Durrës - Një 23-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi vitin e kaluar në bashkëpunim tre të tjerë tentoi të vriste me armë zjarri Fabion Kuçin njohur edhe si ‘Gucci’ i TikTok. Ndaj Florian Brahaj rëndon akuza "Vrasja me paramendim", mbetur në tentativë.

Ngjarja fatmirësisht pa pasoja fatale për jetën u shënua më 15 dhjetor 2025 në lagjen nr. 9. Brahaj së bashku me dy të tjerë, me 2 automjete u afruan te lokali, ku qëndronte “Gucci” dhe qëlluan drejt tij, me armë zjarri. Nga të shtënat e armë Kuçi mbeti plagosur lehtë.

Fabion Kuçi nuk është i panjohur për policinë, pasi ka një histori të mëparshme kriminale jashtë vendit, duke qenë i dënuar në Angli për vepra të ndryshme penale.

Ai ishte kthyer në Shqipëri vetëm pak muaj para incidentit dhe ishte bërë mjaft aktiv në rrjetin social TikTok, ku shpesh herë përfshihej në debate dhe përplasje me personazhe të tjerë për shkak të postimeve që publikonte.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale ndërmjet specialistëve të Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kamëz, u kap në Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “Akuza”, shtetasi i shpallur në kërkim, F. B., 23 vjeç.

Gjykata e Durrësit, në muajin mars, 2026, i ka caktuar shtetasit F. B., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale "Vrasja me paramendim", mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se më datë 15.12.2025, në lagjen nr. 9, në ambientet e një lokali, ka tentuar të vrasë me armë zjarri, në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, shtetasin F. K.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë