Policia e Durrësit pas më shumë se 17 ditësh hetime ka bërë të mundur arrestimin e dy personave, si të dyshuar për vrasjen e dy të moshuarave në qytetin bregdetar mëngjesin e 2 shtatorit 2014, ndërsa burime pranë uniformave blu bëjnë të ditur se është shpallur në kërkim dhe një i tretë.

Burime nga Drejtoria e Policisë të qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se falë një pune intensive hetimore është e bërë i mundur ndalimi i Velson Elmasit, 28 vjeç, lindur e banues në Elbasan, i dënuar më parë me 4 vjet burg për marrëdhënie seksuale me dhunë. Po ashtu, është arrestuar Artur Kaçanolli, 28 vjeç, lindur e banues në Shijak, i padënuar më parë, i dyshuar si bashkëpunëtor dhe për mbajtje pa leje të municioneve luftarake. Ndërsa është shpallur në kërkim Indrit Shaqja, 41 vjeç, lindur dhe banues në Shijak, i dënuar për krime kundër jetës dhe për disa ngjarje të rënda kriminale.

Këta shtetas dyshohet se bashkëpunim me njëri-tjetrin më datë 2 shtator kanë hyrë në banesën e dy kunatave, të moshuarave Elsa Vava 72 vjeç dhe Gjinovefa Vava 77, për të vjedhur sende më vlerë dhe para, por kanë hasur kundërshtinë e të moshuarave dhe për këtë ata kanë nisur t'i torturojnë deri në vdekje viktimat, të cilat u gjetën nga policia të lidhura dhe mbytura me qese plastmasi në kokë në shtëpinë e tyre në lagjen nr.11 të Durrësit mbrëmjen e 2 shtatorit 2014. Ato jetonin së bashku në banesën e vjetër dykatëshe në një nga lagjet kryesore të Durrësit. /ATSH/