Durrës, ja si bëhej kontrabanda
e armëve në vitet ’90/ Dëshmitë

Durrës, ja si bëhej kontrabanda<br />e armëve në vitet ’90/ Dëshmitë<br /><br>
Që në fillim të viteve ’90 qeveria që doli pas përmbysjes së regjimit komunist çuditërisht i kishte mësuar të gjitha hiletë e zanatit ende pa marrë mirë detyrën dhe nisi të kontrabandojë armë dhe municione në vatrat e nxehta të rajonit tonë por edhe më larg.

Në fillim të viteve ’90 kur në vendin tonë u vendos rendi demokratik fqinji ynë, ish Jugosllavia, ishte përfshirë nga lufta ndër etnike e cila solli si përfundim shkatërrimin e saj dhe formimin e disa shteteve.

Pikërisht ishin ish Republikat e Jugosllavisë, të cilat kishin uri për armatime dhe municione pasi çelësat e ushtrisë atje i kishte Beogradi. Këtë situatë e përdorën qeveritë e vendit tonë për të shitur armatime dhe municione që gjendeshin me shumicë nëpër depot e ushtrisë shqiptare.

Në drejtim të ish Jugosllavisë, si në Kroaci, Slloveni dhe Bosnje u dërguan disa ngarkesa me armatime dhe municione. Përfaqësues të këtyre vendeve dërguan sekserët e tyre me kërkesa për armatime dhe municione pasi ato ishin të njëjta me armatimin jugosllav. Kërkesat vinin nga agjenci të ndryshme, por që pas tyre fshiheshin strukturat e armatosura të ish republikave Jugosllave.

Por nuk munguan as kërkesat nga organizata terroriste si Al Kaeda e cila bleu armë nga ushtria jonë por që u kap në ujërat ndërkombëtare dhe u sekuestrua.

Një ish doganier i asaj periudhe, që shërbeu në doganën e Durrësit në vitet ’90, tregon se si realizohej kontrabandimi i armatimit dhe municionit duke e fshehur atë sikur po transportoheshin produkte të ndryshme industriale apo ushqimore, pasi nëse merrej vesh e vërteta vendi ynë mund të përfshihej në luftë me ish Jugosllavinë si një vend që ndihmonte luftën civile në vendin fqinj me të.

Pas dërgimit me sukses të disa ngarkesave me armatime dhe municione, një anije kroate plot me automatikë dhe fishekë u kap nga GDF italiane në ujërat ndërkombëtare dhe si përfundim anija dhe ngarkesa u sekuestrua nga shteti italian, kurse ekuipazhi u burgos me akuzën e kontrabandës së armëve në zona të nxehta gjë që dënohet nga konventat ndërkombëtare.

Kur nisi kontrabanda e armëve dhe cilat ishin vendet që kishin nevojë për armët dhe municionet e ushtrisë shqiptare?
Që në muajin shtator të vitit 1991, sapo ishte krijuar qeveria e stabilitetit, nisi edhe tregtimi kontrabandë i armatimeve dhe municioneve. Ministria e Mbrojtjes dërgonte ngarkesat dhe dogana përpilonte dokumente sikur po tregtoheshin mallra të ndryshme të konsumit sikurse janë lëndët e ndërtimit, produktet bujqësore e të tjera.

Atë vit u ndesha me ngarkesën e parë e cila ishte e destinuar për Slloveni. Me tragetin”Hornbeam”me flamur maltez,  i cili lundronte në linjën Durrës-Coper(Capodistra), u imbarkuan 17 kamionë të rëndë të markës TAM, prodhim jugosllave me targa të Coperit dhe Lubjanës, të mbushur me municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm. Zyrtarisht këto kamionë rezultonin të ngarkuar me mallra të përzier.

Konkretisht në kamionë ndodheshin municione të kalibrit 7,62 mm pra fishekë për pushkë,automatikë e mitralozë të këtij kalibri. Gjithashtu gjendeshin mina të mortajave 60 mm,160 mm, mina kundra tanke si dhe mina kundër këmbësorisë. Kishte gjithashtu predha  RPG-2 si dhe predha topi të kalibrit 84 mm.

Në dokumenta rezultonte se pritësi i mallit ishte agjencia “Intereuropa Coper”, por në fakt pritësi i vërtetë ishte”Territorialna Odbrana”ekuivalente me ish cetat vullnetare të ushtrisë shqiptare. Ndërsa dërguesi ishte agjencia A-Detare Durrës prapa së cilës ishte Ministria jonë e Mbrojtjes, pasi MEIKO ende nuk ishte krijuar.Në dokumentat që mbërritën në doganë,ngarkesa ushtarake kishte vulat e ish Ministrit të Mbrojtjes Perikli Teta. Edhe pse trageti gjatë lundrimit në ujrat e ish Jugosllavisë u ndoq nga 2 katera silurues ai u imbarkua në Coper pa asnjë problem. Pala sllovene i derdhi paratë me anë të “Stopanska Banka Sllovenia. Kjo sasi parash u pranua me firmën e Ardian Fullanit në atë kohë punonjës në sistemin bankar shqiptar.

anija dr 
(Trageti HORNBEAM)

Po ngarkesa e radhës kur u realizua?

Në maj të vitit 1992 në portin detar të Durrësit u ankorua anija “Vela Luka” me kapacitet 1300 T me flamur dhe ekuipazh kroat. Ekuipazhi përbëhej nga marinarë që kishin dijeni të bollshme edhe për marinën luftarake ku edhe kishin shërbyer në të kaluarën.

Me kërkesë të kroatëve kjo anije u ngarkua me armatime dhe municione. Kroatët sikurse dhe sllovenët ishin në konflikt ushtarak me Beogradin dhe kërkonin shkëputjen nga Jugosllavia.

Në anije u imbarkuan 30 konteinerë me inicialet LPRU. Brenda tyre kishte municion rus të kalibrit 7,62 mm, mina mortaje të kalibrit 82 mm dhe 120 mm. Kishte predha thërrmuese dhe blindshpuese. Predha për topat 122 mm si dhe predha kundra fortifikimit. Zyrtarisht anija ishte e ngarkuar me bitum të hapur në formën e rrotave të djathit kaçkavall.
(Anija VELA LUKA)
(Anija VELA LUKA)

Në shtator po të vitit 1992 anija “Vela Luka”erdhi sërish në portin e Durrësit. Në të u imbarkuan 2 konteinerë me automatikë kallashnikovë. Një konteiner kishte automatikë të prodhimit shqiptar ASH-79 dhe ASH-82 ndërsa konteineri tjetër ishte mbushur me automatikë prodhim rus AKM.Edhe këtë radhë ngarkesa zyrtare ishte bitum.

Anija arriti ta kalojë bllokadën jugosllave dhe u ankorua në portin e Dubrovnikut ku edhe shkarkoi ngarkesën ushtarake.

Cili ishte fati i anijes Vela Luka më pas ?

Në nëntor 1992 Vela Luka e hodhi spirancën përsëri në Durrës. Në të u ngarkuan një sasi Tritoli ose TNT prodhim i uzinës së Mjekësit,barut piroksilinë 400 ton si dhe një sasi automatikësh kallashnikovë. Edhe kjo ngarkesë u kamuflua si prodhime industriale.

Por këtë radhë anija ishte vënë në shënjestrën e GDF italiane dhe sapo doli në ujrat ndërkombëtare u kap nga forcat e Repartit nr 4 që komandohej nga n/kolonel Francesco Petraroli. Anija, armatimi e municioni u sekuestruan ndërsa ekuipazhi i saj u arrestua dhe u burgos.

Ndërkohë,për shkak të kësaj ngjarje,ministria jonë e mbrojtjes e zëvendësoi drejtorin e MEIKOS dhe shkarkoi zv/ministrin e Mbrojtjes F.M. i cili mbulonte problemet ekonomike të Forcave të Armatosura. Ky i fundit iku ilegalisht në Itali.

Juve nuk kishit frikë se po kryenit një veprimtari antiligjore?
Në këtë rast lipset edhe pak patriotizëm dhe guxim. Kuptohet që neve e keqja nëse zbuloheshim do të na vinte nga institucionet ndërkombëtare dhe jo nga shteti ynë.

Unë udhëhiqesha nga mendimi se sa më shumë serbë të vriteshin në betejat me sllovenët,kroatët dhe boshnjakët aq më mirë ishte si për ne ashtu edhe për kosovarët që do të hynin në konflikt disa vite më vonë por që dihej nga të gjithë se kjo gjë do të ndodhte pashmangshmërisht.

Si i ndiqnit juve lundrimet e anijeve me armë e municione?
Ekuipazhet e anijeve ishin të instruktuara që të fiknin radiot e transmetimit dhe të mos kryenin asnjë lloj kontakti me të tjerë për të mos krijuar dyshime.Sapo anija mbërrinte në destinacion hapte radion dhe njoftonte fare thjeshtë vendndodhjen. Aty gjithcka konsiderohej e përfunduar.

Pas kapjes së anijes Vela Luka,shitja e armëve u ndërpre apo vazhdoi sërish?
Përkundrazi, vazhdoi por u morën masa që të mos diktoheshin nga forcat që patrullonin në ujrat ndërkombëtare.

Kapja e Vela Lukës u realizua kur konflikti në ish Jugosllavi po arrinte kulmin. U mbyll një kanal mjaft i rëndësishëm furnizimi me armë dhe municione,pasi vendi ynë shërbente edhe si pikë tranziti për furnizimin me armë të ish republikave jugosllave nga shtete të tjera.

Nga lart kërkohej me insistim shitja e armëve në Kroaci dhe në Bosjne. Të dyja vendet ishin aleate kundër Serbisë së Milloshevicit. Ndërkohë në vendin tonë por edhe në port vepronin agjentë të shërbimeve sekrete italiane dhe serbe. Shefi i Shërbimit sekret italian ishte Admiral Fulvio. Duheshin shmangur këto shërbime në një kohë që ngarkesat me armë dhe municione ishte bërë gati. Ato ishin ngarkuar nëpër kamionët e markave IFA , ZIL dhe MAN në bazat e armatimit të Gjegjanit afër Kukësit si dhe Palikeshit në Skrapar.

Për tja hedhur shërbimeve të huaja u mendua një truk i cili rezultoi i suksesshëm. Në portin detar gjendeshin të ankoruara 2 anije me flamur kroat. Njëra anije do të ngarkonte konteinerë me zarzavate të një biznesmeni shqiptar me banim në Kroaci. Kjo ishte anija “Hvar”.

Njëkohësisht në port gjendej edhe anija tjetër”Bobara” e cila shkarkonte cimento.

Konteinerët me siglat L.P.R.U shkuan në Maqedoni bosh dhe u ngarkuan me zarzavate por kryesisht me qepë. Njëkohësisht të tjerë konteinerë me siglën L.P.R.U shkuan në  veri dhe në jug ku u ngarkuan me armatime dhe municione 12,7 mm,12,7X80,14,5 mm prodhim kinez dhe sovjetik,mina mortajash 82 mm  dhe mortaje malore 107 mm si dhe automatikë kallashnikovë AKM të përdorur prodhim sovjetik si dhe kallashnikovë prodhim kinez mod-56.Gjithashtu u imbarkuan në konteinerë edhe predha katjushash 132 mm,RDX si dhe lëndë plasëse heksogjen. Në total 20 konteinerë me armatime dhe municione.

Në repartin 101 K në Shkozet të Durrësit, i cili kishte hapësira të bollshme magazinimi të cilat ruheshin me ushtarë të armatosur,kamionët maqedonas RABA dhe CAMAR të shoqërisë së transportit GALEB,futeshin në repart. Shoferët largoheshin dhe ktheheshin pas disa orësh për ti rimarrë mjetet e tyre dhe për ti cuar në port.Gjatë këtyre orëve shkarkoheshin konteinerët me zarzavate dhe më vend të tyre vendoseshin konteinerët me armatime dhe municione. Konteinerët me zarzavate imbarkoheshin te anija”Hvar” në kalatën nr 1 të portit të Durrësit e cila ruhej me ushtarë të armatosur ndërkohë që një makinë zjarrfikëse qëndronte aty pranë 24 orë duke krijuar idenë së në anije po imbarkohej municion luftarak. Ky ishte një demonstrim mashtrues tipik i organeve të specializuara. Ndërkohë anija”Bobara”që do të ngarkonte qepë ndodhej e ankoruar në kalatën nr 5 të portit detar. Kamionët me armatime ngarkoheshin pikërisht te kjo anije pa as edhe një masë sigurie.

Për ta bërë më të besueshme fabulën, konteineri  i fundit që u ngarkuar te anija”Bobara”nuk kishte armatime por qepë. Vincieri i turnit”gabimisht” e rrëzoi konteinerin e fundit prej nga ku u derdh një sasi qepësh nëpër kalatën ku ndodhej anija. Anija”Bobara”e përfundoi furnizimin nga mesdita dhe u nis për lundrim ditën me diell.

Ndërsa anija”Hvar”doli nga porti sapo ra nata në kushtet e fshehtësisë për ta bërë më të besueshme lojën.

Anija HVAR
(Anija HVAR)

Armët mbërritën pa ndonjë problem në Kroaci dhe u ndanë mes tyre dhe boshnjakëve. Zv/ministri boshnjak i mbrojtjes i asaj kohe Hasan Xhengic mbeti shumë i kënaqur ngaqë operacioni u krye me sukses dhe i ishte mirënjohës kolonel Aliut shqiptar.  

Anija BOBARA
(Anija BOBARA)

Ndërkohë anijet patrulluese serbe e interceptuan anijen”Hvar”dhe ushtruan kontroll ndaj saj  por gjetën vec ngarkesa me zarzavate kryesisht qepë. Ekuipazhi i “Hvarit”ju nënshtrua ndëshkimeve fizike nga autoritet serbe pasi këta dispononin foto të anijes në portin e Durrësit të rrethuar me ushtarë.

Si funksiononte tranziti i anijeve me armë që kalonin nga porti i Durrësit?
Nga ky port, nga rada e jashtme e tij, janë realizuar tranzite armatimi të destinuara për në Kroaci dhe Bosnje me origjinë nga shtete të ndryshme.

Në janar të vitit 1994, në radën e jashtme të portit të Durrësit mbërriti anija”Salman”me flamur dhe ekuipazh sirian me tonazh 5400 T. Anija ishte e pajisur me 2 kuverta. Ngarkesa zyrtare e anijes ishte qymyr guri i cilësisë së lartë ,antracid, i cili përdoret në industrinë e rëndë. Anija kishte ngarkuar në portin e Durbanit në Afrikën e Jugut dhe pastaj në Konstancë të Rumanisë. Pritësi i mallit  ishte ON ORDER që do të thotë sipas urdhërit i panjohur. Kuverta poshtë qymyrit ishte plot me armë. Armatimi kishte destinacion Bosnjen por do të shkarkonte në Kroaci.

Anija në fillim nuk ishte lejuar që të lundronte në ujrat shqiptare nga anija luftarake greke”Canaris”. Destrojeri grek kishte të drejtë të hynte në ujrat tona sepse Shqipëria kishte rënë dakort me OKB dhe NATON që anijet e angazhuara në operacionin”Sharp Gard”Roja Vigjilente ishin për të mbikqyrur embargon.6 komando të ekuipazhit grek kishin marrë në kontroll anijen siriane duke e drejtuar atë në drejtim të radës së portit të Durrësit. Rreth 5 milje në veriperëndim të anijes siriane gjendej anija luftarake angleze CHATM tip 42. Me insistimin e autoritetit portual Durrës komandot greke u larguan nga anija siriane me motoskaf gome me destinacion destrojerin”Canarais”. Luftanija britanike garantoi mbikqyrjen e anijes siriane.

Pas disa ditësh që anija siriane qëndronte në radën e portit të Durrësit,doli si nga dheu një kompani biznesi shqiptar e cila me” dokumenta të rregullta” ja kishte shitur qymyrin një kompanie kroate. Anija siriane pasi ju nënshtrua një”kontrolli” të imët nga ana e kufirit dhe doganës së Durrësit u nis për lundrim.

Megjithë këmbënguljen e destroierit grek për ta shoqëruar anijen siriane,fregata angleze e urdhëroi anijen greke që në bazë të një urdhëri të Krahut Jugor të NATOS(Mesdheu)AF South Naples detyra për shoqërimin e anijes deri në Kroaci i përkiste anijes angleze.

Ndërkohë sapo u afrua në ujrat e Malit të Zi,fregata serbo-sllave “Beograd”ish “Split”e shoqëruar nga 3 katera silurues doli nga porti i Tivarit por nuk e interceptoi anijen siriane sepse midis ujrave serbe malazeze u vendos fregata angleze.

Anija siriane shkarkoi qymyrin dhe armatimin në një port kroat të destinuar për përpunime anijesh me qymyre dhe minerale të llojeve të ndryshme.

   Anija SALMAN 
(Anija SALMAN)

Anija me armatime për Bin Ladenin.
Në muajin prill të vitit 1995 në portin e Durrësit u ankorua anija” Nyala” me flamur panamez. Zyrtarisht në këtë anije u ngarkuan një sasi makinerish metalprerëse por faktikisht kishte ngarkuar automatikë kallashnikovë, mitraloza si dhe municione të ndryshme. Destinacioni i tyre ishte Sudani. Pritësi i ngarkesës ishte  një kompani sudaneze me seli na Khartum dhe Juba. Shitësi ishte MEIKO. Anija pati disa probleme dhe qëndroi disa ditë në portin tonë derisa u ngarkua.

Anija u nis për lundrim por sapo doli në ujrat ndërkombëtare u bllokua nga një anije luftarake angleze dhe u ankorua në Maltë.

Më vonë mësuam se armatimi kishte qenë i destinuar për kampet e stërvitjes së AL Kaedës pasi nuk  kishim dëgjuar për to. Po kështu, më vonë dëgjuam për Bin ladenin që ishte drejtuesi i Al Kaedës.

Kjo ngarkesë përbënte një skandal dhe shteti shqiptar për ta mbyllur atë arrestoi agjentin detar, që në fakt shërbeu si një kokë turku,me akuzën e falcifikimit të dokumentit zyrtar ndërsa doganieri që nisi anijen u pushua nga puna.  

Anija SALMAN
(Anija NYALA)

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë