Durrës, aksidentohet eskorta
e Presidentit Bujar Nishani

Durrës, aksidentohet eskorta<br />e Presidentit Bujar Nishani
DURRËS - Eskorta e Presidentit Bujar Nishani u aksidentua në qytetin bregdetar të Durrësit. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në afërsi të vilës presidenciale në zonën e plazhit të qytetit bregdetar. Në eskortë ka qenë edhe Presidenti Bujar Nishani, pasi ishte duke dalë për të lëvizur drejt qytetit të Tiranës.

Lajmi është konfirmuar për shqiptarja.com nga burime të Ministrisë së Brendshme.

Burimet thanë se, në aksident është përfshirë makina e parë e eskortës së presidentit Bujar Nishani, duke shkaktuar disa dëmtime. Makina e parë është përplasur me një automjet tjetër që ishte duke lëvizur në rrugë, një “Benz” me targa gjermane që pas verifikimeve ka qenë me dokumente të rregullta. Makina e eskortës është përplasur në krahun e shoferit.

Të njëjtat burime policore pohuan, se automjeti që është bërë shkak i aksidentit, nuk ka parë shenjën e policisë për të ndaluar, ndërsa eskorta ka qenë duke dalë nga vila presidenciale.

Drejtuesi i makinës së parë të eskortës është lënduar lehtë. Pas aksidentit eskorta e Presidentit Bujar Nishani ka vazhduar rrugën në drejtim të Tiranës.
Burime nga policia e Durrësit kanë bërë të ditur se, nuk ka person të ndaluar në lidhje me këtë ngjarje.

Ky është aksidenti i dytë i eskortës së Presidenti. Në 14 shtator të vitit 2012, një prej makinave shoqëruese të presidentit u përfshi në një aksident në Peqin, ku humbi jetën një gardist dhe një tjetër u lëndua.
 aksidenti i eskortes se presidentit

eskorta  e nishanit durres
(Në foto: Makina e eskortës së Presidentit e aksidentuar në Durrës dhe pjesët e rënë nga përplasja)

MB: DREJTUESI I MJETIT QË PËRPLASI ESKORTËN JETONTE NË GJERMANI
Në orën 11.58 Ministria e Brendshme, ka sqaruar me anë të një njoftimi aksidentin e ndodhur mëngjesin e sotëm me eskortën e Presidentit në Durrës.
“Një nga automjetet e shoqërimit të Presidentit të Republikës është aksidentuar sot paradite në zonën e plazhit në qytetin e Durrësit. Rreth orës 08:25, mjeti tip “Skoda Oktavia”, me targë MB 007 AA, i cili ndodhej në krye të eskortës së presidentit, teksa po dilte nga zona e rezidencave qeveritare në aksin rrugor në drejtim të Tiranës, është goditur në mënyrë aksidentale nga mjeti “Benz”, ngjyrë gri me targë të huaj Lu TR 320 me drejtues shtetasin Shpëtim Suma, 36 vjeç, lindur në Tropojë e rezident në Gjermani.
 
Drejtuesi i automjetit të eskortës është dëmtuar lehtë (tronditje) dhe gjendet në ambientet e spitalit të Durrësit. Në vendin e ngjarjes po kryhen veprimet procedurale për rastin nga një grup i përbashkët me ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës. Nga hetimet paraprake rezulton se drejtuesi i mjetit Shpëtim Suma ka qenë i pajisur me leje drejtimi të klasit B”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Diplomacia, a ka ndryshuar imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare?



×

Lajmi i fundit

Kjo është shenja më manipuluese e Horoskopit

Kjo është shenja më manipuluese e Horoskopit