DURRES- Kanë kaluar 9 ditë pas ngjarjes së rëndë në spitalin e pediatrisë në kryeqytet, ku humbi jetën vogëlushja 7 vjecare Arsela Vladi. Gjithcka që familjarët kërkojnë është drejtësi.

 Ilir Vladi, babai i 7 vjecares, shprehet se familja ende nuk e ka kaluar tronditjen pas ngjarjes së rëndë së 27 dhjetorit dhe kujton se kishin besuar se mjekët do bënin të pamundurën prandaj dhe nuk kishin ndërhyrë natën kur vajzës iu rëndua gjëndja shëndetësore.

“Nga besimi që kishim për mjekët, nuk kishim pse të ndërhynim në asnjë mënyrë. Analizë pas analize.” tregon Ilir Vladi për emisionin Urbanika të Tv A1 Report.

Ai kujton se mbrëmjen e 27 dhjetorit disa analiza i kishin bërë vetë jashtë spitalit por dhe ilaçet që nuk ndodheshin në spital kishin dalë për t’i blerë në farmaci.

“Nuk mund të akuzojmë se nuk janë lodhur, por nuk mund të dimë se cfarë kanë bërë. Në fillim nuk bënë maksimumin, pastaj ishte e kotë.”- tregon Ilir Vladi për emisionin Urbanika të Tv A1 Report.

Gjithcka erdhi nga neglizhenca, shprehet nëna e Arseles, Alma Vladi, e cila pohon se çfarë iku nuk kthehet më por të paktën të mos përsëritet, që fëmijë të tjerë të mos kenë fatin e Arselës së saj.
“Krimi më i madh që mund të bëhet është tek fëmijët. E kisha si dritë, të më ikte kështu. Të luftojmë për këto që kemi gjallë të venë një rregull më të mirë, se njerëzimi mbahet në këmbë nga mjekësia.

Prindërit kanë kërkuar ndërhyrjen e Avokatit të Popullit, ndërsa ky i fundit ka kërkuar hapjen e çështjes nga prokuroria e cila tashmë ka nisur hetimet për ngjarjen.

arsela vladi me sy te mbuluara me logo
(sg/shqiptarja.com)