Aleati i Lulzim Bashës, Agron Duka në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, të gazetarëve Arbër Hitaj dhe Migena Sotiri, tha se tashmë nuk funksionon më një koalicion opozitar. Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, i cili u zgjodh deputet në zgjedhjet e 25 prillit, nga lista e Partisë Demokratike, tha se PD duhet të rishikojë marrëdhëniet me aleatët, kjo pasi sipas tij ka pasur zëra se ata nuk patën rezultate pozitive në zgjedhje, për të mbledhur vota.
‘PD duhet të rishikojë marrëdhënien me aleatët. I rezultuan jo shumë pozitivë në mbledhjen e votave. Një gjysmë analize që ato kanë bërë ka pasur zëra të tipit ‘në vend të Gon Dukës, mund të isha unë që jam i PD-së’. Deri tani koalicioni i opozitës nuk egziston fare, nuk funksionon. E vetmja gjë funksionale që kemi bërë është krijimi i grupit parlamentar që na ka dhënë PD, 3 deputetë.’- tha Duka.
Duka gjen fajtor për humbjen e zgjedhjeve, gabimet e njëpasnjëshme të opozitës, duke renditur ndër to mos marrjen pjesë në zgjedhjet lokale, si dhe djegien e mandateve, dhe për këtë të fundit mendon se është gabimi më i madh i Bashës në opozitë. Madje, për Dukën, opozita ‘ia ka lënë në dorë fitoren' mazhorancës, e shton se edhe ai me partinë e tij të vogël, me këto veprime të Bashës, do të kishte arritur që të fitonte zgjedhjet!
‘Opozita ka ndërmarrë disa veprime, që e kanë penalizuar, daljen nga kuvendi, mos hyrja në zgjedhjet vendore etj. Kemi pas gabime të jashtëzakonshme, nuk ka bërë vaki ndonjëherë që të bëjmë gabime të tilla që t’i japim dorë mazhorancës në atë lloj mënyrë që të thuash 'ja ka lënë në dorë'. Edhe unë me parti të vogël, po të ma kishin lënë në dorë do të kisha fituar.(Qesh) Mos thoni u sa i zgjuar Duka, por do fitoja! Gabimi më i madh i Bashës? Lënia e mandateve! Humbja të sjellë probleme. Unë them ka qenë Basha kryetar i opozitës, dhe ai e ka marrë vendimin për mandatet. Me Berishën nuk jemi takuar asnjëherë në mënyrë institucionale.’- tha Duka.
Duke u ndalur, tek përplasja Basha-Berisha, Duka tha se kjo po i pengon ato që të bëjnë opozitë, ndërsa shton se ‘nesër’ mund të kemi dy parti, pra ndarjen e PD-së.
‘Kam përshtypjen se do ketë një problematikë shumë të madhe nëse vazhdon kjo lloj historinë. Nëse do të fitonim nuk do të ishte kjo lloj historie. Është një situatë jo e këndshme dhe nuk besoj se mund të sjellë pozitivitet. Nëse do të arrijnë të gjejnë forca, të kenë një lidership, por unë e shoh larg bashkimin, më duket sikur nesër do të kemi dy forca politike. Unë jap opinionin tim. Kemi 3-4 muaj në parlament. Duke u marrë me veten po harrojmë detyrën kryesore që kemi. Fillimi i këtij procesi të Berishës, ishte për arsye personale. Ajo që i jep hov Berishës, janë edhe humbjet e njëpasnjëshme të opozitës.’- tha Duka.
Në fund të intervistë, Duka paralajmëroi se në fund të këtij mandati mund të largohet përfundimisht nga politika.
‘Mund të largohem në fund të këtij mandati.’- tha Duka.