Nën sulmet e Iranit ndodhet edhe Dubai  dhe Emiratet e Bashkuara ku ndodhen 3 mijë shqiptarë, 1500 prej tyre rezidentë dhe po aq turistë. Sokol Çili, një sipërmarrës shqiptar rezident atje, thotë për Report TV se sot më mëngjes ka pasur sërish shpërthime, dhe se u është kërkuar të mos dalin. Shumë rrugë janë të mbyllura ashtu si aeroportet, ndërsa qytetarëve u është kërkuar që të punojnë online.

“Sot më e qetë, u dëgjuan nja dy shpërthime në mëngjes, por më qetë duket, pavarësisht se autoritet këtu kanë ndaluar që njerëzit të dalin nëpër punë dhe na rekomanduan që çdo gjë të bëhet online. Aktivitet ka, nuk mund të them se funksionon normalisht, por nuk është se ka ndonjë panik të përgjithshëm. Në media shfaqet shumë herë më e tmerrshme si ngjarje. Ata kanë patur qëllim bazat ushtarake, por janë kapur nga sistemet antiraketore. Nuk është se ka pasur ndonjë gjë shumë dramatike, në krahasim me çfarë shfaqet në media”, thotë ai për Report Tv.

Sipërmarrësi shqiptar tregon për “Sot Live në Shqipëri” se në momentin që ndodhi sulmi i parë në Dubai, më 28 shkurt, ishte brenda në banesë. Sipas tij, të gjithë përjetuan panik, por tani situata është më e qetë dhe se autoritetet e kanë menaxhuar situatën duke i pritur raketat e hedhura nga Teherani.  

“Isha në shtëpi kur ndodhi sulmi i parë. Dita e parë ishte panik i madh, telefoni nuk pushonte, edhe nga ambasada na kontaktuan. Nuk dihet si do përshkallëzonte si ngjarje. Unë po bëj 4 vite e gjysmë që jam këtu, punoj në fushën real estate. Kam kontakte me shqiptarë të tjerë, është pak situatë jo shumë e këndshme. Nuk kam patur ndonjëherë më shumë telefonata se kësaj radhe”, tha sipërmarrësi shqiptar.

Ai flet edhe për rastin e një shqiptari, i cili kishte qenë farë pranë në momentin kur u sulmua me dron hoteli ikonik në Dubai, Burj Al Arab

“Rasti i një shqiptari që ishte pranë The Palm, ishte 300 metra larg sulmit tek hoteli me 5 yje, tha që kishte parë tmerr me sy. Fëmijë që qanin, njerëz me valixhe që vraponin”, thekson ai.