Presidenti i FSHF-së Armando Duka në një postim të bërë në rrjetin social ‘facebook’ uron të gjithë futbollistët, tifozët dhe miqtë e futbollit për rifillimin e kampionatit sot pas 74 ditësh ndërprerje, të ardhur si pasojë e koronavirusit. Duka thotë se kjo ndërprerje ka shkaktuar dëme te futbolli, ndërsa u bën thirrje të gjithë aktorëve të futbollit të zbatojnë me rigorozitet të gjitha masat anti COVID për zhvillimin e ndeshjeve.
“Të dashur futbollistë, tifozë dhe miq të futbollit!
Pas një periudhe të vështirë për të gjithë vendin, por edhe gjithë botën, për shkak të pandemisë Covid-19 më në fund futbolli rikthehet sot me rifillimin e kampionatit.
Kjo ndërprerje e menjëhershme e jetës sportive na ka dëmtuar, edhe ekonomikisht, por sigurisht dëmi më i madh ka qenë ai sportiv. Futbollistët e të gjitha niveleve, profesionistë, amatorë, fëmijët, nuk e kanë shumë të lehtë që të kapin të njëjtën formë sportive. Ndërprerja patjetër që ka lënë shenjën e saj dhe unë uroj ta kalojmë sa më parë, edhe pse jam i ndërgjegjshëm se nuk do të jetë e lehtë.
Edhe një herë përfitoj nga rasti t’u kujtoj të gjithë futbollistëve, zyrtarëve të klubeve dhe stafeve organizative që të jenë sa më të kujdesshëm e të zbatojnë rregullat e distancimit social dhe protokollet shëndetësore në lidhje me zhvillimin e ndeshjeve në këto kushte. Protokolle me të cilat të gjithë aktorët dhe faktorët janë njohur tashmë.
Unë jam i bindur, që ju dhe stafet tuaja, do të tregoheni të kujdesshëm në këtë drejtim, në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë.
Ndihem i keqardhur që ne nuk do të kemi mbështetjen e spektatorëve nëpër stadiume. Uroj që shumë shpejt masat kufizuese të lehtësohen dhe tifozët të kthehen në stadiume për të mbështetur skuadrat e tyre të zemrës.
Uroj nga zemra që kampionati të vazhdojë të na dhurojë sërish emocione, lojë të bukur dhe Fair-play.
Edhe një herë, urimet e mia më të mira për rifillimin e kampionatit!
Suksese të gjithëve!
Armand Duka
President
Federata Shqiptare e Futbollit,”-shkruan Duka.