'Duhen tabela në çdo shtëpi në Shkodër, ku kriminelët komunistë...' dëshmia e studiuesit të krimeve të komunizmit

'Duhen tabela në çdo shtëpi në Shkodër, ku kriminelët komunistë...' dëshmia e studiuesit të krimeve të komunizmit

Pjesa e tretë

“SHKODRA NË VITET E VENDOSJES SË DIKTATURËS KOMUNISTE,1945-1953″

Që në fillim të këtij shkrimi, desha të theksoj se na duhet ta marrim si të mirëqenë faktin, se: ata që erdhën me datën 29 nëntor të vitit 1944 në Shkodër, ishin trupa ushtarake që u ishin vënë pas ushtrive pushtuese, për t’i dëbuar nga ky vend. Meqë çlirimi kryhet, forca ushtarake, sapo e mbaron misionin e saj, siç ndodh zakonisht kudo, duhet të çmobilizohet dhe njerëzit e saj të dërgohen në shtëpitë e tyre. Por tek ne kjo nuk ndodhi!

Po a nuk është për në ‘Librin e Rekordeve’ fakti se për një qytet me vetëm 35.000 banorë, (siç ishte Shkodra), janë vënë në dispozicion tri ndërtesa për Gjykatën Ushtarake, sepse ka punë shumë, shumë dënime për t’u dhënë e sallat nuk mjaftojnë. Njëra tek shtëpia e Doktor Prelës, që nxirret jashtë e sikterriset në rrugë të madhe, si shumë të tjera. Kati poshtë përshtatet si sallë gjyqi, ndërsa sipër merr zyrë të tijën, Mustafa Iliazi, kryetari i Gjykatës ushtarake, një partizan nga fshatrat e Tepelenës. Ai ka dhënë aq shumë dënime me vdekje në Shkodër! Zyrën tjetër, atë përballë, e merr Shaban Dautaj, sekretari i Gjykatës. Por një tjetër Gjykatë si godinë, është edhe ajo që i merret pronarit të Fabrikës së Vaj-Sapunit, zotit Tef Pogu, tek Dugajët e Reja.

Është vendi ku do të jepen sa e sa dënime me vdekje. Sallë dënimesh e Gjykatës Ushtarake të Qarkut Ushtarak Shkodër, bëhet edhe vetë Kuvendi i Fretërve Françeskanë, të cilët, të nxjerrë jashtë për shkak të akuzës për futjen e armëve në kishë, përzihen. Merret gjithë ajo ndërtesë gjigante dhe ajo që dikur ishte shtypshkronja, përshtatet si sallë gjykimi, ku, siç tregon At Zef Pllumi, u zhvillua gjyqi i të dënuarve për futjen e armëve në kishë e, ku u dhanë tri dënime me vdekje, shumë dënime me burgim të përjetshëm e shumë dënime të tjera.

Nëse Qarku Shkodër por, edhe Bashkia Shkodër do t’i hynin një pune kërkimore, duhet të përdorin anketën, pyetësorin, për të gjithë këta aspekte që përmenda deri tani. Në rastin e çdo vuajtjeje e padrejtësie, besoj se gjyshërit dhe prindërit janë treguar aq të kujdesshëm sa, t’ua transmetojnë nipave dhimbjet e këta t’i kenë të ruajtura në kujtesë të gjitha. Ja, po sjell një shembull. Vite më parë, në vitin 1995, një profesor i nderuar i Universitetit të Shkodrës, zoti Simon Pepa, që nuk jeton më, një ditë, ndërsa po shkonte në shtëpi, nisi t’i shikonte shtëpitë e rrugicës së vet me një sy të veçantë. E filloi të numëronte se në këtë këtu, njëri ka bërë njëzet vite burg, në këtë këtu, tjetri shtatëmbëdhjetë vite burg, në këtë tjetrën, njëzet e dy vite burg, këtu ka një të pushkatuar.

Dhe mblodhi, në ditët në vazhdim, informata të sakta për të gjitha ato  familje që kishin vuajtur. Në një rrugicë të vetme, i dolën 417 vite burg e pesë pushkatime. Po sikur kjo metodë të aplikohej për të gjithë qytetin e Shkodrës? Do të dilnin shekuj e shekuj vitesh burg. Por unë dua të hedh këtu një propozim, që mund ta zbatojë shumë mirë Bashkia Shkodër. Si e mbajmë mend dikur, në vitet e rinisë tonë, regjimi e kishte mbushur qytetin me pllaka, ku thuhej se këtu ka qenë një bazë e Luftës Nacionalçlirimtare; kështu propozoj që të vendosen pllaka me një ngjyrë të veçantë: këtu ka banuar filani, i cili është pushkatuar, këtu ka banuar filani, i cili bëri kaq vite burg, këtu një pllakë tjetër, ku tregon se në këtë vend ka jetuar një familje, e cila është internuar.

Kjo shtëpia këtu u sekuestrua e u bë hetuesi, kjo këtu, u grabit e u bë banesë e hierarkëve të lartë. Dhe nëse pllaka do të kishte një ngjyrë të veçantë, të verdhë varak, apo blu, apo të kuqe, që bie në sy, jam i sigurt se e gjithë Shkodra do të ishte e mbushur plot me këso pllakash. E do të ishte një ndër qytetet më të veçanta të botës. Nuk di një tjetër që do të ishte i përngjashëm me të. Prandaj, për të gjitha këto tema duhet ndërtuar një arkeologjie historike. Kjo, sa më shpejt, sepse ka mbetur ende gjallë ndonjë dëshmitar.

Arkeologjia shkencore i’a ka dalë të rindërtojë qytetërime të varrosura mijëra vite më parë. Ne kemi mundësi të rindërtojmë, me anë të fakteve, dëshmive e objekteve, ngjarje të ndodhura jo shumë vite larg, por tani afër, e që kanë një vlerë unike dhe me kontributin e të gjithë atyre që dinë diçka e që janë vullnetmirë, mund të bëhet një gjë krejtësisht e veçantë, një model edhe për qytete të tjera të Shqipërisë, nëse do të duan të ndjekin shembullin e kësaj iniciative.

Por sot, ne kemi mundësi edhe t’i njohim për fytyra bishat e asaj kohe, sikurse edhe martirët. Falë kompjuterizimit që ka bërë Fototeka Marubi, vetëm të fusim emrin dhe aty i kemi. Pse kjo? Çuditërisht, të gjithë demonët kishin pasur mani të fryheshin e të krekoseshin para aparatit fotografik. Arkivi ka plot foto të këtyre sadistëve, që dalin në celuloid me pozat më të pështira e të neveritshme. Ia vlen një koleksion i tyre, me Zoi Themelin në krye, me Nesti Kopalin, me Josifi Pashkon, Vaskë Kolecin, Lilo Zenelin, Xhemal Selimin, Fadil Kapisyzin, Çesk Shoshin, Aranit Çelën e të tjerë, që nuk po humbas kohë këtu t’ përmend!

Po pse u zgjodh kjo zonë? Pse u projektua që të goditej Shkodra? Është e vërtetë ajo që ju keni thënë në fillim të përshkrimit, se Shkodra….?! Po pse regjimi e përzgjodhi për ta goditur? Si ai boksieri që e vendos kundërshtarin në një cep të ringut dhe e gjuan pa mëshirë, edhe regjimi e vuri në shënjestër dhe e goditi në mënyrën më mizore! Sepse Shkodra dhe zona e saj përreth, nuk e pranoi këtë pushtim shkatërrimtar, nuk e pranoi që dhunimi të quhej çlirim dhe u përpoq që në fillim të reagonte. Po, të reagonte, dhe ata as që e pranonin reagimin e Shkodrës! Për këtë këtë kam zgjedhur një krahasim: Vandenë.

Shumë prej të lexuesve që kanë rastin ta shikojnë këtë shkrim, jam krejt i sigurt se e dinë se për kë e kam fjalën: për atë krahinë në Francën Perëndimore që i’u kundërvu Revolucionit Francez, që u ngrit me armë të mbronte institucionet, Mbretin, lirinë e tyre, të drejtën e besimit që revolucioni ia shfuqizoi, dhe për këtë e pësoi rëndë. Protestuan kundër rritjes së taksave, kundër rekrutimit të burrave në ushtri, sepse revolucioni kishte hapur fronte lufte kudo, me shtetet evropiane dhe duheshin mbushur radhët me ushtarë. Për të gjithë këto, ata kundërshtuan. Përgjigja nuk vonoi dhe erdhi. U përdor dhuna e tmerrshme, u kryen masakra mbi popullsinë e pa mbrojtur, u krye një gjenocid i mirëfilltë.

Arkeologët francezë kanë vazhduar të zbulojnë varre masive, në gropa të përbashkëta, të grave të fëmijëve, të pleqve të varrosur, pasi i kishin pushkatuar e vrarë. Pak kohë më parë është zbuluar një e tillë. Vandeja ka pasur, krahas revolucionarëve kriminelë, edhe një pendë të shkëlqyer që ka folur për të, një gjeni të padiskutueshëm të letërsisë botërore: Viktor Hygonë. E them këtë për të treguar se edhe mendjet më të ndritura, provojnë pështjellime të pabesueshme. Ja se çfarë thotë Hygoi, në librin e tij “Viti 93, ai i dashuruari me idetë e revolucionit francez, që kujtonte se socializmi ishte një zhvillim i tyre”. Çfarë t’i themi kësaj mendjeje gjeniale, që rrëzohet kaq keq?

Për t’ju përgjigjur, kam kërkuar ndihmën e gjeniut rus, Aleksandër Soxhenicin, (çmimi ‘Nobël’ për letërsinë në vitin 1970), autori i librit prej më shumë se 2000 faqesh “Arqipelagu Gualg” dhe “Pavioni i kancerozëve” si dhe autor i shumë faqeve studimi për komunizmin rus e atë botëror. Jam mbështetur në atë që ky kolos tha pikërisht për Vandenë, në vitin 1993, dy shekuj pas ngjarjeve, kur u thirr në Francë që të ishte i pranishëm në ngritjen e monumentit lartësuar në nderim të viktimave të revolucionit. E meqë idetë e këtij kolosit të fundit janë kaq të kundërta me ato të gjeniut francez, po i ballafaqojmë. Nuk kam frikë këtu të keqkuptohem, sepse vetë Hygoi, tek romani i tij “Të mjerët”, thotë se: “Vetëm të barabartët kanë të drejtë të gjykohen!”.

Mendoj se Solxhenicin është më se i barabartë me Hygoin për nga gjenialiteti e fusha e letërsisë, por i’a kalon si më fatkeq apo fatlum, sepse kaloi epokën e djallit, jo në tryezat e shkrimit, por në burgjet e tmerrshme, në Gulag. Hygoi hamendëson një lumturi të ardhshme e aspak të qartë, Solxhenicin dëshmon tmerrin e realitetit të përjetuar e zhgënjyes, kuptohet të socializmit. Ja se çfarë thotë rusi i madh: “Vandea është ajo zona e destinuar të bëhet viktimë nga një regjim vrastar, sepse mishëron më së miri atë që revolucioni urren: urrehet për vlerat që bart, për besimin që ka, për lirinë qe e ka të shenjtë e s’pranon t’ia prekin. Revolucioni i shtypi e i poshtëroi deri në fund fshatarët që iu kundërvunë!”.

“Çfarë solli revolucioni për vandeasit?” – vazhdon me pyetjen e  tij shkrimtari i madh, fitues i çmimit ‘Nobël’. – “Vetëm shkatërrim, sepse çdo revolucion shpërthen në njerëzit instinktet e barbarisë më elementare, forcat e errëta të lakmive, të egërsisë e të urrejtjes. Këtë Vandeasit e kishin kuptuar shumë mirë e për këtë paguan një tribut të rëndë”! – përfundon ai.

“Koha moderne ia ka hequr aureolën që ia rrethonte kokën ‘Revolucionit Francez’. Duke medituar mbi fatkeqësitë, njerëzit kanë mbërritur në përfundimin se revolucionet shkatërrojnë karakterin organik të një shoqërie dhe rrjedhën e natyrshme të jetës. Revolucioni asgjëson elementet më të mirë të popullsisë, duke i lënë fushë të lirë veprimi më të këqijve e që, në vendet ku ai pllakos në përgjithësi, shkakton mijëra viktima. Në revolucionet përhapet frikshëm varfëria dhe ndodh një degradim i frikshëm i popullsisë”!

Vetë fjala revolucion vjen nga latinishtja e do të thotë “kthim pas”, “kthim”, “një sprovë”, dhe në rastin më të mirë një përmbysje. Disa domethënie pak të lakmueshme. Vetëm një revolucion nuk mund të konsiderohet gjë me vlerë. Asnjë vendi nuk i duhet uruar një “revolucion i madh”. Revolucioni, kudo ku ka shpërthyer, e ka hedhur popullin e vendit të vet në humnerën e humbjes e të shkatërrimit. Sa shtrenjtë e paguan revolucionin vendet ku i trokiti në derë e i hyri brenda me forcë. E çfarë çmimi i paguam ne revolucionit tonë komunist!

Praktikat mizore te revolucionit francez i janë aplikuar edhe trupit të kombit tonë nga komunistët shqiptarë, vetëm se metodat e tyre kanë qenë ku e ku më mizore se ato të jakobinëve.

Vandea ishte një kryengritje e madhe me pasojë viktima të pafund. Rusia pati Vandenë e vet: ‘Kryengritjen e Tambovit’ në vitet 1920-1921, kryengritjet e Siberisë Perëndimore, të vitit 1921. Fshatarë me kosa në dorë që u ngritën në revoltë e dolën rrugëve të Tambovit, por u grinë nga mitralozat.

Këto kryengritje u përsëritën për njëmbëdhjetë muaj rresht, edhe pse komunistët i shtypën të gjitha, deri duke përdorur avionët për bombardime e hedhje gazi helmues e tanket, duke gjuajtur njerëz e shtëpi pa dallim, duke marrë peng familjarët e kryengritësve. Rezistencë bënë edhe kozakët e Oraleve, të Donit, të Kubanit, të Terskut, por qe një rezistencë e mbytur në gjak. Vandea u përsërit në Poloni, në Krakovi dhe në Dansk; Vandenë e vet e pati Hungaria në ngjarjet e revoltës së vitit 1956; Vandea e Gjermanisë Lindore, ndodhi në vitin 1948, por u gri nga mitralozat. Vandea u përsërit edhe në Rumani, në Siubi e në Timoshoara. Edhe shqiptarët e Kosovës, që në fillim, në vitin 1944 -1945 patën ‘Vandenë’ e tyre plot gjak e krime. Vandea u përsërit kudo. Nuk ka vend ku ka pllakosur komunizmi që nuk ka ‘Vandenë’ e vet.

Edhe ne shqiptaret kemi pasur ‘Vandenë’ tonë. Krejt zona e Shkodrës dhe vetë qyteti krijuan ‘Vandenë’ e tyre. Kryengritja e Prenk Calit, e Llesh Marashit, ‘Kryengritja e Postribës’, luftërat në male, ‘Komiteti i Maleve’, grupet rinore të gjimnazistëve të ndryshëm, ‘Bashkimi Shqiptar’, ‘Përpjekja Shqiptare’ e shumë të tjera, janë të gjithë elementë me ADN të përngjashme me Vandenë franceze. Të gjitha po si ajo mbyten në gjak, dënohen me pushkatime, kalben në burgje, sakatohen në masa drakoniane. Të gjitha me akuzën e ultët: jeni reaksionarë. Po çfarë do të thotë reaksionar? Re-action.

Pra ta kthejnë veprimin pas në kohë, të korrigjojnë veprimet e kryera, të shërojnë institucionet, me qëllim një efekt pozitiv mbi shoqërinë. Pra, si në përpjekjen vandease të gjitha ishin përpjekje për të çuar në vend drejtësinë e nëpërkëmbur, kur ata një forcë e errët i ka përdhosur. “Reaksioni” – thotë Solxhenicin, – “bart një shenjtëri të madhe veprimi. Është drejtësia që ka rënë poshtë e, i duhet dhënë një dorë për ta ngritur në këmbë”.

Sa mirë do të ishte sikur edhe në Shkodër të ngrihej një monument i madh, ku të përkujtoheshin të gjitha grupet studentore të gjimnazit, të rinjtë e panumërt që trimërisht dhe heroikisht, kontribuuan në një rezistencë të një reaksioni të tillë, viktimat e pafaj, martirët, klerikët, qëndrestarët, vandeasit tonë.

Të bëjmë tani një hap para e të bëjmë pyetjen: kë sulmon revolucioni? Cilët janë kundërshtarët e tij? Përgjigja më e mirë është në rreshtat e fillimit të ftesës: ata njerëz që ky qytet pati e që mishëronin vlera.

Nuk duhet të harrojmë kurrë se revolucioni turret me tërbim kundër besimit në Zotin. Ateizmi është një tipar konstant i tij, kudo. Një intelektual francez, që gjendej në Kinë, në vitet kur komunistët po bëheshin gati të merrnin pushtetin, mori vesh se krahas teorisë revolucionare marksiste-leniniste të marrjes së pushtetit me forcë, maoistët mësonin edhe teorinë e Darvinit. Atij i kishte bërë një përshtypje të madhe fakti se kishin më shumë krenari, të quheshin bijtë e majmunit, sesa bijtë e Zotit!

Po pse këto masakra janë në një shkallë kaq të madhe, pse kryhen në një numër kaq të madh? Pse është nevoja për kaq shumë viktima? Merrni personazhet më të poshtër të letërsisë botërore, kujtoni Jagon intrigant, që çon njerëzit në vrasje, mos harroni Makbethin me të shoqen, kujtohuni për Danten me Ferrin e tij. Jago është vetëm një maskara, Makbethi një kriminel. Viktimat e tij janë disa, nuk bëhen as dhjetë. Atë e shtyn frika të bëhet kriminel se i trembet humbjes së fronin. Por krimet e tija janë fëmijërore, djajtë e Ferrit të Dantes janë engjëj të rënë, që sorollaten në zgafellet e errëta e që Dantja e Virgjili i shohin se fluturojnë mbi kokat e tyre, pa i bërë vizitorëve specialë asnjë dëm.

Këta kulme të negativitetit të mishëruar në figura artistike, janë çiliminj kopshtesh po t’i krahasosh me atë që shkaktuan çlirimtarët tanë të ardhur në pushtet. Po pse pra këta janë të tillë, që planifikojnë deri në 14.000 arrestime e kërkojnë 4000 pushkatime për vetëm një zonë e një qytet? Sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një intrigë dashurie ku të shërbejë Jago, e nuk bëhet fjalë për një mbret që përpiqet të ruajë karrigen e vet e t’i duhet të eliminojë rivalin, por është diçka tjetër, më e tmerrshme: është ideologjia. Ajo është bomba atomike, me shtrije të gjerë veprimi e me valë goditëse rrënuese, me forcën më mashtruese të pretendimit se po bën drejtësinë. Memorie.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hasan Spahiu: 31/07/2022 10:28

    Iu bej thirrje femijeve te Dranes(Shko o Drane,Shko Ke drania,ngado ta vertitesh emer kurve del):-kane mbetur Edhe Ca' vepra te komunizmit.Jane hodrocentralet,rezervuaret dhe liqenet artificiale.Ngrihuni me kembet ti hedhim ne ere.Ne keto kushte bolleku te ketyre 30 viteve demokracine per te pasurite,Pra oligarket,shkaterrimi i tyre eshte detyre patriotike.Te crrenjosim komunizmit dhe veprat e sigurimit,hodrocentralet,digat e gjithecka te mbetur.Rrofshin patriotet e UDB te Republikes se pavarur te Dranes

    Përgjigju
    • Hasan Spahiu: 31/07/2022 12:32

      SHKODRANT TI KOLAUDOJN TE TANA MOTRAT QE KE NE SHPI O MALOK

  • Historia: 30/07/2022 11:13

    Shume mire, vini nga nje pllake ku te perkujtohen viktimat e regjimit totalitar ne cdo rruge te Shqiperise. Por mos harroni te vini nga nje pllake perkujtimore prane cdo shkolle, kopeshti, spitali, ambulance, pallati kulture, fabrike, uzine, hidrocentrali e kanali vadites qe kane ndertuar “kriminelet komuniste”. Pastaj vini nga nje pllake perkujtimore edhe per deshmoret e kapitalizmit modern: trafikante droge, femrash e armesh te vrare per detyrime te pashlyera ndaj njeri-tjetrit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Brenda vitit paga mesatare bruto për mësuesit arrin në 104 mijë lekë! Për mjekët e përgjithshëm 131 mijë lekë dhe infermierët në 87 mijë lekë

Brenda vitit paga mesatare bruto për mësuesit arrin në 104 mijë lekë! Për mjekët e përgjithshëm 131 mijë lekë dhe infermierët në 87 mijë lekë