DURRËS - Shpallet i pafajshëm, i akuzuari se kishte vjedhur makinën që u përdor për vrasjen e Komisarit, Dritan Lamaj. Vendimi është dhënë ditën e sotme nga Gjykata e Durrësit, për Gentian Bejtjan, si dhe personin tjetër të akuzuar si bashkëpunëtor të tij, Enver Stafuka.

Vendimi është dhënë gjatë ditës së sotme, ndërsa prokuroria kishte kërkuar dënimin me 3 vite burg të Bejtajt. Gjatë seancës, janë paraqitur edhe pamjet nga kaseta ku nga prokuroria pretendohet se ka sekuenca ku shfaqej autorësia e vjedhjes.

Pas këtyre provave, trupi gjykues për mungese provash, ka vendosur që të shpallë të pafajshëm Gentian Bejtajn për vjedhjen e makinës “BMW” që është përdorur në vrasjen e Komisarit Lamaj.

Gjatë kësaj seance me dyer të mbyllura, është dhënë vendimi i pafajësisë, edhe për Enver Stafukën, i cili u akuzua se ishte bashkëpunëtor në vjedhjen e mjetit “BMW”.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)