Dule i PBDNJ i vetëm në zgjedhje 
 Edhe Milo marrëveshje me PS

Dule i PBDNJ i vetëm në zgjedhje <br /> Edhe Milo marrëveshje me PS
TIRANE PBDNJ e drejtuar nga Vangjel Dule do të garojë e vetme në zgjedhjet lokale. Ndërsa një aleat i ikën të majtëve, Partia Demorkacia Sociale e Paskal Milos konfirmoi se do jetë pjesë e koalicionit duke i hapur rrugë edhe respektimit të paktit për bashkëqeverisje në nivele të dyta. 

...
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e drejtuar nga Vangjel Dule ka vendosur të dalë e vetme në zgjedhjet lokale të 21 qershorit dhe jo si pjesë e koalicionit të majtë. Vendimi është zyrtarizuar në një dalje për mediat nga zëdhënësja e kësaj force politike Ketrina Jarazi, e cila saktësoi se gjatë kësaj fundjave kjo forcë politike së bashku me OMONIA-n do të zyrtarizojë edhe emrat e kandidatëve.
 
“Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në përfundim të komunikimit me forcat e tjera politike, aleate dhe jo vetëm, ju komunikon vendimin se në zgjedhjet administrative të 21 Qershorit do të kandidojë e vetme, jashtë koalicioneve të maxhorancës dhe opozitës. Të shtunën në datë 25 prill, Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik të Minoritetit Etnik Grek, OMONIA do të bëjë përzgjedhjen e kandidaturave për bashkitë ku jetojnë tradicionalisht dhe në numër të konsiderueshëm pjesëtarë të këtij minoriteti", u shpreh zedhenesja e PBDNJ.



Por burime për A1Report nga e majta, sqarojnë se shkak për këtë prishje është bërë mos lënia zonë e lirë e Bashkisë Himarë, ku PS do të kandidojë me Gjergji Goron, ndërsa PBDNJ ka kandidatit e saj. Ndërsa më herët i deleguari i PS për negociatat me aleatët Taulant Balla, tha se me PBDNJ ishin hedhur baza të shëndosha bashkëpunimi. 


Me zotin Dule në çfarë pike janë negociatat?
Balla: Më lejoni t’ju informoj që kontaktet vazhdojnë, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut është një parti themeluese e Aleancës për Shqipërinë Europiane në zgjedhjet e fundit qendrore. Por duhet të kemi vlerësimin që zgjedhjet vendore kanë sensibilitete të ndryshme nga sensibilitetet e përbashkëta që bashkojnë koalicionet zgjedhore në nivel qendror. Të thëna këto, deklaroj se edhe me PBDNJ kemi gjetur baza të shëndosha për bashkëpunim në nivel lokal.

Çfarë ju ka kërkuar PBDNJ, zoti Balla?
Balla: Këtu nuk bëhet fjalë për kërkesa. Këtu bëhet fjalë për bashkërendim forcash në dobi të vlerave dhe fakti që jemi në prani të figurave më të rëndësishme të së majtës shqiptare, siç është zoti Milo, tregon që bashkëpunimi ynë dhe Aleanca për Shqipërinë Europiane, bazohet tërësisht në dobishmërinë dhe arsyetimin që ndarja e re administrative territoriale është në dobi të mirë qeverisjes lokale

Milo i bashkohet të majtës për zgjedhjet lokale
E ndërsa humbi PBDNJ në këto zgjedhje, e majta ka konfirmuar aleancën me Partinë Demokracia Sociale të drejtuar nga Paskal Milo. Pas një takimi në selinë e PS që zgjati vetëm 7 minuta, Milo tha se marrëveshja u arrit falë edhe fillimit të respektimit të paktit të zgjedhjeve parlamentare, që do të thotë se PDS do të marrë disa poste zëvendësministrash dhe drejtorësh.

Një marrëveshje që pritej pas negociata që zhvilluam për një kohë të gjatë me PS e cila në radhë të parë është në vijim të marrëveshjes së nënshkruar para dy vitesh për bashkëqeverisje dhe një marrëveshje e dytë është një bashkëpunimi ardhshëm në pushtetin vendor pas zgjedhjeve të 21 Qershorit. Qysh sot ka filluar zbatimi i marrëveshjes së 23 qershorit. Dhe do të këtë një zbatim të plotë të saj.  Nuk po hyjmë në detaje të posteve shtetërore, më e rëndësishme është fryma e bashkëpunimit që duhet të na karakterizojë në këto zgjedhje. Për zgjedhjet vendore do të kemi një bashkëpunim elektoral, do të mbështesim kandidatët e aleancës kudo të jenë dhe do të kemi një koordinim të fushatës që të flasim me një zë në emër të aleancës që i takojmë. Do të kemi një bashkëpunim jo për këshilltar bashkiak, aty do të garojmë më vete, por kemi rënë dakord që do të bashkëpunojmë pas fitores në zgjedhje në të gjitha bashkitë që do të ketë aleanca jonë e përbashkët”, tha Milo.

Nga ana e tij Taulant Balla deklaroi se në këto votime e majta shkon me koalicion fitues.

“Jemi në momentin që sapo kemi firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit për zgjedhjet e 21 qershorit me një ndër partitë simbol të së majtës shqiptare, sikurse është Partia Demokracia Sociale. Përfitoj nga rasti që në emër të Partisë Socialiste ta falënderoj zotin Milo për kohezionin, për solidaritetin e përbashkët në të gjitha sfidat që kemi përballur në shumë vite me radhë si dy parti të majta. Ndamë të njëjtin vlerësim që zgjedhjet e 21 qershorit janë një moment i rëndësishëm për t’i shndërruar qeverisjet lokale në çdo njësi vendore në njësi zhvillimi për të gjitha komunitetet që ato përfaqësojnë. Kemi gjetur të njëjtin arsyetim dhe të njëjtin mirëkuptim me Demokracinë Sociale që qeverisja vendore pas 21 qershorit të jetë e drejtë, efikase dhe në dobi të qytetarëve”, u shpreh Balla. 


  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë