Tre persona janë arrestuar për dy raste zjarresh në Ishëm dhe Shijak. Në pranga kanë rënë Ilir Rika, Reshit Jaheshi dhe Shaban Domi, të dyshuar për shkaktimin e zjarreve që dogjën dhjetëra hektarë tokë, qindra pemë frutore e ullinj, si dhe dëmtuan rrjetin elektrik.

Në rastin e Ishmit, sipas Policisë, Ilir Rika, 48 vjeç, dhe Reshit Jaheshi, 59 vjeç, po prisnin tuba hekuri me një mjet prerës elektrik, të njohur si “gur fresibël”, në banesën e një personi tjetër. Shkëndijat e krijuara gjatë prerjes dyshohet se kanë ndezur zjarrin, i cili më pas doli jashtë kontrollit dhe u përhap në tokat bujqësore përreth. Si pasojë, u dogjën dhjetëra hektarë tokë, qindra pemë frutore dhe ullinj.

"Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimeve për dy raste zjarri në territorin e Durrësit, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe shkuan në ndihmë të shërbimeve zjarrfikëse për vënien nën kontroll dhe shuarjen e flakëve. Në lidhje me zjarrin e rënë në një sipërfaqe toke bujqësore në fshatin Ishëm, nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasit I. R., 48 vjeç, dhe R. J., 59 vjeç, banues në Sukth, Durrës, gjatë kohës që ndodheshin në banesën e shtetasit S. L., në fshatin Ishëm, duke prerë tuba hekuri me gur fresibël, dyshohet se, si pasojë e shkëndijave të krijuara, kanë shkaktuar zjarrin.

Zjarri më pas është përhapur në sipërfaqen bujqësore përreth, duke përfshirë dhjetëra hektarë tokë, qindra pemë frutore dhe ullinj. Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve I. R. dhe R. J., për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Gjithashtu, u identifikua dhe u arrestua shtetasi Sh. D., 44 vjeç, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Rreth, Shijak, ku, si pasojë, janë djegur tela të rrjetit elektrik dhe sipërfaqe me bimësi. Materialet procedurale për të dyja rastet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”, njofton Policia. 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë


Lajmi kryesor:

Zjarret, 11 vatra aktive në vend! Vijon beteja me flakët në Frakull të Fierit, ndërhyhet me helikopter dhe 2 avionë (VIDEO)