Kandidati i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropian”, Vangjush Dako gjatë një takimi elektoral në një nga bizneset e mëdha fason që operon në qytetin bregdetar, deklaroi se, mandatin e ardhshëm do të jenë në fokus njerëzit në nevojë.

“Të moshuarit pa mbështetje, gratë e dhunuara, fëmijët jetimë do të jenë fokusi i punës tonë të përditshme, pasi si një shtresë me probleme të shumta ato kanë nevojë për mbështejen tonë”, u shpreh kandidati socialist.

Dako tha se, familjet në nevojë do të përfitojnë rritje me trefish të fondit në mbështetje të tyre. “Ne kemi marrë masa për rritjen e fondit që do të jetë për familjet në nevojë dhe ky fond do të jetë tre herë më i madh, në mënyrë që këto familje të kenë për nevojat e tyre tre herë më shumë fonde se sa kishin më parë”, shtoi Dako.

Më tej kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane për bashkinë e Durrësit deklaroi se, punësimi që është një nga plagët e qytetit të Durrësit tha se do të zgjidhet me projektet e reja të investimeve.

“Një nga këto projekte është zona e lirë ekonomike në Spitallë, ku në një sipërfaqe 480 hekatrë do të ndërtohet një platformë gjigante nga një kompani e huaj, e cila do të ngrejë infrastrukturën për të prodhuar dhe shitur produkte të ndryshme për tregun e Evropës Perëndimore. Kjo gjë do të bëjë që të hapen mijëra vende pune dhe pas kësaj nuk do të ketë më të papunë në Durrës”, përfundoi Dako.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)