Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar buxheti për vitin 2015. Këshilltarët e PD-së janë larguar nga salla dhe nuk kanë marrë pjesë në votim por kjo nuk i ka penguar këshilltarët e PS-së dhe të LSI-së, të ndihmuar edhe nga ata të PDIU të krijonin kuorumin e mjaftueshem për t’i thënë OK buxhetit të vitit 2015.

Këshilltarët e PD kanë kërkuar shtyrjen e mbledhjes për miratimin e buxhetit me argumentin se në materialin e paraqitur nga bashkia mungon analiza e shpenzimit të fondeve për vitin që u mbyll.

Ky argument është kundërshtuar nga kryebashkiaku Vangjush Dako, i cili ka sqaruar se Thesari i Shtetit do t’i mbyll veprimet në datën 23 janar, gjë që krijon mundësinë e një mbledhjeje tjetër për të analizuar shpenzimet e vitit 2014.

Me pas është kaluar në votimin e buxhetit për të cilin kanë mjaftuar 26 votat e PS dhe LSI, të cilave iu janë bashkuar edhe votat e këshilltarëve të PDIU. Buxheti për vitin 2015 është 1.712.801.000 lekë në një kohë që ai i vitit 2014 ishte 1.804.294.407 lekë.
 


Redaksia Online 
(g.f/Shqiptarja.com)