TIRANE- Një i moshuar në Durrës është gjetur i lidhur me tel dhe i djegur në një kasolle pranë banesës së tij. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në lagjen numër 10 të këtij qyteti, ku 75 vjeçari me iniciale S.B është gjetur me njërën këmbë të lidhur mbi turrën e druve që mbante në kasolle.

Po ashtu, shumë pranë trupit të pajetë të të moshuarit, policia në vendin e ngjarjes gjeti edhe një bombël gazi e cila kishte qenë e hapur. Njoftimi në polici është bërë nga banorët e lagjes, pasi viktima jetonte i vetëm në banesën e tij. Aktualisht, blutë e Durrësit janë duke punuar mbi dy pista, atë të vetëvrasjes dhe mbi ndonjë vrasje të qëllimshme ndaj tij. Në trupin e të moshuarit, policia tha se janë gjetur shenja të dukshme djegieje, ndërkohë që pritet edhe ekspertiza mjeko-ligjore.

Ngjarja
Dje, rreth orës 10:00, pranë shkollës “Hajdar Dushi”, në Durrës, policia e këtij qyteti gjeti të djegur trupin e 75 vjeçarit S.B. I moshuari kishte disa kohë që jetonte i vetëm në banesën e tij, pasi bashkëshortja kishte shkuar të jetonte në Itali së bashku me fëmijët. 75 vjeçari ishte babai i tre fëmijëve, i dy djemve dhe një vajze. Sipas banorëve të lagjes numër 10, pak muaj më parë, një nga djemtë e viktimës kishte humbur jetën në një aksident automobilistik në Itali.

Që prej asaj kohe viktima kishte kaluar në një gjendje depresioni dhe nga shtëpia dilte shumë shpesh. Lidhur me këtë fakt, burime nga policia lokale thanë për gazetën “Shqiptarja.com” se kjo është një nga arsyet që 75 vjeçari mund të ketë shkuar deri në vetëvrasje. Të njëjtat burime shtuan më tej se, në hyrje të shtëpisë së viktimës, ajo që vihej re në pamje të parë ishte një foto e varur në mur e djalit që i kishte vdekur. Po ashtu, sipas banorëve, viktima kishte disa kohë që nuk fliste me bashkëshorten dhe me dy fëmijët e tij, pasi kohë më parë kishin pasur konflikte mes njeri-tjetrit.

“Kishte disa ditë që dilte shumë pak nga shtëpia. Ne në lagje e njihnin për një njeri të mirë. Por, pas vdekjes së të birit ai filloi të rrinte vetëm në shtëpi. Nuk dilte e fliste më me njeri si më parë”, tha një burrë i të 40-ve. Ndërkohë, pranë trupit të pajetë të të moshuarit, policia gjeti edhe një bombël gazi e cila ishte lënë e hapur. Fillimisht, dyshohet se S.B është asfiksuar si pasojë e gazit, por më pas në trupin e tij janë gjetur shenja të dukshme djegieje.

Hetimet
Dy janë pistat kryesore të kësaj ngjarjeje në të cilat policia është duke hetuar. E para është ajo e vetëvrasjes dhe pista tjetër është ajo e ndonjë vrasjeje të mundshme, pasi 75 vjeçari është gjetur i lidhur me tel në njërën këmbë. Lidhur me këtë ngjarje, janë marrë në pyetje edhe disa prej të afërme të 75 vjeçarit me iniciale S.B.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)