.
Më mirë nga liqeni dhe masturboj shkurreve pa gjethe të këtij dimri sesa të festoj një Shën Valentin në një metropol pa dashuri.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve