DURRES – Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një zonë në periferi të qytetit të Durrësit në zonën ndarëse mes Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave dhe kangjellave ndarëse të Portit, si pasojë e të cilit u bllokua për më shumë se një orë rruga për në port.

Zjarri ka rënë rreth orës 13:30 dhe për shkak të erës së furishme është shpërndarë me shpejtësi duke rrezikuar banesat në afërsi si dhe një zonë në port pasi afër ndodheshin edhe një sasi kontinierash.

Flakët e zjarrit kanë djegur rreth 1 hektarë tokë, ndërsa dhjetëra automjete mbetën të bllokuara në trafik.

Megjithatë, zjarri është vënë nën kontroll pasi në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikëset, duke mos lejuar kështu shpërndarjen e tij në zona të rrezikshme.

Ndërkohë policia e sigurisë Portuale ka bllokuar qarkullimin brenda rrugës së portit deri ne stabilizimin e plotë të flakëve dhe të vënies nën kontroll të vatrave të fshehura nën hirin e ferrave dhe pemëve te djegura.

Banorët kanë shprehur dyshimin se zjarrëvënia mund të jetë e qëllimshme, pasi nuk ka pasur arsye të bjerë zjarr në një ditë si e sotmja, ku moti ka qënë mjaft i freskët. Ata dyshojnë se zjarri është vënë me mjete ndezëse. Këtë dyshim e rikonfirmon edhe një biznesmen që kishte lavazh në afërsi dhe që nga rënia e zjarrit i rrezikoheshin pajisjet.