DURRES - Biznesmeni nga Kukësi Ardian Trota është arrestuar pasi i ka shpëtuar mrekullisht një atentati, e dyta përpjekje që bëhet për eleminimin e tij brenda një viti e gjysmë. Makina e tij është hedhur në erë këtë mëngjes me shpërthim të telekomanduar me lëndë eksplozive të dyshuar tritol, duke u shkrumbuar thuajse totalisht. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:30 të mëngjesit të së shtunës në një rrugë dytësore pranë Shkëmbit të Kavajës, pranë vendit të quajtur Shkallnur të qytetit Durrës
 
Si pasojë e shpërthimit Trota i cili ndodhej pranë makinës, ka pësuar dëmtime fizike dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës është jashtë rrezikut për jetën. Pas këtij momenti Policia e Shtetit e ka arrestuar atë për shkak se ka shkelur edhe masën e arrestit në shtëpi. Masë të cilën duhet ta kryente në banesën e tij në Kukës.

Sipas informacioneve zyrtare nga policia e Durrësit, 45-vjeçari ka qenë duke lëvizur me automjetit të tij Benz E 270 CDI me targë AA 765 FN. Pavarësisht shpërthimit të fuqishëm Trota ka mundur të shpëtojë me lëndime që nuk i rrezikojnë jetën. Nga spitali i Durrësit pas ekzaminimit mësohet se 45-vjeçari ka pësuar dy djegie në këmbë dhe në qafë.

Sipas forcave xhenierie lënda plasëse është vendosur në sediljen e pasme, ndërsa nga shpërthimi i fuqishëm është dëmtuar edhe një automjet tjetër i cili ndodhej i parkuar pranë makinës që u bë objekt i shpërthimit.

Policia është duke vijuar hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe zbulimin e autorëve.

makina tritol me logo

Trota u plagos edhe ne 2013-en, dy persona me motor tentuan ta vrasin ne lokalin e tij ne Kukes
Ndaj biznesmenit Ardian Trota ka pasur edhe më parë një tentativë vrasje në qershor 2013 në lokalin e tij që ndodhet në rrugën Kukës-Morinë. Dy persona me motor qëlluan me breshëri kallashnikovi kur 45-vjeçari ndodhej bashkë me dy persona të tjerë në ambientet e lokalit. Biznesmeni në atë kohë u plagos rëndë, por arriti t’i mbijetojë plagëve të marra nga breshëria e armës automatike. 

Grupi hetimor në atë periudhë tha dy persona me motor shkuan pranë lokalit dhe kërkuan të bisedojnë me pronarin Ardian Trota e më pas e kanë plagosur me katër plumba, ndërkohë që dy të tjerët janë plagosur gabimisht.


Arrestimi i Trotës, për thyerje të masës së arrestit të caktuar nga Gjykata
Gjykata e rrethit Gjyqësor Kukës në datë 12.01.2015, ndaj këtij shtetasi ka caktuar masën e sigurimit  “Arrest shtëpie” për veprat penale  të “Dhunës në familje”, “Vjedhje të energjisë elektrike” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” , parashikuar nga nenet 130/a,137/2 e 278/2 të Kodit Penal.
 
"Në kushtet kur shtetasi Ardian Trota është larguar nga banesa dhe nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës nga shërbimet e policisë është bërë arrestimi në flagrancë i tij për veprën penale të “Largimit të të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga neni 323 i Kodit Penal." - thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

makina
makina ne flake
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)