Dumani e SPAK në SHBA, Berisha frikë nga goditja e dytë e madhe?!

Dumani e SPAK në SHBA, Berisha frikë nga goditja e dytë e madhe?!

Në vorbullën e halleve të Sali Berishës me drejtësinë, vetë me masë detyrim paraqitje në gjykatë nën akuzën e korrupsionit pasiv ndërsa dhëndri Jamarbër Malltezi në burg për pastrim parash, shumë ngjarje të rëndësishme që po ndodhin në Shqipëri po kalohen si pa vënë re.

Teksa deputetët e Foltores dhe të Gaz Bardhit, ishin të zënë në heqjen e kartave e mikrofonave të deputetëve socialistë për të bllokuar fjalën e tyre në Kuvend, por edhe lëshimin e grushteve në drejtim të kundërshtarëve politikë, hypjen mbi tavolinë dhe sjelljes prej rrugaçësh në sallën e Parlamentit, diku në një cep kishte zënë vend lajmi se kreu i SPAK Altin Dumani bashkë me 9 prokurorë të tjerë specialë kishin mbërritur në SHBA.

Ndoshta të gjithë ishin të zënë me spektaklin falas që ofruan deputetët e një pjese të opozitës në Kuvend, që në pamundësi për të mbledhur qoftë dhe një mbështetës nga radhët e demokratëve dhe qytetarëve para Parlamentit, kishin zgjedhur të bëheshin vetë aktorë, në atë që mund të quhet një tentativë për ‘grusht pallati shteti’ në sallën e seancave plenare të Kuvendit.

Jam shumë i sigurtë se vetëm Sali Berisha e kishte një sy dhe një vesh nga Uashingtoni, ku trupa e SPAK prej 10 prokurorësh specialë të kryesuar nga kreu i këtij institucioni të lartë të hetimit në Shqipëri Altin Dumani, kishte mbërritur me një axhendë goxha të zgjeruar takimesh, që nga FBI-ja amerikane e deri tek DEA, struktura kundër drogës dhe institucione të tjera ligjzbatuese amerikane.

Si një ‘skile’ e vjetër e politikës, por dhe në një hall të fortë në përballjen me drejtësinë, Berisha e di fort mirë se SPAK është krijuar dhe mbështetet nga SHBA. Ish kryeministrit i është krijuar bindja se gjithçka që po vuan në kurriz në përballje me drejtësinë dhe izolimin e madh ndërkombëtar, se përpos tahmasë së tij dhe familjarëve të tij për të përfituar nga abuzimi me pushtetin, i ka ardhur dhe nga Uashingtoni. I cili si fillim e shpalli ‘non grata’.

Nuk është rastësi që akuza në ngarkim të tij dhe të dhëndrit Jamarbër Malltezi është ‘mot a mot’ e njejtë me arsyetimin e vendimit për shpalljen ‘non grata’ familjarisht të tij nga DASH, që ka të bëjë me korrupsionin madhor dhe krijimin e kushteve përmes vënies së shtetit në dizpozicion për pasurimin e familjarëve dhe të bashkëpunëtorëve të tij me paratë e shtetit shqiptar.

Kjo është akuza në drejtim të tij për korrupsion pasiv në rastin e aferës së privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”, ku për një periudhë të shkurtër kohore bëri ligje, ndryshoi ligje dhe zhbëri ligje, derisa dhëndri Jamarbër Malltezi realizoi një superfitim prej 5.4 milionë eurosh, pjesa e dukshme kjo, pa futur asnëj lek në investimin për ndërtimin e 17 kullave shumëkatëshe, duke u nisur thjeshtë e vetëm nga 113 metra katrorë truall që përfitoi pa të drejtë po nga vjehrri i tij kryeministër në atë kohë.

Për këtë arsye, Berisha e ka mbajtur dje gjatë gjithë kohës një sy dhe një vesh nga Uashingtoni, takimet që kreu i SAK, Dumani dhe prokurorët e përfaqësuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit që ishin në delegacionin e lartë të kryesuar prej tij realizuan në SHBA.

Kjo u vu re dhe në zënien e ekraneve televizive nga ai e familjarët e tij për të shpjeguar në mënyrën e tyre aferën e “Partizanit’, për të futur sa më shumë emra të përfshirë në këtë aferë, mundësisht ish ministra socialistë, pa asnjë lidhje me këtë privatizim. Gjë që e shprehën edhe ditën e martë, përmes mesazheve të tyre, duke hedhur poshtë akuzat e Berishës e familjes së tij.

Të hënën në mbrëmje, Berisha kishte hedhur në ‘fushën e betejës’ vajzën e tij Argita Berisha Malltezi, një figurë shumë diskrete për mediat dhe publikun shqiptar, por që mbrojti tërë aferën e “Partizanit”, për të cilën ka bashkëshortin në burg dhe babain ish kryeministër nën akuzë për korrupsion pasiv, si dhe duke sulmuar si i ati SPAK dhe policinë si të kapur.

Argita ka hall, pasi ka bashkëshortin Jamarbër Malltezi në burg për aferën e “Partizanit” por dhe për shkak se nuk ka si i justifikon ato 320 mijë dollarë para xhepi që ia dërgoi me këste së bijës në Gjermani, supermbesës së famshme Desara, e cila është nën ‘shënjestrën’ e drejtësisë gjermane për të shpjeguar se ku i ka marrë babi Abi paratë që ia ka dërguar asaj përmes transfertave të copëzuara bankare. Dhe gjermanët si gjermanë që janë tregojnë për publikun ngjashëm si ‘Hëna’ vetëm njërën anë të sipërfaqes, duke e kthyer në mister se ku po hetojnë tjetër për familjen e Jamarbër Malltezit.

Aq më tepër që dhe vetë Argita, referuar deklaratave të saj në intervistën e rrallë për media që dha të hënën në mbrëmje, po kthehej nga Gjermania, kur u arrestua bashkëshorti i saj që po e priste në aeroportin e Rinasit. Nëse Gjermania është misteri më i madh që mund të zgjidhë të gjitha ‘nyjet’ e korrupsionit të dhëndrit Malltezi, për vetë Sali Berishën Uashingtoni është ai që ndikon rëndshëm për fillimin e ndonjë hetimi të ri. Qoftë dhe i mbështetur mbi hetimet gjermane, që mund t’i bëhen të ditura delegacionit të SPAK që gjendet në SHBA. Mund të ndodhë.

Ajo që e shqetëson Berishën dhe do ta detyrojë dhe këtë të martë të dalë sërish para mediave është se çfarë ‘mesazhi’ do të sjellin nga Uashingtoni Altin Dumani dhe prokurorët e SPAK bashkë me ekspertët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kanë marrë ndonjë provë apo fakt të ri nga organet ligjzbatuese amerikane, teksa kanë qënë dhe janë në pritje të disa përgjigjieve për letër-porositë e shumta që kanë dërguar jo vetëm për Berishën, por dhe për djalin, vajzën e dhëndrin, përfshirë këtu dhe ortakun e tij me të njejtin hall e me të njejtën gjatësi vale në aferat korruptive.

Themi se është i shqetësuar shumë Berisha, pasi pjesë e delegacionit të SPAK është edhe Arben Kraja e Enkeleda Millonai, prokurorët që po hetojnë dosjen e Berishës dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi për aferën e privatizimit të ish kompleksit ‘Partizani’ i cili pasoi me ndërtimin e 17 kullave dhe që sipas SPAK i dha një fitim prej 5.4 milionë euro dhëndrit të ish kryeministrit.

Duke qënë se arsyeja e vizitës zyrtarisht lidhet me punën e Prokurorëve Specialë e kontaktet me kolegët amerikanë të FBI-së, axhenda e Dumanit parashikon takime shtesë me përfaqësues të DASH dhe të Departamentit të Drejtësisë në Uashington.

Teksa organizatorët amerikanë dhe SPAK s’kanë dashur t’i japin bujë kësaj vizite, por më shumë se një vizitë pune kjo konsiderohet si një vizitë e konfirmimit të mbështetjes absolute që institucioni më i lartë i hetimit merr nga SHBA veçanërisht këto kohë që po gjendet nën sulme të egra verbale sidomos nga Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, të cilët e quajnë “bandë kriminale”, ndoshta vetëm Berisha por dhe ortakët e tij kanë qënë koshientë për rëndësinë e vizitës, dhe parandjejnë dhe ndonjë rrezik të mundshëm për ta.

Dhe për ngritjen në ‘stratosferë’ të këtij shqetësimi dhe frike për Berishën, familjen dhe ortakët e tij, me sa duket ka ‘menduar’ dhe ambasada amerikane në Tiranë, e cila përmes një postimi të saj mëngjesin e kësaj të marte në facebook shoqëruar me një fotogaleri, informon se të udhëhequr nga anëtarët e ekipit të Zyrës për Zhvillimin, Ndihmën e Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit të Ambasadës së SHBA në Tiranë, zyrtarët e SPAK u takuan me drejtuesit kryesorë të Departamentit të Drejtësisë dhe Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale.

Sipas ambasadës prokurorët specialë të SPAK diskutuan dhe për sfidat e sigurisë me Shërbimin Marshall të Shteteve të Bashkuara, i cili mbron gjyqtarët, prokurorët, stafin e gjykatës dhe dëshmitarët federalë të Amerikës. Vizita sipas ambasadës do të përfshijë gjithashtu takime me Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Drejtësisë, Administratën kundër Narkotikëve (DEA) dhe Byronë Federale të Hetimit (FBI). Dhe pjesë e delegacionit janë dhe prokurorët Dorina Bejko, Klodian Braho, Vladimir Mara, të cilët kanë në dorë dosje të rënda, të lidhura me Berishën, familjen dhe ortakët e tij.

Kur flitet dhe për mbrojtjen e dëshmitarëve, mendja të shkon tek të penduarit të drejtësisë në SHBA. E kemi fjalën për ish shefin e Shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura shqiptare, Gjeneral Luan Hoxhën, i cili përpos rrëfimit tek ish ambasadori amerikan në Tiranë, Uidhers, me sa duket është ‘rrëfyer’ dhe për organet ligjzbatuese amerikane, ku akuzon Shkelzen Berishën si të përfshirë në biznesin e demontimit të municioneve e të trafikut të fishekëve në Gërdec, nga shpërthimi i të cilit humbën jetën 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.

Ndoshta do merret dëshmia apo do vijë të dëshmojë Gjenerali i FA, e për të cilin lind nevoja për garantimin e jetës së tij. Pasi nga frika e Shkelzen Berishës shkoi dhe u rrëfye në ambasadën e SHBA në Tiranë dhe për pasojë mori dhe statusin e azilantit politik në SHBA. Këtë e thotë kabllogrami i Uidhers dërguar DASH. Gjeneral Hoxha tashmë jeton në SHBA si azilant politik.

Mund të vijnë të dëshmojnë dhe ‘çunat” amerikanë të fishekëve dhe armëve, Efraim Diveroli e David Packouz, që së bashku me ish biznesmenin e ndjerë Kosta Trebicka, përmes një bisedë telefonike hodhën dritë mbi këtë aferë të djalit të ish-kryeministrit Berisha të tregëtisë së armëve dhe municioneve që zhvillonte shteti shqiptar në atë kohë.

Janë dënuar ‘çunat’ për shkeljen e ligjeve amerikane, ndërsa lind nevoja e hetimit dhe mund të dëshmojnë dhe për organet ligjzbatuese shqiptare. Përfshirë këtu dhe publicistin, shkrimtarin e gazetarin amerikan, Guy Lawson, i cili ngjarjen e treguar me hollësi në artikullin e gazetës e ka detajuar edhe më shumë në librin e botuar, me titull “Arms and the dudes” (Armët dhe çunat), publikuar në 2015. Shtëpia shumë e njohur kinematografike e Hollivudit, Warner Bros Pictures, bazuar në këtë libër më 2016 prezantoi premierën e filmit “War dogs”, “Qentë e luftës”, me regji dhe skenar të Todd Phillips, autorin e Trilogjisë së famshme “Hangover”, e cila njihet si një ndër filmat që ka thyer rekorde të shikueshmërisë në botë me një inkasim prej 1.3 miliardë dollarë.

Është bërë dhe film kjo ngjarje, ndërsa Shkelzen Berisha humbi të dyja shkallët e gjyqësorit në Florida, përballë gazetarit amerikan, të cilin e akuzonte për shpifje në drejtim të tij. Dhe për drejtësinë amerikane, Shkelzeni është i përfshirë. Nuk është habi që dokumentet të vijnë dhe në Shqipëri, për t’u përdorur për hetimin dhe gjykimin e ngjarjes së Gërdecit, e cila është e hapur dhe djali i ish kryeministrit është në listën e dëshmitarëve për të dhënë shpjegime për këto akuza.

Berisha po e sheh se ‘laku’ po ngushtohet gjithnjë dhe më shumë, dhe ndoshta ai është i vetmi që ka parë si rrezik për veten dhe familjen e tij këtë vizitë të Dumanit në krye të një delegacioni të zgjeruar të SPAK në Uashington, takimet e tij me të gjitha strukturat ligjzbatuese, përfshirë dhe ato të mbrojtjes së dëshmitarëve. Ndaj ka nisur të shtojë daljet në media për të mbrojtur veten e familjen, ndaj ka nisur të intensifikojë sulmet në sallën e Parlamentit për të bllokuar seancat, nën justifikimin e mbrojtjes së Kushtetutës, të cilën për hir të së vërtetës nuk e ka njohur as si dokument që në krye të herës, por për këtë do të flasim njëherë tjetër.

Berisha trembet, sepse si për koncidencë, pikërisht pas një vizite tjetër të prokurorëve të SPAK e BKH si dhe ‘trajnimit’ të tyre në SHBA për disa ditë, erdhi goditja e parë e madhe, arrestimi i dhëndrit Jamarbër nën akuzën e pastrimit të parave dhe vënia nën hetim e vetë Berishës me masë sigurie paraqitje 2 herë në muaj në Gjykatë, për korrupsion pasiv në shërbim të familjarëve të tij. Një hetim dhe kopsitje dosjeje alla-amerikane kjo, që të fut dridhmën. Dhe që e ka trembur aq shumë Berishën sa refuzon të shkojë në gjykatë, duke refuzuar të marrë njoftimin.

Ndonëse pret me zemër të ngrirë se çfarë do të sjellë si ‘as’ nën mëngë nga SHBA Dumani dhe prokurorët specialë, Berisha i cili i di më mirë se askush tjetër tërë zullumet që ka bërë në 32 vite, tenton të krijojë ‘furtunë në gotë’ me cic-micet në Kuvend, daljet para mediave, përmendje emrash dhe ngatërrim personash një lojë e tij si padashje, për të tentuar krijimin e një klime të tillë, që ta orientojë tërë procesin drejt asaj që ka nisur të artikulojë tashmë, se ‘po përndiqet politikisht’. Gjë e cila deri më tani nuk i ka sygjestionuar fare prokurorët e SPAK, që për hir të së vërtetës po ndjekin paratë. Njësoj siç veprojnë organet ligjzbatuese amerikane, ku janë trajnuar.

Berisha është në pritje të zbardhjes së goditjes së dytë të madhe me sa duket. Ka evidentuar dhe ‘pikat’ ku mendon se do të goditet. Eshtë hetimi i “Gërdecit’ ku akuzohet si i përfshirë djali i tij Shkelzen, por dhe vrasja m 21 janari 2011 e 4 demonstruesve të opozitës apo dhe afera CEZ-DIA. Mund të vijë ekspertiza e FBI-së amerikane që e rrëzoi drejtësia e komanduar nga Berisha asokohe. E cila tregon se kush qëlloi, si u përgatit masakra më 21 janar, gjë që Berishën e ka bërë me zemër. Pasi mund të goditet përpos tij dhe ‘bankomatit’ të parë të Foltores dhëndri Malltezi që është në burg dhe pasuria i është vënë nën sekuestro, edhe ‘bankomati’ i dytë, pasuria e djalit Shkelzen Berisha. Atëherë mbetet në ‘diell’ Berisha, pa para si dhe pa asnjë mbështetje, i zbuluar para drejtësisë. Sepse përpos disa Bardhit e deputetëve, askush s’i shkon prapa ish kryeministrit!

Ndaj po shohim përpjekjet e dëshpëruara të Berishës për të fituar kohë, përmes tentativave për konflikte dhe përplasjeje në Kuvend. Që gjithsesi më shumë i vijnë për ‘osh’ mazhorancës për të treguar se kush është përballë saj, si një opozitë që s’ka qëllim të bëhet alternativë për qeverisje por që lufton për të mbrojtur Berishën, familjen dhe ortakët e tij nga akuzat e drejtësisë.

Megjithatë të presim çfarë ‘mesazhi” do sjellë Dumani dhe delegacioni i SPAK dhe i Byrosë Kombëtare të Hetimit nga Uashingtoni. Të sigurtë jemi që janë mesazhe të mira për Shqipërinë, dhe për pasojë të zeza dhe për Berishën, familjarët dhe ortakët e tij. Të presim.

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Syleshi: 01/11/2023 14:47

    Kur të hipën vetja në qef e kujton se bota është e sheshtë e nuk rrotullohet rreth diellit.

    Përgjigju
  • Scutari: 31/10/2023 21:44

    Ku e fal Sypeshkaqenin Uncle Sam?! E kuptoni se ai ka mashtruar SHBA duke i shitur fishekët kinez që ishin përjashtuar nga kontrata dhe që i duheshin në luftë?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës