Ndryshe nga qëndrimi i shprehur nga kryetari demokrat, Lulzim Basha, Duka thotë se Shqipëria nuk ka kohë për të humbur me përmbushjen e reformave. “Edhe koha ka rëndësinë e vet. Ne kemi humbur shumë kohë, e gjithmonë na duket vetja sikur jemi në kërkim të kohës së humbur. Duhet të një sinkronizim mes kohës dhe cilësisë. Por reforma në drejtësi duhet të miratohet me shpejtësi dhe cilësi”, u shpreh Duka.
Ndërsa po ashtu, Duka cilëson të rëndësishëm edhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor për të garantuar zgjedhje me standarde. “Gjithsesi, edhe reforma zgjedhore nuk duhet të lihet pas dore. Nëse lihet për momentin e fundit, do të rrijë kështu siç është, pa korrigjuar asnjë lloj defekti”, tha Duka.
I pyetur se ku do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ato të pas një viti, Agron Duka thekson se zona e tij e preferuar është Durrësi, por nuk përjashton si mundësi as Qarkun e Tiranës.
Z.Duka, pas ardhjes tuaj në krye të PAA, u afrua z.Tafaj. Do të ketë të tjera afrime?
Po, unë isha. Kam kontaktuar dhe me shumë miq të mitë. Dhe përveç asaj, jemi në të njëjtin pozicion, jemi në aleancën qeveritare. Numri i votave që ka marrë Tafaj në zgjedhjet vendore, janë numër i konsiderueshëm dhe sipas kodit aktual, në një aleancë duhen 7-8 mijë vota që të dalë një deputet në Tiranë. Mbi 2 mijë vota nuk janë për tu nënvlerësuar. Ne jemi të hapur për të gjithë. Ne jemi me njohje edhe majtas edhe djathtas. PAA ka në fokus ambientin dhe mjedisin. Dhe mjedisi nuk është vetëm për zonat rurale, por edhe për zonat urbane. Duke qenë se ne jemi të hapur për të gjithë, ato forca që kanë të njëjtin qëndrim me ne, ne jemi të hapur për më shumë momente bashkëpunimi. Në ato pika që ne kemi përafërsi mund të mbështesim njeri tjetrin. Pastaj kur të dalim në zgjedhje, anëtarë të asaj force pritke mund të përfshihen në listat tona, ose mund të dalim në lista të përbashkëta. Kjo do të bënte që numri i votave të ishte më i madh.
Ka shumë parti të vogla të pakënaqura, do të synoni parti të koalicionit?
Lëvizje që kanë të njëjtin spektër, ose problemin që ato synojnë të zgjidhin, ne i pranojmë. Jo e hapur për të gjithë, natyrisht personat që ofrohen duhet të ketë integritet dhe t’i përshtaten programit tonë. Do të shihet dhe e kaluara e tyre, backgroundi. Kjo do të shihet hap pas hapi e rast pas rasti. Ne jemi në proces negociatash, siç është rasti i Sazan Gurit i cili ka një parti politike pas tij. Ai është një njeri shumë aktiv në aksionin e tij, sidomos për probleme mjedisore dhe mund të përshtatet në partinë tonë. Do të ishte më e përshtatshme një formë memorandumi bashkëpunimi sesa një shkrirje. Raste të tilla ka edhe me shoqatat e ndryshme, sidomos ato të agrobiznesit. Mund të bëjmë edhe shoqatën e agrobiznesit shqiptar, në mënyrë që të jemi më të fuqishëm sot në opozitë dhe t’i realizojmë këto nesër në pushtet.
Z.Rama e keni më mik? A është më një miqësi? E shikoni një mundësi bashkëpunimi me të?
Unë mendoj ndryshe. Nuk mendoj se është e avantazhuar. Me problemet e bujqësisë e majta nuk ka bërë ndonjë gjë. Madje, mund të them se do të ketë zbritje të numrit të votave në zonat rurale. Popullata rurale përbën 45-47% të popullsisë. Ndaj, mendoj se e djathta do të vijë në pushtet. Sa i takon miqësisë, unë nuk konsideroj askënd armik. Çdo njeri ka të drejtë ta konceptojë jetën siç do. Nëse e shohim në këtë kontekst, nuk kemi shumë miq. Marrëdhëniet humane janë normale.
Çfarë ndodhi mes jush e z.Rama?
T’i kthehemi kësaj teme më duket paksa e tepërt. Arsyet që shkova te PR, ishin thjesht se unë kam mall për profesionin tim që jam agronom. Në kushtet kur bujqësia jep 7-8% të GDP-së, i duhet patjetër një parti Agrare. Pra, bëra diçka që duhet bërë. Sa i takon kontratës, burrërirë, unë jam munduar që t’i qëndroj korrekt 100%.
Duke parë atë që ndodhi me zgjedhjet lokale, kur PD nuk ua plasoi dëshirën. Do e fitonit Bashkinë e Durrësit?
Për mendimin tim nuk mendoj se humbi znj.Duma, por zgjedhjet patën shumë probleme. Pati manipulime, vjedhje në masë, mënyrat qenë të ndryshme, nëpërmjet vendeve të punë,s kërcënimeve, të përdorimit të të fortëve. Arriti deri aty sa në qendrat e votimit s’kishte as komisionerë të djathtë. Nga mënyra sesi u sollën me njerëzit, në fund të fundit njerëzit nuk patën siguri. Ai rezultat nuk ishte real. Ndaj, në të njëjtat kushte do të garoja edhe unë. Nuk më erdhi mirë që nuk garova pasi oferta ishte nga PD dhe pastaj u tërhoqën ata. E rëndësishme është qenë e them me sinqeritet, se njerëzit e mi kanë përkrahur znj.Duma. Humbja s’ishte vetëm e saj, por e të gjithë ne.
Zgjedhjet e 2017-ës, ku do të garoni?
Do të konsultohem me partinë. Por më normale është kandidimi në Durrës dhe më e lehtë fitorja atje sesa në Tiranë. Mund të bëjmë sondazhe. Por, mendoj se në Durrës mund të fitohet edhe pa mua. Nëse do të kem sondazhe pozitive, mund edhe të eksperimentojmë, por pëlqimi im është Durrësi.
Ju duhet një aleat i madh...
Aleatin e kemi. Është Partia Demokratike. S’kemi asnjë lloj arsye që të mendojmë ndryshe. Ky është edhe mendimi i njerëzve që kam në krah. S’është se shkëlqeu mazhoranca e sotme me zonat rurale e mjedisin, pra me çështjet që ne mbulojmë. Është me normale që të jemi në aleancë me PD sesa me PS. Pakënaqësia për ekonominë është në rritje. Problematike e biznesit do të kthehet në votë kundër. I njëjti shqetësim është edhe nga zonat rurale. Ndaj, mendoj se kemi interes të garojmë përkrah PD.
Çfarë ndryshimesh kërkoni në Kodin Zgjedhor?
Në radhë të parë, listat e hapura. E them si qytetar shqiptar. Nuk është fare normale që njerëzit të mos votohen personalisht, por votohen vetëm partitë. Ka njerëz në lista që nuk kanë vota të drejtpërdrejta. Listat e hapura nuk është shpikje e re, këtë votim e bëjnë edhe shtete të tjera, e bën edhe Kosova. Edhe vetë shoqëria civile, populli, media, gazetarët, si nuk e kanë këtë në mendje? Është në leverdi të popullit. Këta kanë frikë se duke qenë në lista të hapura mund të hyjnë njerëz të fortë. Jo. Kush ka eksperiencë politike, Sali Berisha, Edi Rama, Namik Dokle, fitojnë. Problem tjetër është edhe numërimi. Besoj se do të jetë elektronik. Pasi numërimi me dorë, duke ndenjur nga 3-4 ditë, është alogjike, me këtë teknologji që ka sot në botë. Në takimin e grupit të PD, z.Bylykbashi shpalosi objektivat e PD dhe aleatët për Kodin Zgjedhor dhe një nga pikat kryesore, që patjetër duhet të zgjidhet, është votimi elektronik, se po nuk u zgjidh as këtë herë, do të jetë turpi më i madh.
Z.Basha pati një artikulim për reformën në drejtësi, se mund të zgjasë në kohë. Duket sikur po kushtëzohet drejtësia me reforma zgjedhore?
Nuk e di si e ka thënë Basha. Por edhe koha ka rëndësinë e vet. Ne kemi humbur shumë kohë, e gjithmonë na duket vetja sikur jemi në kërkim të kohës së humbur. Duhet të një sinkronizim mes kohës dhe cilësisë. Por reforma në drejtësi duhet të miratohet me shpejtësi dhe cilësi. Gjithsesi, edhe reforma zgjedhore nuk duhet të lihet pas dore. Nëse lihet për momentin e fundit, do të rrijë kështu siç është pa korrigjuar asnjë lloj defekti.
Besoni se reforma në drejtësi do të miratohet brenda kësaj legjislature?
Besoj se po. Do të gjendet gjuha e përbashkët dhe do të votohet?
Si e gjykoni presionin e ambasadorëve të huaj?
Ata nuk vënë në presion. Por mundohet të negocionojnë probleme që palët nuk arrijnë t’i dakordësojnë mes tyre. Është vënie në qendër të vëmendjes të këtyre problemeve.
Është znj.Topalli në ofensivë ndaj z.Basha?
Ato që thuhen në media, janë thënë pa media. Nëse Basha e gjykon se duhet të flitet në media, thërret mediat. Nuk besoj se është një grup që po sulmon Bashën, por mjedisi është i tillë e statura e Bashës është e tillë që nuk është mësuar të shtypë mendimin kundër. Kjo nuk ndodh te Rama, p.sh.
Z.Berisha, si i keni marrëdhëniet? Keni komunikim?
Fare normale. Kam komunikim. E kaluara u tejkalua deri në momentin kur unë pranova të kandidoj për bllokun opozitar. Ishte edhe një reflekson, sepse unë ndenja 8 vjet jashtë politikës aktive. Kështu që pranimi im në bllokun opozitar, nëse nuk donte Berisha nuk bëhej. Sot, raportet janë fare normale. Habitem sesi ka mundësi kjo sjellje e imja apo e Berishës ndaj meje është përgojuar kaq gjatë, në një kohë kur media në përgjithësi nuk i bën aspak çudi që janë thënë e stërthënë gjëra më të mëdha mes politikës e janë bërë aleatë. Si Rama-Berisha, Rama-Meta etj. Unë s’jam në aleancë qeverisje.
A mund të jetë z.Meta një hapësirë bashkëpunimi me ju?
Hapësirat e bashkëpunimit nuk mund t’i paragjykojmë sot, sepse në të ardhmen nuk i dihet. Ne e gjejmë veten si në çështjet programore ashtu dhe pragmatiste, në aleancë me PD-në.
Nëse LSI del jashtë koalicionit me PS?
Duhet t’i kem përpara gjërat që të gjykoj. Pas zgjedhjeve është fjalë shumë e madhe. Dhe është tjetër gjë. Ne do punojmë me devotshmëri për vete. Do punojmë edhe për PD.
Përfundimisht e keni mbyllur llogarinë me të majtën?
Profili është diçka tjetër, bashkëpunimi është diçka tjetër. Pavarësisht njohjeve me Fatos Nano, kam dhënë kontribut me të majtën, profilin në atë kohë të tillë e kam patur. Problemet e bashkëpunimit janë tjetër gjë. S’jam unë që mund ta vendos vijën ndarëse. Ne do të punojmë me bllokun opozitar së bashku me PD e aleatët...
Keni një kundërshtar të fortë në Durrës... Influencën e z.Dako si e shihni?
Ai ka qenë edhe në 2013-ën. Ai do të mbrojë interesat e të majtës për të cilat kontribuon. Nuk besoj se do të merret personalisht me mua.
Raporti i biznesit me politikën. Është kritikuar së tepërmi lidershipi i PD e PS, kryesisht i PS, për përfshirjen e biznesit në politikë...
Unë kam vite që jam shkëputur nga menaxhimi i biznesit. Që nga viti 2001. Nuk jam që, as të përjashtohet, se si mund të penalizosh një njeri, por kur kjo ekzagjerohet nga kodi zgjedhor, mendoj se sjell negativitet.
Si e keni parë ligjin e dekriminalizimit? E cenon figurën e politikanit?
Gjykoj se e bëj mirë. Nuk do ishte mirë që të kanalizohej te plotësimi i një formulari, por gjendja ku shkoi politika shqiptare e bën të domosdoshëm daljen e këtij ligji. Nëse zbatohet do të ketë më shumë pozitivistet sesa negativitet.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com