DURRËS - Një ngjarje e rëndë që ka vënë në alarm policinë, është shënuar dje në qytetin e Durrësit. Madje, është dashur dhe ndërhyrja e forcave special RENEA, për të parandaluar një masakër të vërtetë. Mëngjesin e djeshëm, policia është lajmëruar, se rreth orës 08.05, në fshatin Gjepalaj, një shtetas po qellonte me armë në drejtim të banesës së 52-vjecarit B.Gj.

Në vend shkuan menjëherë shërbime të këtij Komisariatit të Durrësit e Shijakut, të cilët lokalizuan në afërsi të banesës, të armatosur me automatic, Blerim Gjepalin, 37 vjeç, banues në po këtë fshat.

Pas kërkesës së bërë për mbështetje nga shërbimet e specializuara RENEA, shërbimet në vendngjarje arritën të vendosin negocim me të armatosurin, i cili paraqiste shkallë të lartë agresiviteti.

Duke mbajtur parasysh në radhë të parë sigurinë e efektivit, u arrit të ndërhyhet, duke bërë të mundur neutralizimin e personit të armatosur, duke iu bllokuar dhe arma. Ngjarja ka ndodhur për motive tejet banale, pasi djali i të zotit të shtëpisë që po qëllohej, nuk i kishte dhënë autorit disa lekë borxh.

Redaksia Online
(s.g/shqiptarja.com)