Prokuroria e Qarkut Durres
-Prokuroria pritet të apelojë vendimin
TIRANË, 16 Janar/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Gjykata e Durrësit ka shpallur mesditën e sotme të pafajshëm ish-kryeinspektorin e Mjedisit në këtë qytet, Genci Balla, i akuzuar për "korrupsion pasiv...", i cili u arrestua në flagrancë së bashku me inspektorin Eduart Bejko, duke ndarë paratë që i kishin marrë një shtetasi kinez, administrator i një kompanie private që operonte në Durrës.
Pavarësisht se në të njëjtat rrethana të arrestimit në flagrancë (pra, duke ndarë paratë), inspektori Bejko, ndryshe nga eprori i tij, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim për akuzën e "Korrupsionit pasiv...". Po ashtu, është shpall fajtore edhe shtetasja Dorina Nikolla, e cila u dënua me 7 muaj burgim, por që do të kalojë në shërbim prove, e akuzuar për "Ushtrim ndikimi të paligjshëm..." tek dy zyrtarët Balla dhe Bejko.
Për prokurorinë e Durrësit, vendimi i treshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtarja Anita Mici dhe anëtare Tritan Hamitaj e Petraq Curri, konsiderohet tërësisht të pabazuar në ligj dhe në prova dhe, sapo të zbardhet, do të dorezojë ankimin pranë Gjykatës se Apelit Durrës.
Në konkluzionet e saj gjatë këtij procesi gjyqësor, Prokuroria e Durrësit kërkoi dënimin me nga 4 vjet e gjysëm burgim secilit për dy drejtues të Inspektoratit të Mjedisit në këtë qytet, të akuzuar për veprën penale të "korrupsionit pasiv..." dhe 1 vit e 6 muaj për shtetasen Dorina Nikolla. Nga hetimi rezulton se dy punonjësit publikë merrnin nga administratori shumën prej 100 mijë lekë të reja në muaj, në këmbim të mos-ushtrimit të kontrollit në këtë kompani private./a.g/