Braktisja nga ish-i dashuri, ka bërë që një 41-vjecare të hakmerret duke i djegur atij automjetin dhe duke tentuar t’i vërë flakën edhe banesën ku jetonte, me pretendimin se ia kishte blerë vetë. 

Ngjarja e pazakontë ndodhi në zonën afër stadiumit në Durrës, ndërsa autorja Donika Stafa është vënë në pranga të policisë. 

Policia ka shpallur në kërkim vëllain e saj, i cili dyshohet se e ka ndihmuar të realizojë planin, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi edhe një shtetas italian që shoqëronte autoren

Kanë qenë kamerat e sigurisë së zonës që kanë fiksuar autoret dhe që bënë të mundur zbulimin e tyre.

Mësohet se 41-vjeçarja banonte në Itali dhe kishte ardhur pak ditë më parë në vendlindje. Ajo ka deklaruar para hetuesve se kishte qenë e lidhur me 42-vjeçarin, dhe se i kishte blerë këtij të fundit shtëpinë dhe makinën.

Por, ajo pretendoi se i dashuri e kishte lënë pa i dhënë shpjegime, duke e çuar 41-vjeçaren në vendimin për t’u vënë flakën. Ndërkohë nga verifikimet e bëra  rezulton se si automjeti ashtu edhe banesa ishin në emër të 42-vjecarit.