Për herë të parë, programi ndërkombëtar i zhvillimit të skenarëve “Equinoxe Europe” është organizuar në Shqipëri, duke mbledhur në Durrës skenaristë, regjisorë dhe ekspertë të njohur të industrisë së filmit nga vende të ndryshme të botës.
Programi, me një histori mbi 30-vjeçare, synon të ndihmojë autorët në zhvillimin e skenarëve të tyre përmes bashkëpunimit me profesionistë ndërkombëtarë.
Kryetarja e “Equinoxe Europe”, Ellen Wind Wendl, tha se Shqipëria është përzgjedhur për bukuritë e saj dhe historitë interesante, të cilat mund të shërbejnë si frymëzim për kineastët. Sipas saj, organizimi i këtij programi është bërë i mundur edhe falë bashkëpunimit me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë dhe do të ndikojë në njohjen e kinematografisë shqiptare në Europë.
Clair Dobin, redaktore skenarësh nga Australia dhe një prej mentoreve të laboratorit, tregoi se këtë vit janë përzgjedhur tetë skenarë nga rajoni, dy prej të cilëve janë shqiptarë.
Regjisori dhe skenaristi Kelmend Karuni, pjesë e organizimit të veprimtarisë, tha se ardhja e këtij programi në Shqipëri u bë e mundur falë bashkëpunimit me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë dhe punës së Andamion Muratajt me filmin “Burri i Shtëpisë”, projekt që kishte bashkëpunuar më parë me këtë laborator.
Mes autorëve shqiptarë të përzgjedhur është edhe regjisori dhe skenaristi Redi Treni, i cili prezantoi projektin e tij me titull “Fjolla”. Ai e cilësoi bashkëpunimin me këtë laborator si shumë të rëndësishëm për zhvillimin e skenarit.
Në program merr pjesë edhe regjisori shqiptar Erenik Beqiri. Rreth 10 konsulentë profesionistë nga vende të ndryshme të botës po punojnë me autorët për përmirësimin e skenarëve dhe përgatitjen e projekteve për prodhime të ardhshme ndërkombëtare.
Përmes këtij programi, synohet forcimi i lidhjeve mes kineastëve shqiptarë dhe industrisë europiane të filmit, si dhe krijimi i mundësive të reja për bashkëpunim.










Komente
Komento