Durrës- Pas 25 vjetësh nis dezinsektimi i plazhit

Pushuesit që kanë zgjedhur plazhin e Durrësit për të kaluar pushimet e verës këtë vit, do të gjejnë një mjedis te çliruar nga shqetësimet, apo edhe sëmundjet e shkaktuara nga artropodet dhe veçanërisht insektet, të cilat përbëjnë një problem të rëndësishëm për shëndetin publik. Një ekip i specializuar ka nisur nga puna për dezinsektimin e plazhit të qytetit bregdetar në të gjithë gjatësinë dhe thellësinë e tij, në kuadrin e programit të kontrollit të insekteve që ndikojnë mbi popullatën jo vetëm me bezdisjen dhe shqetësimet që ato mund të japin në zonat turistike, por edhe me rolin e tyre në transmetimin e sëmundjeve të rëndësishme.
Procesi i dezinsektimit të plazhit në Durrës nisi fill pas atij të Tiranës. Për të ndjekur nga afër ecurinë e këtij procesi në zonën e plazhit ishin edhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
Vetëm në Durrës do të dezinsektohen 40 ha sipërfaqe ku përfshihen vija e parë dhe ajo e dytë e plazhit, por edhe zona të tjera brenda në qytet. Spërkatja me agjentë biologjik, Bti, do të kryhet në sipërfaqe kanalesh moçalorë, bodrume pallatesh dhe gropa të hapura që mbajnë ujë. Ministri Beqaj tha se "ky proces është mjaft i rëndësishëm për shëndetin e banorëve", duke shtuar se "komponentët kimikë që përdoren në këtë proces nuk e dëmtojnë aspak shëndetin e popullatës".
Procesi i dezinsektimit që po zbatohet në zonat bregdetare dhe disa zona urbane, bazohet në kontrollin e larvave me anë të përdorimit të agjentit biologjik Bacillus turingensis israeliensis (Bti), i cili nuk ka ndikim në organizmat e tjera ujore përveç larvave të mushkonjave. Gjithashtu, në gropa septike dhe vatra me ndotje të lartë do të përdoren barriera fizike.
Dezinsektimi është një proces i rëndësishëm dhe efikas i kontrollit të insekteve, sidomos kur zbatohet me përpikmëri së bashku me ndërmarrjen e një seri masash të cilat janë të lidhura me mjedisin ku ato rriten, si p.sh., eliminimi i ujërave të ndenjura, kontrolli dhe eliminimi gomave të përdorura, eliminimi i mbeturinave dhe plehrave, pastrimi i kanaleve etj., duke siguruar vendosjen e barrierave fizike për të reduktuar infestimin e mjediseve të brendshme të banesave dhe veshjeve, dhe sidomos edukimi i popullatës, pushtetit lokal dhe bizneseve.
Një ndërhyrje e tillë për kontrollin e mushkonjave në plazhin e Durrësit ndërmerret pas 25 vjetësh mungese, u shpreh kreu i shëndetësisë në vend. Kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, tha se bashkia ka në varësi ndërmarrjen komunale të plazhit që merret me dezinfektimin e sipërfaqes së rërës, por ky projekt është me mjaft rëndësi për higjenën e zonës dhe shëndetin e popullatës.
"Ne ftojmë turistët që të vijnë në Durrës pasi do të gjejnë një mjedis të pastër dhe me cilësor se në të kaluarën,"  tha Dako, duke shtuar se vetëm disa ditë më parë bashkia nëpërmjet ndërmarrjeve në vartësi të saj kreu punimin pastrimin dhe dezinfektimin e rërës së plazhit që nga Ura e Dajlanit deri në fund të sektorit "Iliria".
I gjithë procesi në fjalë do të zgjasë 5 muaj dhe ndërhyrja është planifikuar që të realizohet nëpërmjet 12 ndërhyrjeve në zona që tashmë janë përcaktuar si mjaft të ndotura nga insketet. Zona e plazhit është problematike përsa i përket pranisë së mushkonjave, të cilat në periudhën e verës janë shqetësim i vazhdueshëm jo vetëm për banorët, por edhe për turistët e shumtë që frekuentojnë këtë zonë. /atsh/
 
 
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Aksionet në ankand, presidenti i KF Tiranës kundërpadi në gjykatë! Çfarë kërkon Refik Halili?