Këto gara nuk njoftohen as në faqen e internetit të Portit Durrës, as në atë të ministrisë së Punëve Publike e Transportit dhe nuk janë pasqyruar as nga Agjencia e Prokurimit Publik, që zakonisht nuk lë gjë pa pasqyruar në raste të tillë.
Në fakt, po të besojmë atë që raportohet në faqen e internetit të Autoritetit Portual, që ndjek gjurmët e një “qeverie të dixhitalizuar”, do të konstatojmë se gjatë vitit 2013 nuk ka asnjë tender të realizuar, ndonëse jemi në muajin e pestë të vitit.
Ky Autoritet organizon tendera të fuqishëm, si në rastin e rrugës së hyrjes nr.2 në terminalin e trageteve apo rrugën tek kalata lindore e Portit, ku i pari ka shënuar një vlerë 116.5 milionë lekë të reja dhe i dyti 90.7 milionë.
Sipas burimeve të sipërpërmendura, jo të gjithë tenderat mund të kryhen nga vetë Autoriteti. Në përputhje me rregullat në fuqi, një pjesë e tyre mund të kryhen vetëm me lejen e ministrit Olldashi. Ata që zhvillohen ditët në vijim janë pikërisht të tillë.
Porti i Durrësit kryen një aktivitet tepër të gjerë ekonomik, që kërkon edhe një aktivitet juridiko-ekonomik intensiv për të përcaktuar në përputhje me ligjet se kush do të kryejë punimet apo shërbimet dhe kush do të furnizojë mallrat, më em leverdi për shtetin dhe punën.
Por, mosraportimi i hapave që kryhen gjatë këtij aktiviteti hedh një hije dyshimi për arsyet pse mbahen të fshehta këto veprime. Për më tepër, kur, ashtu si në rastin e rrugëve, edhe tenderat për Portin po kryhen pak ditë larg zgjedhjeve parlamentare, që mund të sjellin edhe ndryshime në administratën shtetërore që drejton këtë ndërmarrje, nga më të mëdhatë në vend dhe nga të paktat që kanë mbetur ende në administrim publik, të paktën më përmasat e saj.
Ndryshe nga Porti i Durrësit, ku, veç të tjerash, vijon puna për realizimin e portit të peshkimit, që ka qenë bllokuar për një periudhë të gjatë kohe, por u zhbllokua pas një financimi ndërkombëtar, Porti i Vlorës nuk njeh asnjë lloj ndryshimi, megjithëse vite më parë i erdhi një shans i paparë për financim modernizimi nga qeveria italiane.
Ndonëse nuk mund të thuhet se kemi të bëjmë me një rast të rrallë, e njejta ministri dhe i njejti ministër kanë bërë që të pezullohet një fond prej 15 milionë eurosh për këtë qëllim, duke qenë se pala shqiptare këmbëngulte që të shpallte fituesen e tenderit jo sipas kritereve që kishte përcaktuar dhe kërkonte pala financuese.
Në këto kushte, tenderi sot e kësaj dite quhet i anuluar. Për ofrimin e shërbimeve apo për përdorimin e hapësirave të Portit të Durrësit janë të interesuara shumë kompani shqiptare e të huaja, të cilat aktualisht po rrinë në pritje të porosive shtetërore, të cilave mund t’u përgjigjen më së miri me kapacitetet dhe aftësitë e tyre.
Si dhe në rastin e rrugëve, vihet re se po të njejtët emra kompanish shpallen fitues për vite me rradhë, a thua se nuk ka të tjera që janë të afta të kryejnë me cilësi e shpejtësi të njejtat punë e shërbime.
Në mjediset e biznesit qarkullojnë fjalë se, ndryshe nga vendet e tjera, ku kryefjala është leverdia e shtetit, për shtetarët shqiptarë më e rëndësishme është dhënia e parave të shtetit pronarëve të firmave, të njohur për “besnikëri”, partiake apo personale, me të cilët e kanë të lehtë të realizojnë edhe pjesën korruptive.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.05.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)