Një 38-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Durrësit pasi tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Rrugore me 5 000 mijë lekë .
Shoferi u kap në aksin rrugor ‘Golem-Plepa’, teksa po udhëtonte me makinë në gjendje të dehur.
Sipas statistikave të bluve bëhet me dije se deri më tani janë arrestuar ose hetuar 11 drejtues automjetesh që kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e përgjegjësisë penale apo administrative.
Njoftimi i policisë:
Gjatë patrullimit me objektiv parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit i bënë shenjë ndalimi, në aksin rrugor “Golem-Plepa”, automjetit me drejtues shtetasin L. K., 38 vjeç.
Nga kryerja e testit të alkoolit, drejtuesi i automjetit rezultoi në gjendje të dehur.
Gjatë veprimeve të punonjësve të Policisë, drejtuesi i automjetit iu ka ofruar atyre 5 000 lekë, me qëllim shmangien e procedurave ligjore.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, shtetasi L. K., 38 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
_________________
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










