DURRES - Mbështetja karshi fëmijëve jetimë, atyre të diagnostikuar me leuçemi, duhet të jetë koherente dhe jo vetëm në prag festash e përvjetoresh.  Kjo ka qenë kryefjalë e një mbrëmje bamirësie të organizuar në një rezort turistik në qytetin e Durrësit në kujdesin e zonjës së parë Odeta Nishani.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin figura të njohura të politikës, artit biznesit dhe medias, të cilët iu përgjigjën nismës së zonjës së parë për tu gjendur pranë këtyre fëmijëve që më shumë se kushdo kanë nevojë për përkujdesjen e të gjithëve.

Pjesë e aktivitetit u bënë nëpërmjet videomesazheve deputetja e Partisë Socialiste, Klodina Spahiu, dhe aktori Mirush Kabashi, të cilët apeluan për më shumë ndjeshmëri dhe përkrahje karshi fëmije në nevojë.

Ndërkohë zonja e Parë Odeta Nishani gjatë fjalës së saj theksoi se të gjithë fëmijët duhet të gëzojnë të drejta të barabarta e duhet të jenë të lumtur.

“Doja të thoja dhe diçka për këta fëmijë, para disa ditësh një pjesë e tyre ishin në shtëpinë time bashkë me edukatoret, sapo i zgjat duart sapo i thua fjalët hajde zemër menjëherë shikon dy duar që zgjaten, e ndjen që e ke të pamundur ti ulësh përsëri poshtë sepse ata të shtrëngojnë fort dhe kjo tregon se ato kanë nevojë për dashurinë tonë.” tha Odeta Nishani

Apeli për më shumë vëmendje ndaj fëmijëve jetim u bë dhe nga emrat e njohur të artit dhe medias.

Mbrëmja u mbyll me ndarjen e dhuratave për fëmijët e pranishëm në këtë aktivitet, ndërsa fondet që u mblodhën nga mbrëmja do t’i kalojnë të gjitha fëmijëve në nevojë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)