DURRËS - Dy juristë të Kadastrës janë në hetim nga Prokuroria e Durrësit pasi akuzohen se përmes një sërë shkeljesh dhe dokumenteve të falsifikuara kanë bërë dy vëllezër, pronarë të 500 metra katrorë në Gjirin e Lalzit. Konkretisht Ndue Mesiti rezulton të jetë përfituesi i pasurisë së bashku me vëllain e tij,  Ardian Mesiti. Sipas prokurorisë së Durrësit kjo pasuri ‘rrjedh e gjithë nga praktika e legalizimit dhe regjistrimit të pronës bazuar në dokumente të falsifikuara me anë të skanimit dhe kopjimit të të dhënave të një praktike tjetër legalizimi’

Pikërisht në Kadastrën e Durrësit ditën e sotme (8 prill) është bërë një aksion për të ekzekutuar masat e sigurisë.

Prokuroria ka kërkuar ‘arrest me burg’ për Bledi Zerba me detyrë Specialist-Jurist pranë Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Drejtoria Vendore Durrës, dhe  Ndue Mesitin, një nga përfituesit e pronës. Ata akuzohen për veprën penale ‘Falsifikim të dokumenteve’

Ndërsa për specialiste-juristen, me kontratë të përkohshme pranë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në Bashkinë e Durrësit, Jonida Margeja është kërkuar masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’ dhe pezullimi nga detyra e akuzohet për ‘Shpërdorim detyre’.

Denoncimi
Prokuroria e Durrësit nisi hetimin e praktikës së legalizimit të “Godinë Social Ekonomike 1 Kat”, sipërfaqe e parcelës ndërtimore 500 m2, sipërfaqe e ndërtimit 274 m2 në Durrës, përfituar në vitin 2017, pasi u denoncua nga Njësisë Speciale Antikorrupsion dhe Antievazion pranë Kryeministrisë. 

Kjo e fundit kishte ushtruar kontroll pranë ASHK Durrës në lidhje me Lejen e Legalizimit nr.263235, date 18.04.2017 me zonë kadastrale 1522. 

Me datë 25 qershor 2021 në ASHK Qëndrore, kishte mbërritur shkresa nga IKMT për prishje objekti në zonën kadastrale 1522 në Gjirin e Lalzit. Ky objekt rezultonte në pronësi të Ndue dhe Ardjan Zef Mesiti, përfituar nga një procedurë legalizimi në vitin 2017 dhe në 10.10.2017 pajisur me Certifikatë Pronësie nga ZVRPP Durrës. Ndërkohë, në datë 29 qershor 2021, pra 4 ditë më pas Ndue Mesiti kishte kryer aplikim për rifreskim të kartelës së pasurisë.

Pas ardhjes së shkresës lindën dyshime për çertifikatën e pronësisë së objektit. Pas referimit në prokurorinë e Durrësit u regjistrua procedimin me nr.1515, viti 2021 dhe procedimin penal nr. 1921, datë 21.09.2021

"Nga verifikimi i dokumentacionit të administruar pranë ASHK Durrës, kanë lindur dyshime të arsyeshme për një sërë shkeljesh me natyrë penale dhe administrative, ku duket se janë përfshirë punonjës të ASHK dhe persona të tjerë, duke siguruar përfitime në kundërshtim me ligjin.', thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Durrësit. 

U morën nga Zyra e kadastrës Tepelenë dhe u cuan në Durrës

Sipas njësisë antikorrupsion zyrtarët për të cilët është lëshuar urdhër-arresti, kanë marrë dokumente ‘tip’ bosh nga zyra e kadastrës së Tepelenës dhe i kanë çuar në kadastrën e Durrësit, pra janë falsifikuar. Juristi Bledi Zerba ka firmosur kartelën e pasurisë ndërsa juristja tjetër Margeja ka dixhitalizuar kartelën e pasurisë.

'Nga verifikimet e kryera rezultuan një sërë anomalish që çojnë në përfundimin që praktika është e falsifikuar. Nga verifikimi i librit të protokollit të ish Z.V.R.P.P Durrës, se të dhënat e shkresës për kalim të dosjes nga ish-ALUIZNI Durrës drejt ZVRPP Durrës, nuk përputhen me të dhënat e librave të protokollit të ish Z.V.R.P.P Durrës, duke mos u përputhur afatet kohore me rendin numerik të shkresave.

Pas një analize të të gjithë provave dhe akteve të administruara në fashikullin e këtij procedimi penal, rezulton se shtetasi Bledi Zerba, ka ushtruar detyrën e detyrën e Specialist-Jurist pranë ASHK Drejtoria Vendore Durrës dhe ka nëshkruar në të gjitha rubrikat e kartelës së pasurisë së mësipërme, veprime që përbëjnë veprën penale të “Falsifikimi i dokumentave”.

Shtetasja Jonida Margeja me detyrë specialiste-juriste, me kontratë të përkohshme pranë ASHK Durrës nga periudha ka kryer veprime duke dixhitalizuar kartelën e pasurisë për pasurinë nr.150/7/ND vol 07, faqe 26, zk1522, fshati Draç, Bashkia Durrës, me përfitues shtetasit Ardjan Mesiti dhe Ndue Mesti', thuhet më tej në njoftimin e Prokurorisë.

Auditimi

Po kërshtu në dosjen e prokurorisë thuhet se 'Nga verifikimi i librit të protokollit të ish Z.V.R.P.P Durrës, se të dhënat e shkresës për kalim të dosjes nga ish Aluizni Durrës drejt ZVRPP Durrës, nuk përputhen me të dhënat e librave të protokollit të ish Z.V.R.P.P Durrës, duke mos u përputhur afatet kohore me rendin numerik të shkresave. Planimetria dhe Genplani nuk janë të punuara sipas formateve që punon zyra e ASHK Durrës. Fleta e volumit në regjistër është më e madhe në format dhe në fund të saj ka emrin e shtypshkronjës që është printuar (ndryshe nga gjithë të tjerat). Në ASHK Durrës është kryer një auditim për një praktikë leje legalizimi të muajit Prill 2017 në emër të shtetasve Ndue Zef Mesiti dhe Gentjan Zef Mesiti, ku nga auditimi ka rezultuar se nënshkrimet në emër të shtetasve Kujtim Gjuzi, Mario Semini dhe Ilrjan Keçi janë fallsifikuar' 

Falsifikimi është konstatuar edhe nga ekspertët e Laboratorit shkencor në Tiranë.

Ndërkohë shtetasi Ndue Mesti' rezulton të jetë përfituesi i pasurisë së bashku me vëllain e tij, pasuri e cila rrjedh e gjithë nga praktika e legalizimit dhe regjistrimit të pronës është bazuar në dokumente të falsifikuara me anë të skanimit dhe kopjimit të të dhënave të një praktike tjetër legalizimi.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se janë zbuluar edhe praktika të tjera të legalizuara me dokumente false për të cilat do të veprohet në vijimësi në bazë të ligjit.