DURRES- Dy peshkatarë humbën jetën pasi varka e tyre u mbyt një milje larg plazhit të Durrësit në detin Adriatik mbrëmjen e djeshme.

Peshkatarët e mbytur janë Ndue Gjoka 52 vjeç, si dhe Ramë Metalia 32 vjeç, të dy banorë të zonës së plazhit.

Dy peshkatarët kishin dalë për peshkim me varkën e tyre përballë pistës së vjetër në qytetin bregdetar.

Policia Kufitare bën me dije se ka marrë njoftimin nga familjarët rreth orës 20:00 të mbrëmjes së mërkurë (27 nentor) për humbjen e kontakteve dhe menjëherë kishin nisur operacionin për kërkimet. Fillimisht në orët e natës është gjetur varka dhe shumë pranë saj trupi i pajetë i Ndue Gjoka. Më pas sot paradite (ora 11:00) policia kufitare informoi për gjetjen e trupit të pajetë të peshkatarit të dytë Ramë Metalia në zonën e Currilave, 2 milje larg vendit ku kishin shkuar për të peshkuar.

Trupi i pajetë është gjetur gjysëm milje përballë portit gjerman. Duhet të kenë qenë peshkatarë të tjerë të cilët pasi kanë parë kufomën kanë njoftuar policinë.

Dyshohet se varka e dy peshkatarëve u mbyt pasi u përplas me bovat, fenerët që pluskojnë mbi det për orientimin e anijeve në zonën bregdetare dhe dy peshkatarët kanë gjetur vdekjen për shkak të ujit të ftohtë.

durres
(Foto: Moli nga u nis peshkarexha me dy peshkatarët e mbytur)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)