DURRES - Dogana, në bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës, pasi kanë siguruar informacion e duhur, kanë bllokuar një kontejner me cigare kontrabandë me rreth 740 koli cigaresh, me një vlere tregtare prej 1.4 milion eurosh në portin e Durrësit.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të Doganave, “operacioni është zhvilluar nga dogana e Durrësit në bashkëpunim me antikrimin ekonomik si dhe shërbimet inteligjente”. Ai ka konfirmuar se cigaret vinin nga Kina dhe se shmangja e detyrimit doganor ishte e barabartë me rreth 40 milionë lekë të reja.

Ai tha se cigaret kontrabande ishin fshehur në një kontejner mes mallit të deklaruar si dyer dhe brenda kornizave të brendshme të këtyre dyerve ishin futur kolitë e cigareve.

Për këtë është ndaluar një person.

Cigaret e markave të ndryshme kishin si vend origjine Kinën, ndërsa destinacioni përfundimtar ishte qyteti i Durrësit, ku synohej tregu i brendshëm. Kontrolli i tyre është bërë sipas analizës së rriskut. Kreu i doganave ka pohuar se konsumatoret që blejnë cigare pa pullë janë të rrezikuar pasi cigaret shiten më shtrenjtë ndërkohë që janë jo cilësore dhe të dëmshme për shëndetin pasi prodhohen jashtë çdo norme kontrolli.

(mb/shqiptarja.com)