DURRES- ”Rally Albania” gara e shumëpritur nga të aposionuarit pas sporteve në terren të thyer ka nisur dje, nga qyteti bregdetar i Durrësit. Gara do të vazhdojë për shtatë ditë dhe do të ketë për qëllim promovimin e bukurive të vendit tonë.

Filloi dje gara më spektakolare “Rally Albania”. Gara emocionuese që u dedikohet të gjithë atyre që janë në kërkim të aventurave ekstreme dhe sporteve që të rrisin adrenalinën, ka startuar pasditen e djeshme në qytetin bregdetar të Durrësit. Ky është edicioni i nëntë i “Rally Albania”, ku marrin pjesë më shumë se 150 garues nga 30 vende të ndryshme të botës. Itinerari prej 7 ditësh i kësaj gare nis në Durrës dhe kalon nga Pogradeci e Berati në një terren krejtësisht malor dhe me një gjatësi të përgjithshme prej 1750 km. Një javë emocionuese, me shumë adrenalinë dhe për më tepër, shumë garues, pilotë dhe copilotë që nisi në 7 qershor dhe përfundon në datën 14 qershor.

Ky aktivitet është vërtet interesant dhe nga viti në vit shtohet numri i pjesëmarrësve dhe i garuesve nga vende të ndryshme të botës. Një aktivitet i përmasave të tilla, nuk shërben vetëm për kënaqësinë e garuesve, por shërben edhe për një imazh shumë të mirë për turizmin në vendin tonë. Kryebashkiaku i qytetit të Durrësit, Vangjush Dako, në lidhje me këtë aktivitet shprehet se “Jam shumë i lumtur që organizatorët e “Rally Albania” kanë zgjedhur Durrësin për të startuar këtë garë. Ju, uroj suksese dhe të fitojë më i miri. Uroj që garuesit që kanë ardhur nga të gjitha vendet e botës të shijojnë bukuritë e shqipërisë, duke parë nga afër sesa ne investojmë për turizmin. Ata do të jenë ambasadorët e vërtetë në botë”.

Ndërsa sipas organizatores Julinda Dhamo kjo garë kalon nga vendi ynë për të tretën herë dhe një nga synimet e organizatorëve është edhe njohja e pilotëve drejtues me bukuritë dhe pamjet mahnitëse të natyrës sonë. Dhamo tha se gara që zhvillohet sipas standardeve ndërkombëtare të konkurimit me makina, nuk do të ketë fitues, por ajo synon ndër të tjera edhe sensibilizimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve dhe qytetarët për rrezikun, që paraqet trafiku rrugor kur nuk zbatohen rregullat e lëvizjes. Në etapat e kësaj gare kanë konfirmuar pjesëmarrjen 150 garues në kategorinë e motorrave, makinave dhe mjeteve të vogla badi. 11 prej tyre janë nga vendi ynë, ndërsa të tjerët përfaqësojnë vende si Italia, Greqia, Finlanda, Sllovakia, Austria, Polonia, Bullgaria, etj. Qëllimi i kësaj gare të përvitshme është që të eksplorohen edhe bukuritë e pakrahasueshme shqiptare të cilat në më të shumtën e tyre, gjenden të fshehura në hapësira natyrore ku mungon krejtësisht infrastruktura rrugore. Kjo garë mund të shikohet edhe si reklamë pozitive për vendin tonë. Ndërsa për rregullat e kësaj gare mund të themi se ato nuk janë standarde. Shtetet pjesëmarrëse të kësaj gare janë Australi, Zelandë e Re, Angli, Finlandë, Norvegji, Suedi, Danimarkë, Greqi, Hungari, Austri, Letoni, Estoni, Lituani, Bullgari, Shqipëri, Turqi, Spanjë, Holandë, Gjermani etj. Vitin e kaluar gara emocionuese e “Rally Albania” mblodhi rreth 320 pilotë nga 30 shtete të botës. Pilotët e huaj patën mundësi që të preknin nga afër natyrën, bukuritë dhe mikpritjen shqiptare për një javë duke shijuar edhe pasuritë natyrore anembanë vendit tonë. Gara vitin e shkuar startoi nga Tirana dhe fitues i garës ishte Renti Sina, ndërsa vendin e dytë e zuri Drini Speta.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)