DURRËS - Vidhet e dëmtohet zyra e Partisë Demokratike në Manëz të Durrësit. Ka qenë kryetari i PD-së së Manzës, Bedri Luku ai i cili ka denoncuar në polici dhunimin e zyrave të kësaj force policie.

Sipas tij, janë thyer dyer dhe dritaret, ndërsa janë marrë sende e dokumente që ndodheshin në zyra. Nga të dhënat e policisë, mësohet se është vjedhur një frigorifer si dhe disa sende kancelarie.

Dyshohet se, dhunimi i zyrave ka ndodhur gjatë natës së mbrëmshme por që është evidentuar vetëm ditën e sotme. Ndërkaq një pjesë e kësaj godine është djegur. Policia ka vajtur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet.

Aktualisht dyshohet se, kjo ngjarje është vjedhje ordinere dhe nuk ka të bëjë me subjektin politik.
 
REAGON POLICIA E DURRESIT: U VODH NJE FRIGORIFER DHE KOMPJUTER
Policia e Durrësit ka reaguar sot, pas denoncimit për vjedhje në selinë e PD-së në Manëz. “Paraditen e sotme, ora 11.00 kemi marrë njoftim mbi vjedhjen e zyrës së subjektit Partia Demokratike në fshatin Manez Durres. Në vendngjarje kanë shkuar dhe po ndjekin veprimet shërbime të Komisariatit të Policisë Shijak.
 
Nga verifikimet e para rezultoi se depërtimi në ambientet e kësaj zyre është bërë nëpërmjet një hapësire të krijuar në murin e pasëm të ndërtesës.
 
Krahas përvetësimit të disa orendive të zyrës si frigorifer, një fotokopje, nje printer, nje kompiuter dhe rreth 20 copë karrike, brenda ambienteve të zyrës u konstatuan edhe katër vatra zjarri (të cilat nuk kanë shkaktuar djegie të mëtejshme të ambientit).
 
Grupi Hetimor i krijuar po vijon veprimet e para në funksion të grumbullimit të provave e fakteve në vendin e ngjarjes. Njëkohësisht po hetohet lidhur me identifikimin e autorëve të kësaj vjedhje”, tha Policia e Durrësit.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)