Po, po. Duam qeverinë e Flamur Nokës. Si në një orë leksioni të para 13 vjetëve kur isha auditoreve të fakultetit të gazetarisë, këtë fakt m’a konfirmoi edhe deputeti i PD, Mark Marku disa javë më parë, (ndjesë pastë mandati i deputetit se Marku me shëndet është shumë mirë dhe në formë për të bërë platformën). Nuk kishte shumë nevojë të na e thoshte një deputet i PD se cili ishte qeveritari që u vendos në krye të strukturave të
Ministrisë së Brendshme. Të jemi të qartë që në fillim: një ish-student që e filloi fakultetin e Mjekësisë në vitin 1991 dhe që i përfundoi studimet e larta me gjithë specializim në vitin 2007, pra plot pas 16 vetësh, nuk mund t’ia bëjë rrupsup krimit në Shqipëri. Sepse nuk kishte vullnet, ndoshta edhe për shkak të impenjimeve të veta, të mbaronte studimet e larta të mjekësisë, dhe jo më, t’i japë fund një varg çështjesh e konfliktesh të
hapura varfërie, urrejtjeje, hakmarrjeje, shkeljeje të ligjit, konfliktesh, çështje vije uji, çështje xhelozie, çështje vunerabël, nga kurvlliku deri te krimi i organizuar. E pra, këtë lloj ministri e këtë lloj drejtimi të ministrisë së brendshme pranuan gjithë shqiptarët. Të cilët u tallën e me shpoti në tavolina politikanësh e policësh, tregonin barcaleta për figurën e Flamur Nokës. Po Flamur Noka, është heroi i luftës së heshtur me të gjithë ata që e  anatemuan, apo viktima e radhës e një regjimi prej të cilit krimi nuk ka më frikë? Më duket më shumë si një viktimë, që u gjend në vendin e gabuar, në momentin e gabuar, i paaftë të marrë vendime e për më tepër, i paaftë të kundërshtojë ndokënd. I paaftë të marrë stilolapsin dhe të firmosë shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, apo të nëndrejtorit, apo t’i thotë Berishës se pas kaq rastesh vrasjeje me plan e pa plan, kjo polici ka dështuar. I paaftë t’i thotë Berishës se shteti dhe policia nuk mbahen me militantë partiakë, por me njerëz profesionistë që sot enden rrugëve pa një vend pune. Flamur Noka është i paaftë të luftojë krimin që ka marrë zemër, dhe nuk bëhet fjalë vetëm për krimin e organizuar, por edhe atë më ordinerin. Sepse Flamur Noka po përdoret në atë vend pune shumë të rëndësishëm për këtë Shqipëri të shkalafitur ku makinat me xhama të zinj dhe pa targa bëjnë ligjin, për të përgatitur një terren tjetër më të rëndësishëm: atë të militantëve të zgjedhjeve të vitit 2013. I paaftë t’a bëjë gjithë këtë punë, sepse edhe ai vetë nuk është ndonjë profesionist, është thjesht një militant.
E ndërkohë që ekranet e televizionit jepnin sekuencat e varrimit të Dëshmorit të Atdheut, komisar Adem Tahirajt, në Shqipëri, ndodhi një tjetër vrasje me armë.
Kriminelët e organizuar, dhe ata që kanë marrë hovin e madh për t’u bërë kriminel, nuk e kanë asfare frikë Flamur Nokën. As drejtorin e policisë Hysni Burgaj. Nuk kanë frikë as qeverinë. Dhe ka një llogjikë, ne e zgjodhëm këtë realitet që të kishim këta drejtues policie në krye të vendit, nuk i ka zgjedhur Berisha. U ndjeva keq dje pasdite tek shihja familjarët e komisar Ademit në një qoshe anësh varrit të tij te Varrezat e Dëshmorëve, kur u kalonin në paradë ministri, drejtori i policisë e të tjerë drejtues, dhe nuk lanë që Ademit të vrarë në krye të detyrës, lopatën e parë me dhe dhe lamtumirën e fundit për në banesën e fundit t’ia jepte bashkëshortja Rushi, vajzat Alma e Arlinda, dhe djali 14-vjeçar Arbi. Nuk dihet se ç’mund të ndodhë ndryshe kur edhe varrimin ta privatizon shteti. Sepse edhe krimin e kanë privatizuar. Ndaj s’e ndjej veten në faj kur them se ne e meritojmë qeverinë e Flamur Nokës...Ademin e përcollëm në atë botë. Në Parlament, PS dhe PD po ziheshin për drejtësinë. Kjo është qeveria e Flamurit.